Takimi i ambasadorëve të BE-së, hiqet nga agjenda liberalizimi i vizave për Kosovën! Presidenca çeke: Nuk është momenti! Ka tensione në veri

Takimi i ambasadorëve të BE-së, hiqet nga agjenda liberalizimi i vizave për Kosovën! Presidenca çeke: Nuk është momenti! Ka tensione në veri

Foto ilustruese

Propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, u hoq nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. Arsyet për këtë janë politike dhe lidhen me situatën në veri të Kosovës.

"Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] nuk është ideale", tha presidenca çeke e BE-së në njoftimin për shtyrje.

Sipas saj, diskutimi për këtë çështje do të mbahet më 30 nëntor. Situata në veri të Kosovës është tensionuar, për shkak të vendimit të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave që bartin targa ilegale serbe. Serbët në veri, të kontrolluar në masë të madhe nga Beogradi zyrtar, i kundërshtojnë targat e Kosovës, RKS, dhe kanë paralajmëruar rezistencë ndaj tyre.

Me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për shtyrje të procesit të riregjistrimit, Kurti nuk ka hequr dorë. Aktualisht është e pezulluar - deri më 24 nëntor - faza e dytë e planit të tij, në përpjekje për t'i dhënë shans gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët.

Çfarë ndodhi më 22 nëntor në Bruksel?

Të martën e 22 nëntorit, këshilltarët për viza në Këshillin e BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024. Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës - njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës - pasi presidenca çeke e BE-së kishte propozuar fillimisht datën 1 dhjetor, 2023.

Sipas propozimit të ri të miratuar, "hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024". Miratimi i këtij propozimi pritej të dilte në rend dite në takimin e sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, për të vazhduar më pas nëpër instanda të tjera.

Liberalizimi i vizave do t'u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane. Aktualisht, Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.

Kjo, përkundër faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.

Ku buron lidhja me sistemin ETIAS?

Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor, zyrtarët francezë propozuan që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e të ashtuquajturit sistem ETIAS. Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. ETIAS është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023../REL

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Tiranë, përplasi me makinë policin e Patrullës që ishte në shërbim, arrestohet 21 vjeçari

Tiranë, përplasi me makinë policin e Patrullës që ishte në shërbim, arrestohet 21 vjeçari