DURRËS- Pas mbylljes së landfillit në Porto Romano dhe skadimit të marrëveshjes një javore pa asnjë kosto me Sharrën, Gjiri i Lalzit është parë si një mundësi për depozitimin e mbeturinave, por një gjë e tillë ka hasur rezistencën e banorëve. Ditën e sotme disa punonjës të ndërmarrjes së pastrim gjelbërimit kanë shkuar për të parë një shesh depozitimi në këtë zonë, por ka qenë i menjëhershëm reagimi i banorëve të cilët e kanë kundërshtuar, për pasojë kanë shkuar edhe forca policie me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatës.

Në video që Report Tv sjell, dëgjohet teksa një nga punonjësit shprehet se "patjetër që për këtë çështje do të merret edhe pëlqimi i banorëve", por këta të fundit shprehen skeptik. Sipas tyre, kjo është një zonë turistike, që do i dëmtonte shumë.

Durrësi ndodhet në gjendje të emergjencën mjedisore, i pushtuar nga mbeturinat. Kjo erdhi si pasojë e e mbylljes së vend-depozitimit të mbeturinave në Porto Romano.  Për shkak të kostos së papërballueshme për t'i çuar mbeturinat në Sharrë, Bashkia Durrës vendosi t'i dërgonte në Manëz. Kjo shkaktoi protesta të banorëve duke bllokuar kamionët me mbeturina pasi tymi dhe era e keq po u merrte frymën dhe djegia e tyre ndodhet pranë banesave ku jetojnë. Si zgjidhje provizore u vendos dërgimi i mbeturinave në Tiranë, ku për një javë, u nënshkrua një marrëveshje me landfillin e Sharrës, por afati i marrëveshjes falas përfundon ditën e nesërme.