Javët e fundit në futbollin tonë, Superligë dhe Kategorinë e Parë, tema më e përfolur ka qenë ajo e gjykimit. Shumë klube janë ankuar për vendimet e arbitrave, madje është shkuar deri aty sa të gjykohet se kanë qenë me dashje. Së fundmi bëri bujë ndërprerja e takimit Skënderbeu-Bylis, me ballshiotët të cilët protestuan duke dalë nga fusha e lojës për më shumë se një minutë. Për këtë arsye, në ditën e sotme, në mbledhjen e zakonshme të arbitrave, është disktuar për këtë çështje.
“Ky seminar përkon me një situatë jo të zakonshme në arbitrim, pasi në katër javët e para të gjysmës së dytë të sezonit gjyqtarët kanë gabuar në disa ndeshje dhe ne jemi këtu për të dalë nga kjo situatë jonormale,”-deklaroi fillimisht Jareci.
Më tej Sokol Jareci, dizenjatori i arbitrave në Superligë, u shpreh se pret reflektimin e xhaketave të zeza që nesër në Kupën e Shqipërisë.

“Jemi mbledhur për të parë gabimet dhe për të dëgjuar arbitrat se përse kanë gabuar në momente të ndryshme. Ne do të tregojmë rrugën e daljes nga kjo situatë dhe t’i japim arbitrave instrumentet e duhura për të dalë nga kjo situatë, që nga ndeshjet e nesërme në Kupën e Shqipërisë,”-u shpreh Jareci.
Komente

