Skënderbeu është eliminuar nga Champions League pas barazimit me rezultatin 1-1 me BATE Borisov në Korçë. Kampionët e Shqipërisë nuk ia dolën që të vazhdojnë në turin e tretë paraeliminator të kompeticionit më elitar për klube, pasi ndeshja e parë në Bjellorusi përfundoi me rezultatin 0-0 duke favorizuar BATE-n me barazimi me gola në ndeshjen e kthimit.

Ndeshja në Korçë u zhvillua në një atmosferë të jashtëzakonshme, pasi i gjithë qyteti juglindor kishte mbushur stadiumin. Ndeshja nisi e mirë për ekipin e Josës falë edhe mbështetjes maksimale nga lojtari i 12-të, por bjellorusët shfrytëzojnë eksoperiencën në një garë të tillë duke ruajtur qetësinë dhe shënuar në minutën e 29 të pjesës së parë me Olekhnovich.

Pas një topi të gjatë në zonën e rreptësisë së Skënderbeut përfiton Olekhnovich që kërcen me kokë, gjuan topin drejt portës, traversë dhe në fund rrjetë. Goli vendos heshtjen në stadium, por nuk shuan shpresën për të barazuar edhe pse pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin e miqve nga lindja.

Në pjesën e dytë të besuarit e trajnerit Mirel Josa zbresin në fushë më të karikuar duke u zhvendosur totalisht në gjysmëfushën kundërshtare në kërkim të golit të barazimit, të cilin e gjejnë me Radas në minutën e 68’. Radas ekzekuton goditje dënimi nga distanca e rreth 35-metrave, topi shkon në duart e portierit, i cili nuk tregohet i saktë në pritjen e sferës duke përfunduar në rrjetë dhe barazuar rezultatin.

Barazimi ngre në peshë stadiumin me shpresën për golin e dytë dhe të kualifikimit, por edhe pas përpjekjeve të shumta deri në fund miqtë mbrojtën me fanatizëm barazimin duke kaluar në turin tjetër. Ndërsa Skënderbeu largohet me kokën lart nga Champions League pasi zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë.


d.b/shqiptarja.com