/ATSH/- Sistemi financiar po mbështet ritmet e rritjes së ekonomisë së vendit, në trajktore të programeve dhe objektivave që parashikon strategjia e zhvillimit afatmesëm të vendit. Sipas shifrave zyrtare, financimi nga sistemi bankar zë rreth 67% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku përfshihet kreditimi për sektorin privat dhe për qeverinë, kryesisht përmes investimit në bono dhe obligacione. Sipas ekspertëve, Shqipëria është një ndër vendet e Ballkanit Perëndimor ku sistemi bankar është më aktiv në mbështetjen e ekonomisë me financime. Serbia, Mali i Zi apo Maqedonia kanë një vlerë të financimeve të brendshme për ekonominë më të ulët se Shqipëria.

Në rastin e vendit tonë një rëndësi të konsiderueshme ka niveli i lartë i investimeve të bankave në titujt e borxhit qeveritar. Nëse kredia për ekonominë zë rreth 37% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pjesa tjetër prej 30% janë pikërisht financim i borxhit publik. Pavarësisht nga kjo, Shqipëria vlerësohet se ka një shkallë më të lartë të financimit të ekonomisë nga sistemi financiar, kontribut i cili përkthehet në rritje të ekonomisë dhe investimeve private.