Përmirësohet situata në veriperëndim të vendit, prani e ujit vetëm në 4 banesa në Lezhë! Akset rrugore të lira për qarkullim

Ditën e sotme është vënë re një përmirësim i situatës si pasojë e përmbytjeve. Deri më tani janë 27 familje të evakuuara, 1 në Lezhë dhe 26 në Shkodër, e ndërsa në total janë 2985 ha që vijojnë të jenë nën ujë. Nuk ka pasur probleme sa i përket lëvizjes në akset e rrugëve në rajonin qendror dhe jugor të vendit.

Në Shkodër, 1685 hektarë tokë janë ende nën ujë. Ndërsa janë evakuuar 26 familje të evakuuara. Në konvikt qëndrojnë vetëm 3 familje ndërsa pjesa tjetër kanë zgjedhur të shkojnë tek të afërmit. Sa i përket bagëtive, janë evakuuar 30 krerë gjë e gjallë.

Bëhet me dije se në vetëm katër banesa në Lezhë ka prani të ujit. Ndërsa 1300 hektarë tokë janë ende të përmbytura.

Si pasojë e reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit, një bllok pallatesh në zonën e plazhit të Durrësit dhe mbi 30 familje qendruan për 72 orë të izoluar, pa mundur të dalin nga apartamentet për shkak të bllokimit të pusetave. Vetëm pasi shqetësimi i tyre u transmetua në Report Tv, mbërriti zjarrfikësja dhe rrugët u pastruan nga uji.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes, një pjesë e madhe e familjeve të evakuuara janë kthyer në shtëpitë e tyre pasi nuk ka më prani uji. Ndërkohë bëhet me dije se përgjithësisht të gjitha akset rrugore në vend janë të lira për qarkullimin e mjeteve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:56
Shira të dendur e erë e fortë në Gjirokastër! OSHEE njofton zonat ku ndërpritet energjia elektrike

Gjithë Qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga erëra të fuqishme dhe shira me intensitet. Për shkak të erës së fortë OSHEE ka stakuar fiderat e Njësive Administrative Kurvelesh Cepo, Picar, Lunxhëri, Dropull, Ballaban. Në terren janë grupet e OSHEE të cilat punojnë për rikthimin e energjisë.

Raportohet se rruga Rruga Kolonjë-Picar, për shkak të rënies së inerteve kalohet me vështirësi.

Ora 20:13
Moti i keq/ Kapiteneria e portit të Durrësit: Tragetet e linjës Durrës-Bari nuk do nisen sonte

Kapiteneria e portit të Durrësit ka njoftuar se si pasojë e motit të keq, tragetet e linjës Durrës-Bari nuk do të nisen sonte sipas orarit.

Nisja e tyre është parashikuar të bëhet ditën e nesërme në orën 05:00 të mëngjesit. Ndërsa tragetet nga Bari do të nisen sonte në orën 22:00 dhe parashikohet të mbërrijnë të nesërmen në orën 07:00 të mëngjesit.

Ora 19:40
Moti i keq, ndërpritet energjia elektrike në disa fshatra të Gjirokastrës

 

1668933498_MOTT.jpg

Si pasoje e motit te keq është shkëputur energjia elektrike në shumë zona rurale të Qarkut të Gjirokastrës. Në Tepelenë në fshatrat Kodër, Lekël,  Hormovë, Beçisht, Damës, Luzat, Luftinjë, Iliras, Qesarat, Toç, Anë Vjosë. Te gjitha këto zona gjate këtyre ditëve kanë pasur ndërprerje të energjisë elektrike duke i lënë banoret në terr. Mungesa e energjisë elektrike ne Qarkun e Gjirokastrës  sa here qe ka reshje shiu është një problematike nder vite që s’po gjen zgjidhje kjo për shkak te linjave teje te amortizuara.

Ora 19:16
Reshjet intensive të shiut, ministria e Mbrojtjes: Situata është normalizuar! Akset rrugore në të gjithë vendin janë të lira për qarkullim

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë detajet më të fundit lidhur me situatën në qarqet e prekura nga përmbytjet të shkaktuara si pasojë e reshjeve intensive. Sipas njoftimit të bërë, situata tashmë paraqitet e normalizuar dhe kishte pasur tërheqje të ujit nga disa banesa në Shkodër duke ulur numrin e personave të evakuuar.

Ndërsa në Lezhë, në 4 banesa ka ende prani të ujit. Ndërkohë niveli i të gjithë lumenjve është në kuota nën nivelin kritik. Por ministria bën me dije se situata do të monitorohet pa ndërprerje edhe në orët në vijim.

Akset rrugore në të gjithë vendin paraqiten përgjithësisht të lira për qarkullimin e automjeteve.

Ora 13:18
Përmbytjet/ Panariti në Lezhë: Nevojë urgjente për të ushqyer bagëtitë! Nuk mjaftojnë 80 mijë euro në vit fond për kullimin në zonën e veriut

 

Ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti i shoqëruar nga eskperti Petrit Gjoni inspektojnë zonat e përmbytura në Lezhë.  Ata u takuan me banorë në Gjadër dhe deklaruan se kjo situatë ka ardhur nga mosmenaxhimi siç duhet, ndërsa sipas tyre buxheti për kullimin në vlerën e 80 mijë euro në vit për gjithë zonën e veriut është i pamjaftueshëm.

“Situata është shumë e rëndë dhe dramatike. Më e rëndë është se priten shira në vazhdim. Sot konsiderohet ditë kritike për Shqipërinë. Nga tani deri natën do të kemi përkeqësim të situatës. Kam ardhur për të ndihmuar banorët. Në një banesë, dëmet ishin të dukshme, veçanërisht në bazën ushqimore për blegtorinë. E gjithë baza ushqimore ka marrë ujë. Ata kanë nevojë urgjente për të ushqyer bagëtitë. Vëmendja është të ndihmohen familje për të përballuar nevojat e jetesës dhe dëmet që po pësojnë nga përmbytja.

Tani kërkohet ndërhyrje emergjente në kanalet. Duhet të vijnë dhe specialistët për të përcaktuar natyrën e problemit dhe për të marrë masa. Problemi nuk shihet aty ku ekziston. Bordit të veriut i jep vetëm 80 mijë euro financim në vit për ndërhyrje në argjinatura, në kullim, thellim, në zhbllokimin e nyjeve dhe riparimin e hidrovoreve. Në buxhetin që kaloi tek bujqësia të shtohet kjo masë financimi. Kjo është qesharake. Ekziston mundësia që të gjenden fonde”, tha Panariti.

Ora 12:49
Situata nga reshjet/ 'Mbrojtja': 2985 ha nën ujë! Prezencë uji në 4 banesa! Po punohet për lirimin e akseve rrugore

 

Ministria e Mbrojtjes ka treguar situatën nga reshjet intensive gjatë orëve të fundit.

Që prej ditës së parë janë angazhuar në terren:

  • 570 Forca të Armatosura
  • 495 Forca Zjarrfikëse
  • 400 Forca nga Policia Shtetit
  • 315 Forca Vullnetare
  • Ekipet e Shërbimit Mjekësor

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, reshjet e shiut kanë vazhduar me intensitet të ulët gjatë natës dhe të lokalizuara. Ka rënë ndjeshëm sipërfaqja e tokës e mbuluar nga uji në qarkun e Shkodrës. Sot janë 1685 hektarë tokë nën ujë dhe vazhdon tërheqja, nga 4346 ha që ishte dje në darkë. Aktualisht janë vetëm 26 familje me 99 anëtarë të evakuuar, nga 52 familje dhe rreth 318 banorë që ishin dje. Të tjerët janë kthyer në banesat e tyre.

Në Bashkinë e Lezhës ka pasur gjithashtu përmirësim: Ka prani uji vetëm në 4 banesa nga 24 që ishin dje. 1300 hektarë sipërfaqe e përmbytur.

Rrugët - Përgjithësisht rrugët në rajonin e veriut të vendit janë të kalueshme, veç pak segmenteve. Janë pastruar dhe ka qarkullim normal në segmentet që lidhin Tropojën, në aksin Hani i Hotit-Tamarë-Vermosh dhe Bogë- Theth. Në akset  Kukës - Krumë, Kukës - Ura Zapodit, në aksin Kukës – Bushtricë. Po punohet dhe shumë shpejt do të jenë të lira edhe disa akse si: Lezhë- Vau i Dejës, Qafa e Malit-Fierzë, Ura e Matit - Lezhë

Nuk ka pasur probleme sa i përket lëvizjes në akset e rrugëve në rajonin qendror dhe jugor të vendit. Janë të lira akset rrugore nacionale dhe turistike. Njëkohësisht po bëhet një kontroll i urave pas situatës së krijuar nga shirat.

Niveli i lumenjve - Niveli i lumenjve Drin (5.9 nga 7.5), Buna  (7.6 nga 8.7) është aktualisht poshtë nivelit kritik. Në Hidrovoret Droje, Shllinze, Tale, Ishull Shengjin, Gryke Zeze, Gocaj, Balldre nivelet e ujit janë nën kuotat kritike. Po monitorohet situata pa ndërprerje. Në të gjithë pjesën tjetër të vendit, në Bashkitë Durrës, Kukës, Dibër situata paraqitet normale.

Bashkitë - Të gjitha bashkitë kanë patur dhe kanë në dispozicion fondin e emergjencave prej 10 mln euro, i ndarë në proporcion me buxhetet e bashkive. Fond i cili është parashikuar edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Sipas  VKM 414 ky buxhet mund të përdoret për:

1. Shërbime të ndërhyrjes së menjëhershme në shpëtimin e jetës së shtetasve, pronës private e publike.

2. Akordimin e ndihmës financiare për familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga përmbytjet, në aspektin ndërtimor dhe orendi shtëpiake.

3. Marrjen e masave rehabilituese në objektet infrastrukturore që përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e njerëzve, pronat e tyre dhe mjedisin, të cilat ndikojnë në rikthimin e jetës normale për komunitetin e veprimtaritë e tij ekonomike.

4. Shpenzime të kryera për blerje karburanti dhe pjesë ndërrimi për automjete dhe makineri, të cilat përdoren për përballimin e situatave emergjente.

5. Mbulimin e shpenzimeve të tjera operative të kryera gjatë përballimit të ngjarjeve dhe situatave të emergjencës civile;

6. Blerje materialesh të ndryshme, që i shërbejnë veprimtarisë së strukturave të emergjencës civile në nivel vendor.

7. Mbajtjen në gatishmëri të infrastrukturës së ujitjes, të kullimit, të mbrojtjes nga përmbytja dhe digat e rezervuarëve në administrim të tyre

Ora 10:36
Zona ‘nën pushtetin’ e ujit, familja në Torovicë nuk e përcjellin dot familjarin për në banesën e fundit! Ndërhyn ushtria (VIDEO)

 

Teksa zona e Torovicës është nën pushtetin e ujit për shkak të nivelit të lartë të ujit që kalon 1 metër, një familje që ka hapur dyert e mortit nuk gjen dot zgjidhje për familjarin që është ndarë nga jeta.

Ata kanë kërkuar ndihmë nga forcat e ushtrisë që të ndërhyhet me mjete lundruese për ta përcjellë për në banesën e fundit. Rreth orës 12:00 është bërë e mundur marrja e trupit të pajetë me mjetin e ushtrisë.

Në fushën e Torovicës janë të permbytura rreth 500 hektarë tokë bujqësore si dhe janë të rrethuara nga uji shumë banesa, duke e bërë të pamundur lëvizjen e banorëve.

1669117361_WhatsAppImage20221122at12.21.36.jpeg

 

Ora 10:31
Moti i keq në Durrës/ 30 familje të izoluara brenda pallateve prej 72 orësh

 

Një bllok pallatesh në zonën e plazhit të Durrësit u përmbyt nga reshjet e ditëve të fundit. Mbi 30 familje qendruan për 72 orë të izoluar, pa mundur të dalin nga apartamentet për shkak të bllokimit të pusetave. Vetëm pasi shqetësimi i tyre u transmetua në Report Tv mbërriti zjarrfikësja dhe rrugët u pastruan nga uji.

Shkak për përmbytjet e vazhdueshme në këtë lagje janë tubacionet e shkarkimit dhe pusetat e bllokuara.

Pas transmetimit të pamjeve në REPORT TV, zjarrfikëset dhe grupe nga shtabi i emergjencave, nisën punën për zhbllokimin e pusetave dhe largimin e ujit në lagjen nr. 13 të Durrësit.

Ora 09:38
Moti i keq/ Peshkimi 'i paralizuar' në Durrës, nesër pritet të normalizohet situata

Nisur nga moti i paqëndruar që ka prekur vendin situata në Portin e Durrësit janë marrë të gjitha masat për sigurimin e anijeve që ndodhen të akostuara në kalatat portuale.

Tragetet që operojnë me linjën Durrës-Bari dhe anasjelltas, kanë mbërritur në Portin e Durrësit sipas parashikimeve. Nisjet mbrëmjen e kaluar nga të dyja anët e Adriatikut janë bërë më herët se parashikimi, me qëllim mbërritjen më herët në Portin e Durrësit/Barit, kjo si rrjedhojë masava të mara nga autorietet detare dhe njoftimit për rritjen e forcës së detit, erës dhe lartësisë së dallgëve në det të hapur (DPD, 21.11.2022: Duke filluar nga mesnata era do të jetë me drejtim Jug-JugPerëndim. 

Anijet e peshkimit nuk kanë vijuar aktivitetin e tyre deri në një urdhër të dytë për përmirësim të kushteve të motit.

Përmirësimi i kushteve të motit pritet pas orës 10:00 të datës 23 nëntor 2022 dhe deri atëherë jemi në monitorim të vazhdueshëm të situatës deri në rikthimin në normalitet.

Ora 09:00
1300 Ha tokë të përmbytur në Lezhë, 1 familje e evakuuar

 

1300 ha tokë janë nën ujë në Lezhë, e ndërsa 1 familje është evakuuar. Në njoftimin zyrtar, bëhet me dije se 2 rrugë, ajo që lidh fshatin Blinisht-Superstradë (Lezhë-Shkodër) dhe në fshatin Piraj janë të pakalueshme.

“Situata në territorin e Qarkut Lezhë , ora 8:00, datë 22.11.2022. Në territorin e Qarkut Lezhe , gjatë mbrëmjes deri sot në mëngjes , kemi patur rreth 20 mm reshje.Situata e deritanishme paraqitet si mëposhtëm: Në njësinë administrative Dajç, bashkia Lezhë, kemi ulje të nivelit të ujit me rreth20cm.  Ura që lidh fshatin Gjadër me Zojs-Gramsh është e kalueshme dhe për mjetet e vogla.

Rruga që lidh fshatin Blinisht-Superstradë (Lezhë-Shkodër) vazhdon të jetë e pakalueshme si rezultat I prezencës së ujit në trupin e rrugës, kurse rruga që lidh fshatin Blinisht-Baqel është e kalueshme plotësisht. Kemi rritje të nivelit në trupin e rrugës në fshatin Piraj, e cila është bërë e pakalueshme nga mjetet. Nga ana  e Kryqit të Kuq, dega Lezhë janë dhënë ndihma ushqimore për 1 familje të evakuar në fshatin Mabë.

Në fshatin Kakarriq vazhdon të  kemi prezencë në 4 banesa, edhe pse niveli I ulit po vazhdon të ulet. Kemi 500ha sipërfaqe toke të përmbytura në fshatin Torovicë, njësia administrative Balldre, 800ha në njësinë administrative Dajç dhe Blinisht, bashkia Lezhë. Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe pandërprerje. Konkretisht  Droje, Shllinza, Tale, Ishull Shëngjin, Grykë Zezë, Gocaj nivelet e ujit janë nën kuota kritike  dhe hidrovori Balldre rreth -1.2 m. Lumi Drin është në kuotën +1.15 m nga +2.0 m kuote kritike.Lumi Gjader ka kuota të larta, ndërsa lumi Mat ka rritje të kuotave port ë papërfillshme. Në bashkinë Mirditë dhe Kurbin nga strukturat e MC nuk raportohen problematika”, thuhet në njoftim.

Ora 09:00
Përmirësohet situata nga përmbytjet në Shkodër! 1685 ha nën ujë, 26 familje të evakuuara

 

Situata nga moti i keq në Shkodër duket se është stabilizuar. Në raportin e nxjerrë nga bashkia e qarkut Shkodër thuhet se nga përmbytjet janë prekur 1685 hektarë tokë bujqësore. Rruga e Obotit dhe ujsjellësi ‘Oblika 1’ janë jashtë funksionit. Nga për,mbytjet janë evakuuar 26 familje, 99 persona në total kryesisht nga njësitë administrative: Guri i Zi (77 persona), Bërdicë (8 persona), Lagja nr4 (7 persona), Lagja nr 1 (7 persona). Ditën e djeshme duke u nisur nga përkeqësimi i situatës u evakuuan një numër i madh banorësh. 318 banorët të cilët u evakuuan ditën e djeshme jan rikthyer në banesa pas përmirësimit të situatës. 

Të akomoduar në konvikt 3 familje ( 12 persona), ndërsa pjesa tjetër tek të afërmit.

Shtëpi me prezencë uji nga përmbytjet në oborre dhe në brendësi të banesave janë 5 në total në lagjen numër katër.

Bashkia Shkodër është në gatishmëri me të gjithë kapacitetet e veta njerëzore, logjistike dhe akomoduese për t’i ardhur në ndihmë popullatës të rrezikuar nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shiut dhe shkarkimet e hidrocentraleve.

Në qarkun e Shkodrës Forcat e Armatosura dje kanë evakuuar 318 banorë të cilët janë strehuar në konvikte apo pranë të afërmve të tyre. Gjithashtu janë evakuuar 57 krerë bagëtish.

G.MO//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh