Më shumë se 200 të dëmtuar nga aksidentet rrugore, aksidente në punë apo edhe në shtëpi, paraqiten çdo 24 orë në urgjencën e Spitalit të Traumës. Për mjekët kjo situatë është alarmante. Në dhomat e spitalit jo larg zyrës së shefit të neurokirurgjisë, ku nuk lejohet të filmohet me kamera, pamjet janë tronditëse.

Njerëz të gjymtuar, pa këmbë e duar, të dëmtuar në kokë apo në rrezik jete. Shumë nga këta pacientë janë viktima të aksidenteve rrugore ose në punë.  Më shumë se 200 është numri i urgjencave ditore në spitalin universitar i Traumës.

“Normalisht duke qenë  në periudhë pushimesh ndikon përdorimi I alkoolit, qëndrimi I gjatë pagjumë, të gjitha këto kanë një rezultat që janë shtimi I numrit të aksidenteve të cilat në periudhën e verës mund të shkojnë 150-200 urgjenca te trauma në ditë. Ka dhe aksidente në punë apo dhe aksidente në aktivitete të tjera të jetës. Ka të bëj në stinën e verës lloji I punës në bujqësi e cila ka të bëj që nga mbjellja e barit, hipja mbi pemë e këto ndryshojnë llojshmërinë e aksidenteve në krahasim me stinët e tjera.”- tha shefi i neurokirurgjisë Fatos Olldashi.

Por rreziku nuk është vetëm në rrugë apo në ndërtim. Shumë të dëmtuar fizikisht edhe nga mungesa e sigurisë në kushte shtëpie. Në shtretër spitalor gjenden fëmijë e të rritur plagosur nga portat, shkallët apo rrethime.

“Ndërtojnë vila, ndërtesa shumë të bukura dhe neglizhojnë ndërtimin e mbrojtësve të ballkoneve, neglizhojnë ndërtimin e parmakëve të shkallëve dhe gjithë ai investim kthehet në një tragjedi sepse një fëmijë mund të pësoj një rrëzim andej dhe ka dëmtime më pas fatale.”- tha shefi i neurokirurgjisë Fatos Olldashi

Nisur nuk numri i lartë i aksidenteve dhe të dëmtuarve në spitalin e Traumës, mjekët kërkojnë që qytetarët të jenë të kujdesshëm në përditshmërinë e tyre. Traumat nuk janë vetëm plagë të përkohshme, por pasohen me përkeqësimin e shëndetit, paralizë e deri humbje jete.