Nga trafiku apo ngjarjet kriminale në rrugët e vendit, te mbikqyrja e shkollave, e kontrolli mbi ndërtimet pa leje, gjithshka do të jetë nën vëzhgimin e 5 mijë kamerave që do të instalohen në 20 qendrat më të mëdha urbane të vendit.

Projekti “Smart City” ka hyrë kështu në fazën përfundimtare, pas nënshkrimit të sotëm të marrëveshjes me kompaninë PRESIGHT AI, pjesë e grupit G42.

Drejtuesi i kompanisë Thomas Pramotedham, tha se projekti mund të ketë një shtrirje të gjera zbatimi

“Tek zhvillimi urban, te siguria publike, te lëvizhmëria, te qëndrueshmëria dhe e njëjta platformë mund të përdoret edhe për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe për të arritur qëndrueshmërinë mjedisore”, tha Thomas Pramotedham.

Kryeministri Edi Rama theksoi se këto nuk janë thjesht kamera, por një  “sy magjik” që rrit kapacitetet e Policisë së Shtetit.

“Ky është një projekt që në sekondën kur fillon dhe vihet në jetë, rrit kapacitetin policor në kohë reale. Ky është një projekt që i jep policisë shtetit një sy magjik për të parë në kohë reale të gjithë territorin e interesit. Është një projekt që ndihmon për të pasur një  kryeinspektor i territorit që i ka sytë gjithandej. kur flitet për identifikimin në kohë reale të shkelësit. Nuk flitet por një identifikim që vjen si rezultat i syve të punonjësit të policisë që ndjek ekranin. Po flitet për një identifikim në kohë reale nga ky sy magjik, i cili e sheh, identifikon, i vendos një shenjë dhe e sjell para punonjësit të policisë”, tha Rama.

Rama tha përveç mbrojtjes nga krimi dhe garantimit të sigurisë publike, sistemi do të shërbejë edhe si mekanizëm mbikëqyrjeje për vetë punonjësit e policisë. Po ashtu 3 mijë kamera trupi do të vendosen në uniformat e efektivëve të Policisë së Shtetit, ndërsa sensorë për matjen e zhurmës do të instalohen në rrugët kryesore të vendit.

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu deklaroi se projekti pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e sigurisë.

“Deri në 30% rritje zbulueshmërie për ngjarjet kriminale; Deri në 45% reduktim të fataliteteve në aksidente rrugore; 30% më pak kohë e shpenzuar në trafik; 25% më pak kosto për menaxhimin e trafikut; 30% më pak ngarkesë administrative për Policinë e Shtetit, pra më shumë kohë në mbrojtje të qytetarit”, tha Koçiu.

Projekti “Smart City” u firmos më 23 shkurt të këtij viti, gjatë vizitës së presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, në Tiranë.

Përveç avantazheve që ofron, projekti ka nxitur edhe zëra kritikë të shqetësuar për rrezikun e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe privatësisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:00
Rama: Do të rritet siguria në shkolla! Makinat e policisë nuk do të përdoren më si private

Kryeministri Edi Rama tha se sistemi i ri i kamerave inteligjente do të rrisë sigurinë dhe cilësinë në shkolla. Ndër të tjera ai foli dhe për Policinë e Shtetit duke thënë se makinat e shtetit nuk mund të përdoren si private dhe se do të jetë e pamundur sabotimi i këtij projekti.

“Siguria në shkolla ndryshon. Shembulli i miqve nga Emiratet. Ky sistem ka hyrë në shkolla dhe jo vetëm që kanë rënë në mënyrë drastike mungesat në shkollë, por kanë rënë në mënyrë drastike edhe kopjet në shkollë. Sepse i gjithë sistemi është një sistem që funksionon për mësuesin, funksionon për prindin, funksionon për shkollën dhe, padyshim, për ministrin e Arsimit. Ashtu sikundër, në sekondën kur një person i dyshuar i afrohet derës së shkollës apo kur persona të padëshiruar vijnë vërdallë shkollës për të tregtuar lëndë narkotike, punonjësit e policisë e shohin këtë në kohë reale.

Elementët e kriminalitetit të rrugës e kanë të pamundur të shkojnë ku të duan dhe të bëjnë çfarë të duan. Natyrisht që kjo është një sfidë menaxhimi. Natyrisht që unë e kam kuptuar shumë mirë edhe mesazhin e një pjese të atyre që duhet ta kishin çuar përpara këtë projekt. Është e pamundur që një makinë policie të përdoret për punë personale. Si të gjitha makinat e policisë, do të jenë para syve të drejtuesve. Është e pamundur që makina e policisë të shkojë të ndalojë përpara restorantit dhe punonjësit e policisë të hyjnë dhe të hanë drekë në restorant, në uniformë. Dhe përsëri po flas për gjëra shumë të thjeshta.

Dhe unë e kuptoj shumë mirë ata që bëjnë çmos ta shtyjnë dhe ta sabotojnë këtë projekt, sepse dinë shumë më tepër se unë se sa hile dhe sa poshtërsi mund të bëhen duke njollosur uniformën e Policisë së Shtetit. Sepse syri për të cilin fola ka një rrjet mbulimi që, në 20 bashkitë me problematikat dhe lëvizjet më domethënëse, futet kudo. Futet kudo. Ky është sistemi i monitorimit që sjell kulmin e teknologjisë sot, me inteligjencën artificiale”, tha Rama.

Ora 12:39
Projekti ‘Smart City Albania’, Koçiu: 5 mijë kamera inteligjente në 20 qytete, 3 mijë në uniformat e Policëve! Të parët në rajon

Gjatë aktivitetit prezantues për zbatimin e projektit “Smart City Albania”, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, theksoi se Shqipëria do të jetë vendi i parë në rajon që do të ketë një sistem të integruar sigurie dhe menaxhimi urban në 20 qytetet më të mëdha.

Në kuadër të projektit, parashikohet instalimi i mbi 5 mijë kamerave inteligjente nga Tirana në Sarandë, nga Shkodra në Gjirokastër, si dhe 3 mijë kamera trupi që do të vendosen në uniformat e efektivëve të Policisë së Shtetit.

“Do vendosim mbi 5 mijë kamera inteligjente në 20 qytete të Shqipërisë, nga Tirana në Sarandë, nga Shkodra në Gjirokastër. Këto janë sisteme të Inteligjencës artificiale që sinjalizojnë në mënyrë autonome, janë 3 mijë kamera të trupit që do instalohen në uniformat e efektivëve të policisë së shtetit. Do instalohen kamera, radarë inteligjentë e sensorë për matjen e zhurmës në arteriet kryesore të vendit.

Të kemi 30% më shumë të zbulueshmërisë të ngjarjeve kriminale, deri në 45% reduktim të fataliteteve të aksidenteve rrugore, 30% më pak kohë të shpenzuar në publik, 30% më pak ngarkesë administrative për policinë e shtetit“, deklaroi Koçiu.