Më 20 janar 2012, ky grup investitorësh u prit edhe në zyrën e kryeministrit Sali Berisha, ku kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm të japë dritën jeshile për investime të tilla, aq më tepër që amerikanët synojnë edhe sektorë të tjerë.
Presidenti i Grupit "SIVA Partners", Simon Elyakim, i prezantoi më 20 janar kryeministrit Berisha projektin "The Millennium Casino & Resort", që konsistonte në ndërtimin e një resorti turistik me vila dhe hotele, fusha tenisi, golfi dhe kazino. Ky projekt, tha ai, është rezultat i klimës tërheqëse të biznesit në Shqipëri, i gjeografisë së saj dhe klimës shumë tërheqëse për turistët. Ai synon krijimin e një qendre të madhe turistike në Ballkan. Po kështu, ai prezantoi portofolin e interesave të grupit për investime në Shqipëri në fushat e infrastrukturës, në rrugë, hekurudha, ku përfshihet edhe hekurudha Shqipëri-Kosovë, si dhe vepra të tjera si tunele, porte, në fushën e hidrokarbureve, përfshirë edhe privatizimin e Albpetrolit, etj, si dhe realizimin e tramvajit në Tiranë. Si zakonisht, para propozimeve të tilla, Berisha është ngazëllyer, duke thënë se kanë bërë shumë mirë që kanë përzgjedhur Shqipërinë, pasi qeveria e tij ka bërë shumë për të krijuar një klimë të përshtatshme për investimet e huaja.
AKSIONERET
Pas këtyre shifrave marramendëse fshihet një kompani - pak të thuash - modeste në tregun amerikan dhe botëror të të patundshmeve dhe investimeve, që mund të mburret deri tani vetëm me një hotel-vilë dykatësh në San Paolo të Brazilit. "Shtyllat" e këtij grupi të pretenduar janë dy shqiptarë: Valentin Gurraj (29 vjeç) dhe Gjergj Frangaj, rezidentë në SHBA. Ky i fundit është pronar i një kompanie punimesh mermeri, me dy punonjës dhe me 304 mijë dollarë shitje të deklaruara gjatë një viti, sipas të dhënave nga organet tatimore të Amerikës. Pavarësisht nga drejtuesit amerikanë, apo nga deklarimi se nuk kanë nevojë për financime nga bankat, pasi grupi zotëron një fond financiar të quajtur "Forefront Capital", kjo ndërmarrje është themeluar nga Gurraj më 2010-ën në SHBA dhe është regjistruar edhe në Qendrën shqiptare të Regjistrimit (QKR) si biznes në dhjetor 2011 me po këtë emër në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit si një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (SHPK) e thjeshtë vetëm më 18 dhjetor të vitit të kaluar. Si objekt të saj ka deklaruar financimin, projektimin, ndërtimin, komisionimin, ndërmjetësimin, mirëmbajtjen, administrimin, menaxhimin, zhvillimin e projekteve ndërtimore dhe infrastruktore për qëllim civil, shitblerjen dhe dhënien me qira të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme. Valentin Gurraj, qytetar shqiptar, ish-gazetar, lindur në Shkodër 29 vjet më parë, e shpall veten pronar i vetëm i kompanisë me 100 mijë lekë të vjetra kapital. Përfaqësues ligjor i saj është Oltjan Hoxholli, jurist, që ka punuar në Bankën Kombëtare Tregtare më parë, si dhe në një studio ligjore private. Kompania ka përfaqësues të saj në vendin tonë edhe në qytetet e Vlorës dhe të Sarandës.
Me këtë prtofol ajo duhet të ketë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të dalë në skenë kaq shpejt dhe për të bindur investitorë tepër dyshues në këtë situatë botërore të ekonomisë që të hedhin para në Shqipëri.
Megjithatë, në vitin 2009 shumëkush mund të kujtojë një reklamë shumë të përsëritur në TV se shitje tokë shtetërore në Pishë-Poro të Vlorës. Por, a mjafton blerja e saj që të marrësh OK nga kryeministri për kulla binjake më 75 kate? Ndërkohë, nuk ka asnjë vendim nga KRRTRSH për dhënie të lejes për këtë projekt.
(Ne foto projekti Projekti i resortit turistik me porte jahtesh, vila, hotele dhe kazino në Pishë-Poro të Vlorës)
(Shkrimi eshte botuar me 29 janar 2012 ne gazeten "Shqiptarja.com)