Situata e zjarreve në vend/ Xhaçka: Akte vandalizmi, u ngjajnë sulmeve të tritoleve

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka folur lidhur me situatën e zjarreve në vend. Ajo tha se pavarësisht se temperaturat janë të ngjashme me ato të vitit të kaluar, vatrat e zjarrit kanë qenë plot 243, ndërkohë që vjet nuk kishte asnjë vatër zjarri.

Xhaçka i bëri thirrje autoriteteve vendore që të kontribuojnë për prezencën e këtyre zjarreve por edhe për shmangien e tyre dhe i quajti vatrat e zjarrit akte vanalizmi duke i krahasuar me kallëpe tritoli të vendosura ndaj shtyllave të tensionit të lartë, që ndoshta si për rastësi kanë ndodhur po gjatë të njëjtës periudhë.

"Dua të ndaj sot me të gjithë qytetarët shqetësimin për situatën shumë të pazakontë që është krijuar gjatë 3 javëve të fundit me zjarret që kanë rënë në zona të ndryshme të vendit.

Është një situatë shqetësuese sepse dëmi i shkaktuar është i madh. Janë djegur deri tani mbi 245 hektarë pyje e kullota, ndërkohë që në shumë raste zjarret ende nuk është arritur të vihen nën kontroll.

Por është një situatë shqetësuese edhe sepse me dhjetra efektivë të FA janë sot duke punuar papushim, në kushte shumë të vështira dhe të rrezikshme për të shuar këto zjarre dhe sidomos për të parandaluar që ato të përhapen drejt zonave të banuara, ku dëmet mund të bëheshin shumë herë më të rënda. Përfitoj nga rasti për t’i falënderuar të gjithë ata djem e vajza për punën që po bëjnë në shërbim të komunitetit dhe ruajtjes se pasurisë së përbashkët.

Unë dua t’ju jap sot disa fakte që edhe media, por edhe qytetarët të kuptojnë më mirë përse e quaj këtë një situatë të pazakontë.

Gjatë muajit Mars janë shënuar plot 243 vatra zjarri, të shpërndara gjeografikisht në pothuajse të gjithë territorin e vendit. Mesatarisht, 8 vatra zjarri në ditë, edhe pse temperaturat kanë qenë nën 20 gradë, e madje në shumë prej këtyre zonave shumë më poshtë se aq.

Vjet, në të njëjtën kohë ky numër ka qenë 0 edhe pse kushtet atmosferike kanë qenë të ngjashme. Dhe sado të kthehesh mbrapsht në vite nuk mund të gjesh një vit tjetër me këtë frekuencë zjarresh.

Ajo që e bën këtë situatë edhe më të pashpjegueshme është fakti që këto zjarre janë akte kriminale, pra ato janë ndezur qëllimisht dhe në pjesën dërrmuese të rasteve pa asnjë arsye përfitimi prapa. Pra s’kemi të bëjmë me zjarre të vëna për të hapur kullota apo zjarre të vëna padashje duke djegur mbeturinat, etj.

Në pjesën dërrmuese këto janë akte të pastra vandalizmi, për mos ju vënë akoma një emër tjetër në mungesë të provave konkrete që do t’i zbulojnë hetimet. Janë akte që për nga logjika e natyra u ngjajnë si dy pika uji atyre sulmeve me kallëpe tritoli ndaj shtyllave të tensionit të lartë, që ndoshta si për rastësi kanë ndodhur po gjatë të njëjtës periudhë.

Në këtë situatë, kur akte të tilla jo vetëm që po shkatërrojnë pronën e përbashkët, por edhe synojnë të krijojnë një situatë alarmi e shqetësimi tek qytetarët, ju bëj thirrje të gjithë forcave politike, të gjithë politikanëve, që të na bashkohen për të denoncuar dhe për të luftuar këtë fushatë që nuk shkon në dëm të qeverisë, por në dëm të vendit.

Personalisht jam ndjerë e keqardhur dhe e revoltuar kur kam dëgjuar ndonjë syresh që është rrekur të krijojë ndonjë alibi për këtë situatë.

Nuk ka e nuk mund të ketë alibi e as justifikime për këto akte. Dhe nuk ka e nuk duhet të ketë asnjë forcë politike, pavarësisht problemeve që ajo ka, që të mbështesë duke justifikuar, apo të nxisë përmes gjuhës së konfliktit e dhunës akte, që e theksoj, nuk dëmtojnë qeverinë, por rrezikojnë të kthehen në një kërcënim real për pronën dhe jetën e qytetarëve.

U bëj thirrje autoriteteve lokale, të gjitha strukturave të njësive të qeverisjes vendore që në disa raste kanë qenë gati inekzistente përpara këtyre situatave, se,minimumi që këto struktura duhet të bëjnë me punonjësit e drejtorët, me këshilltarët bashkiakë e administratorët e kryepleqtë, pra me këtë ushtri njerëzisht që janë sot në borderotë e njësive të qeverisjes vendore, është që të informojnë në kohë për këto zjarre, të veprojnë menjëherë për parandalimin e përhapjes së tyre.

Bashkë me ta ftoj edhe të gjithë qytetarët që të na ndihmojnë duke na informuar në kohë për zjarret, por edhe duke na informuar kurdo që kanë informacion për individët e grupet që qëndrojnë pas këtyre akteve të qëllimshme kriminale.

Shqipëria është e shqiptarëve, është e fëmijëve tanë pa asnjë dallim, sot e mot,dhetëgjithë bashkë pa asnjë lloj ndasie duhet të ruajmë pasurinë e përbashkët e të mbrojmë jetën e familjeve tona, karshi çdo përpjekje për të djegur e shkatërruar atë që na ka dhuruar natyra dhe puna e përbashkët", u shpreh Xhaçka.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi