9 vatra zjarri mbeten ende aktive në vend, ndërsa qindra forca në terren, të mbështetura nga helikopterë dhe avionë zjarrfikës, vijojnë operacionet për izolimin e flakëve. Situata më problematike mbetet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku zjarri po luftohet me angazhim të madh njerëzor dhe ndërhyrje nga ajri.

Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes deri në orën 14:00 të kësaj të mërkure, vatrat aktive ndodhen në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë. Në operacion janë angazhuar të paktën 260 forca operacionale dhe 192 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa nga ajri po operojnë 3 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë "Air Tractor".

Në Gurë-Lurë vijon një nga operacionet më të mëdha, me mbi 220 forca nga MZSH, Forcat e Armatosura, Policia, bashkia, shërbimi pyjor, ADZM, AKMC, strukturat e emergjencave civile dhe vullnetarë. Dy avionë "Air Tractor" po ndërhyjnë nga ajri, ndërsa zjarrfikësit janë pozicionuar pranë banesave që mund të rrezikohen nga përhapja e flakëve.

Në Dajt operacionet vazhdojnë në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës dhe në Priskë të Madhe, pa rrezik për zonat e banuara. Në Drenie të Patosit po punohet për shuarjen e riaktivizimit të zjarrit, me mbështetjen edhe të 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.

Në Krujë vijon operacioni në lagjen Abaze, ndërsa në lagjen Bojë një helikopter i Forcës Ajrore po ndërhyn për mbrojtjen e banesave pranë dy vatrave të zjarrit.

Ndërkohë, në malin e Nëmerçkës dhe malin Dhëmbel në Përmet zjarret vijojnë pa rrezikuar banesat, ndërsa në malin e Moravës në Devoll vatra është izoluar dhe po mbahet në monitorim.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në total mbi 450 forca janë të angazhuara vetëm në vatrat për të cilat raportohen shifra të plota, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e jetës, banesave dhe vënia nën kontroll e të gjitha vatrave aktive.


Lajmi kryesor:

Zjarret/ Situatë kritike në Gurë-Lurë të Dibrës, flakët u afrohen banesave! 2 vatra në Krujë, ndërhyn helikopteri (VIDEO)