Situata në Greqi/ Për çfarë mund të
festojë SYRIZA në një vit pushtet?

Situata në Greqi/ Për çfarë mund të<br />festojë SYRIZA në një vit pushtet?
“Qiriu i tortës së përvjetorit të parë të pushtetit të partisë ‘Syriza’ në Greqi ngjan me dinamitin”, është titulli kuptimplotë i gazetës “Liberation”, që përshkruan me një fjali të vetme gjendjen në të cilën ndodhet Greqia, një vit pas ardhjes në pushtet të radikalëve të majtë.

Kemi ende beteja për të luftuar, ka deklaruar kryeministri Tsipras në fjalimin e mbajtur me këtë rast.

“Sot, një vit pasi ne u zgjodhëm për herë të parë, ardhje historike në pushtet, dhe disa muaj pas rizgjedhjes sonë, betejat nuk kanë mbaruar, por qëndrojnë ende para nesh”, tha kryeministri grek, Alexis Tsipras.

“Syriza” erdhi në fuqi me premtimin se do t’i jepte fund 5 viteve të dhimbshme nga masat shtrënguese të imponuara nga BE dhe FMN. Por, 6 muaj më vonë, pas negociatash të shumta, të majtët u gjunjëzuan nga presioni i huadhënësve dhe mbyllja e bankave për mungesë kapitalesh.

Megjithëse mori mbi 62% të votave në një referendum popullor për t’u thënë “Jo” masave të ashpra, Tsipras ka pranuar të realizojë një kthesë politike dhe të firmosë një memorandum të tretë të ndihmës prej 86 miliardë eurosh, që të shmangte më shumë se kurdoherë rrezikun e daljes së Greqisë nga Eurozona.

Pranoi më shumë reduktime të shpenzimeve buxhetore dhe pensioneve, rritje taksash dhe reforma ekonomike, e kjo solli një çarje të thellë me platformën marksiste të partisë së tij, e cila u nda dhe krijoi një forcë të re politike. Grekët i dhanë përsëri votën kreut 40-vjeçar shtatorin e kaluar, por me një shumicë delikate në Parlament.

“Megjithatë, shenja historike e mandatit tonë të trefishtë nuk mund të fshihet dhe as të injorohet. Europa sot, një vit më pas, nuk është e njëjtë pas eksperiencës së vështirë të negociatave greke”, tha kryeministri grek, Alexis Tsipras.

Dita e përvjetorit e gjen Tsiprasin dhe partinë që ai udhëheq, përballë qindra e mijëra fermerëve, që kanë dalë në rrugët nacionale të vendit me traktorët e tyre, duke protestuar kundër reformës së pensioneve dhe sistemit të taksave që përpiqet të votojë qeveria, si kusht nga huadhënësit për vazhdimësinë e ndihmës financiare.

E gjen gjithashtu përballë mijëra juristëve, mjekëve dhe nëpunësve të sektorëve të shkencave, që vazhdojnë protestat e tyre. E gjen edhe përballë sindikatave të sektorit shtetëror dhe atij privat, që kanë shpallur javën që vjen një grevë të përgjithshme, e treta brenda vetëm dy muajve.

Sipas analistëve, tashmë janë të paktë ata që besojnë se Tsipras do të mund të gjejë formulën e artë për të kënaqur huadhënësit dhe për të mos zhgënjyer përsëri, siç edhe politikanët e tjerë në vitet e kaluara, grekët, që kanë kaluar tashmë 5 palë zgjedhjesh të përgjithshme në 6 vitet e fundit dhe ende ndodhen në krizë të rëndë ekonomike.

Protestat

Fermerët kanë bllokuar pika doganore në Greqinë e Veriut, duke përfshirë edhe ato me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bullgarinë, kanë mbyllur në mbrëmjen e së mërkurës për disa orë edhe rrugën kryesore që lidh Athinën me Selanikun pranë Larisës dhe kanë ngritur blloqe me traktorët e tyre në autostradën Egnatia,në Greqinë Qendrore, në Peloponez, në Janinë dhe Arta e deri në kufijtë me Turqinë.Duke  kërkuar më shumë lehtësime për sistemin e taksave,ata nuk pranojnë më të negociojnë me ministrin e Bujqësisë, por duan të bisedojnë vetëm me kryeministrin grek, Aleksis Tsipras.
"Qeveria po planifikon masa shtrënguese për fermerët e vendit duke filluar nga reforma e pensioneve ku trefishon kontributin personal dhe më pas me sistemin e ri të taksave të cilat, duke u kombinuar, u marrin bujqërve 85% të të ardhurave të tyre", tha një fermer.
Ndërkohë, për të dytën herë brenda një jave kanë mbushur rrugët e Athinës avokatët grekë, mjekët, inxhinierët dhe nëpunësit e sektorëve shtetërorë të vendit kundër reformave të qeverisë.

 Dështimi

Syriza erdhi në fuqi me premtimin se do t’ujepte fund masave shtrënguesetë BE-FMN. Por 6 muaj më vonë, të majtët u gjunjëzuan nga presioni i huadhënësve dhe mbyllja e bankave për mungesë kapitalesh.
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai! Rivalët ofruan 1 mln euro për ‘kokën’ e tij

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai! Rivalët ofruan 1 mln euro për ‘kokën’ e tij