LUSHNJË- Dhjetëra hektarë lakër e bardhe dhe kuqe, e cilësisë së parë ka mbetur në fushat e Divjakës ende pa shitur për shkak se nuk ka treg për ta eksportuar. Nga Divjaka, gazetari i Report Tv, Hyrjet Saliasi tha se janë shitur vetëm 15 % e sipërfaqes së mbjellë me lakër në të gjithë zonën e Myzeqesë.

Fermerët pohojnë se 1 kg lakër tregtohet me 7 lekë për kg, çmimi ky që nuk u vjen përshtat, pasi vetëm një fidan lakër që e blejnë për ta mbjell, pa llogaritur koston bujqësore të prodhimit, kushton 4.5 lekë. Ato thonë se nuk arrijnë që të mbulojnë as koston e prodhimit, e paralajmërojnë se me këtë çmim më mirë e groposin.

‘Sot me 6-7 lekë është shitur. Kostoja ka vajtur sa të duash. Meqë nuk e hodhëm të marrim sa të marrim! Të paktën të nxjerrim plehrat bujqësore. Jemi me humbje, por nuk kemi se çfarë të bëjmë. Sivjet shumë më keq. Plehrat rriten shpenzimet e mëdha.’- u shpreh një fermer.

Një tjetër fermer foli sërish për koston e lartë të prodhimit.

‘Lakra sivjet nuk ka interes, kostoja shumë e lartë. Plehrat janë të shtrenjta. 4.5 lekë fidani. Nuk është vetëm fidani janë edhe shërbimet e tjera, spërkatja, fuqia punëtore. Lakra nuk vlen fare. Vitin tjetër ka ecur.’- u shpreh një tjetër.

Ndërkohë një tjetër fermer thotë se do të frezojë tokën, pasi me këtë çmim nuk i del interesi.

‘Nuk me leverdis me këto çmime. Mendoj se do ta frezoj sepse nuk me del interesi. Po të rri unë 3 ditë dhe nuk e shes do mendoj se ku ta hedh.’- u shpreh një fermer.

Në një interviste për ‘Studio Live’, eksperti i Bujqësisë Ervin Resuli, tha se Ministria e Bujqësisë duhet që të gjejë një zgjidhje për mbrojten e fermerëve duke krijuar një fond garancie për to. Sipas Resulit të paktën fermerët të rimbusohen për koston e mbjelljes.

‘Është për të ardhur keq që dëgjon që mundi fermerëve të shkoj dëm, mos të vlerësohet apo mos të ketë atë çmim që minimalisht të ishte garantuar kostoja e prodhimit. Lakra kokërr këtë vit pa pasur edhe probleme për shkak të rritjes. Ajo ka bërë që të ketë edhe një lloj mbiprodhimi. Sivjet dimri nuk ka qenë i ashpër dhe janë eksportuar tranguj e domate dhe ka bërë që të jetë jashtë vëmendjes së eksportuesve. Në na duhet zgjidhja. Zgjidhja do të ishte një mekanizëm i Ministrisë së Bujqësisë në raste se do të bënte një fashë mbrojtje në raste kur kemi sezone të kësaj natyre. Të kenë një fond garancie. Kjo pasi pas një muaji a dy muaj mund të jemi përballë një situatë të ngjashme edhe me luleshtrydhen. Fermerët të paktë të rimbursohen për kostot e mbjelljes.’- u shpreh Ervin Resuli.