Siria, 275,000 civilë kurdë në arrati, qyteti Manbij merret nga ushtria e Asad, rrezikohet përleshja me trupat turke, Moska garanton që 'Jo'

Presidenti turk nuk ndalet. Rexhep Tajip Erdogan ka konfirmuar se sulmet do të vazhdojnë, pavarësisht dërgimit të trupave të Bashar al-Asadit fare pranë kufirit me Turqinë.

Ndërsa Europa po rrit presionin kundër ofensivës duke rënë dakord të kufizojë eksportet e armëve në Turqi, Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar për sanksione për operacionin në veri të Sirisë.

"Unë jam plotësisht i gatshëm ta shkatërroj shpejt ekonominë turke nëse Turqia do vazhdojë këtë rrugë të rrezikshme dhe shkatërruese", -tha Trump

"Nëse Turqia vazhdon ofensivën e saj,  ajo do të përkeqësojë krizën humanitare, me pasoja potenciale shkatërrimtare. Për të shmangur sanksione të mëtejshme, Ankaraja duhet menjëherë të ndalojë ofensivën e saj të njëanshme në veri-lindje të Sirisë dhe të kthehet në dialog me Shtetet e Bashkuara për sigurinë e rajonit", - këtë e theksoi sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo.

Mike Pence do të shkojë në Turqi për të kërkuar "armëpushimin"

Sekretari i Shtetit  Mike Pence, njoftoi gjatë mbrëmjes se së shpejti do të udhëtojë për në Turqi me kërkesën e Donald Trump për të diskutuar për ofensivën e Ankarasë në veri të Sirisë. Pence sqaroi se presidenti amerikan i ka telefonuar kolegut të tij turk, për t'i kërkuar që "t'i jepte fund pushtimit" dhe të deklaronte "armëpushimin e menjëhershëm".

Në veçanti, Trump i kërkoi Erdoganit "shumë fort" për të filluar "negociatat me forcat kurde në Siri".

SHBA vendos dënime për 3 ministra turq

Presidenti amerikan Trump ka nënshkruar dekretin që jep dritën e gjelbër ndaj sanksioneve amerikane kundër Turqisë. Në veçanti, sanksione u vendosën për tre ministri të qeverisë turke të përfshira në ofensivën në veri-lindje të Sirisë, të cilat për Uashingtonin rrezikojnë jetën e civilëve të pafajshëm dhe destabilizojnë rajonin, përkatësisht sanksione u vendosën për Ministrin e Mbrojtjes, Hulusi Akar, Ministrin e Brendshëm, Suleyman Soylu, dhe atë të Energjisë, Fatih Donmez.

“Qeveria turke është përgjegjëse për rritjen e dhunës nga forcat turke, duke rrezikuar civilë të pafajshëm dhe destabilizimin e rajonit", - tha sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin.

Pas ndalimit të eksportit të armëve nga Holanda, Norvegjia, Gjermania, Franca, Italia, edhe Britania e Madhe sot ka konfirmuar se i bashkohet vendimit të këtyre vendeve

Ka reaguar ndërkohë edhe “Volkswagen”, e cila ka shtyrë vendimin për hapjen e një fabrike në Turqi.

"Vendimi për uzinën e re u azhurnua nga bordi i Volkswagen AG,"- tha zëdhënësi i gjigandit gjerman të makinave, duke shtuar se kompania po shikon me shqetësim zhvillimet aktuale në rajon.

Ndërkohë në terren qyteti Manbij është marrë nga ushtria Siriane dhe rrezikohet përplasja me trupat turke, por i dërguari special rus në Siri, Alexander Lavrentyev ka garantuar se Moska nuk do të lejojë që Turqia dhe Siria të përplasen, ndërsa theksoi se  "ofensiva turke është e papranueshme”. Ministria e Mbrojtjes në Moskë ka njoftuar se ushtarët rusë po patrullojnë 'linjën e kontaktit' midis forcave siriane dhe turke në Verilindje.

UNICEF nga terreni raporton se rreth 70,000 fëmijë janë shpërngulur për shkak të luftimeve dhe se të paktën 4 janë vranë dhe 9 të tjerë janë plagosur. Janë bombarduar tre spitale dhe një shkollë kurse rreth 400,000 njerëz janë pa ujë.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Nesër zhvillohet takimi i 4 vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës

Nesër zhvillohet takimi i 4 vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës