Skënderbeu bën detyrën ndaj Teutës
sytë nga derbi Partizani - Tirana

Skënderbeu bën detyrën ndaj Teutës<br />sytë nga derbi Partizani - Tirana
Skënderbeu është me një dorë te titulli kampion i pestë, pasi kaloi një tjetër kundërshtar. Korçarët mundën ekipin e Teutës në shtëpi me rezultatin 4-2. Ndeshja nisi ashtu sikur pritej për ekipin e Skënderbeut, që shënoi në të 33’ me Latifin duke hapur serinë e golave, por pjesa e parë u mbyll në barazim me golin e Kotobellit dy minuta nga fundi. Vendasit nuk pajtohen me rezultatin duke shënuar shumë shpejt dy gola me fillimin e pjesës së dytë me Martins dhe Berishën.

Avantazhi qetëson trajnerin Josa, ndërsa Teuta detyrohet që të pranojë supermacinë. Megjithatë në të 53’ ngushtojnë diferencën me Peposhin duke krijuar shpresën se mund të dilnin me një pikë.

Shpresat marrin fund shumë shpejt, pasi kapiteni Bledi Shkëmbi në të 76’ vulos gjithçka me golin e katërt. Pas fitores Skënderbeu ecën i qetë drejt titullit, teksa nëse të hënën Partizani do të mundë Tiranën hap shampanjën për herë të 5 radhazi në 5 vitet e fundit me dominim absolut.

Kukësi-Apolonia 2-1
Radanovic e nisi me këmbë të mbarë aventurën në ekipin e Kukësit duke fituar me Apoloninë minimalisht 2-1. Fierakët ashtu sikur gjithë edicionin zhvilluan një ndeshje pozitive, por në fund ishin vendasit që fituan duke mos lejuar dy humbje radhazi.

Fitorja pothuajse i siguron Kukësit pjesëmarrjen në Europa League, ndërsa për Apoloninë misioni për të siguruar mbijetesën bëhet akoma më I vështirë, pasi nuk përfituan nga humbja e ekipit të Teutës në Korçë.

Përsa i përket kronikës së ndeshjes, autorët e golave për Kukësin ishin Zeqiri dhe Hysa, ndërsa për Apoloninë në minutat e fundit të shtesës shënoi golin e nderit Ribaj, që vlen vetëm për statistika. Ndërsa nisja e aventurës me fitore ka bërë që tifozët të pranojë faktin që drejtohen nga një serb, që u kontestua fillimisht.

Laçi – Flamurtari 2-1
7 fitore radhazi në shtëpi dhe shpresë për të arritur Europën edhe përmes kampionatit për Laçin pas 33 javësh që ka zhvilluar këtë edicion. Ekipi i Cungut ka qenë mjaft simpatik këtë edicion duke dominuar përballë të gjithë ekipeve, madje edhe pretendentëve.

Ndoshta në edicionin e ardhshëm bardhezinjtë mund të konkurrojnë edhe për titullin kampion, pasi niveli ka ardhur gjithmonë në rritje, shumë larg dhunës dhe kërcënimeve të para pak viteve. Fitorja e radhës ishte përballë kuqezinjve të Vlorës dhe heroi ishte Xhejms.

Dy gola mjaftuan për të mundur Flamurtarin, i cili barazoi fillimisht me golin e talentit Bregu, por goli i tij nuk mjaftoi për asgjë. Nga Flamurtari i këtij edicioni ka spikatur vetëm talenti Bregu, që shënoi golin e 4 në ndeshjet e zhvilluara në fazën e 4. Si për ironi të faktit u desh që të mbinte kriza në Vlorë që të zbuloheshin talentet.

Elbasani-Vllaznia 1-1
Barazim pa vlerë në ndeshjen Elbasani-Vllaznia të zhvilluar në Pogradec për shkak të punimeve që po realizohen në stadiumin e verdhebluve.

Pas shumë javësh Gilman Lika ka lënë gjurmë me Vllazninë duke shënuar në pjesën e dytë të ndeshjes, por nuk ishte e thënë që t’i jepte ekipi të tij tre pikët e plota, pasi Grabova në minutën e parë shtesë në fundin e ndeshjes barazoi gjithçka. Vllaznia është e qetë, pasi ka siguruar mbijetesën, ndërsa Elbasani po u jep mundësi të rinjve duke menduar për edicionin tjetër një kategori më poshtë.


d.balla/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Ersekë/ Humbi kontrollin e automjetit dhe doli nga rruga, plagoset shoferi dhe pasagjerja

Ersekë/ Humbi kontrollin e automjetit dhe doli nga rruga, plagoset shoferi dhe pasagjerja