TIRANE - Krybashkiaku në një intervistë për Shqiptarja.com lëshon akuza mbi qeverinë se po pretendon të përfitojë, duke shkelur ligjin mbi zonat turistike në vend, që vetë qeveria i ka përfshirë në zonat e mbrojtura me ligj.
 
Sa i lejueshëm është vendimi i Këshilli Kombëtar i Territorit dhe a do të gjejë mbështetjen e qeverisë vendore në këtë zonë?
Kjo është jashtë kontrollit tonë. Ligji për zonat e mbrojtura është taksativ dhe nuk lejon prekjen e tyre. Ligji e qartëson saktë që ndalohet ndëryrja në këto zona. Kjo është veprimtari e paligjshme e marrë në një kohë jo të përshtatshme për qeverinë aktuale. Pa pyetur asnjë autoritet vendor e as popullin e kësaj komune. Thjesht kanë mashtruar në këshillin e komunës se do investojnë për shkolla a gjëra të tjera për të marrë ndonjë miratim në heshtje.

Unë nga kryetari i komunës Petran kam konfirmimin se nuk e kanë miratuar dokumentin. Por gjithësesi ajo nuk është vetëm një pasuri e komunës, por një pasuri publike. Kjo meriton një debat më të gjerë sepse është pasuri që mund të shtrytëzohet për turizëm, për qëllime të tjera të trashëgimisë kulturore dhe natyrore si dhe për përfitime ekonomike të prodhimit të energjisë. Në këtë komunë ka shpella historike, ka ujra termale, ka dhe një kanion që është unik, të cilat janë burime shprese vetëm për njerëzit që jetojnë këtu për zhvillime për vitet e ardhshme.

Këto janë me vlera të jashtëzakonshme, të cilat tani po kërkohen që të shkatërrohen. Është diçka që është krijuar prej kohësh dhe jo tani. Është një kanion që shkon me gjerësi deri në 2 metra e një lartësi 150 metra si dhe 6 km i gjatë. Në këtë zonë janë ujërat termale të Bënjës, kanioni i krijuar për miliona vite nga natyra, shpella të famshme me bukuri natyrore dhe të banuara 3500 vite. Të gjitha këto të shitura për pak mega energji.

Çfarë roli luani ju dhe banorët e kësaj zone në këtë rast?
Për këto nevojitet miratim nga publiku, autoritet vendore nga debatet e hapura me komunitetin. Ata bëjnë formularë të gatshëm, falsifikojnë letrat sikur e kanë pyetur komunitetin, ndërkohë që kjo gjë s`ka ndodhur. Thelbi i të gjithave është se ajo është zonë e mbrojtur dhe ligji për këto zona thekson se nuk lejohen absolutisht ndërtimet.

Cili ligj ndalon punimet në këtë zonë?
Ky është ligji 8906 për zonat e mbrojtura. Në nenet e tij ky flitet për territoret e mbrojtura, ku ato klasifikohen edhe në disa kategori se çfarë është zonë e mbrojtur natyrore, çfarë është monument natyre dhe çfarë është park kombëtar. Ky vend që ka projektuar qeveria njëkohësisht ndodhet brenda një zone që është shpallur park kombëtar. Bëhet fjlë për nenin 5,6 dhe 7 të këtij ligjit të mësipërm për zonat e mbrojtura.

Pra ju thoni se vetë qeveria po shkel ligjin?
Po sigurisht. Ata po japin leje komplet në shkelje të ligjit. Unë kam dëgjuar dhe nga biseda private dhe me ministrin Genc Ruli me premtime boshe në atë komunë që bënte dhe karagjozin, ku ka thënë se “kur ka qenë ministër i Ekonomisë atij nuk i është lejuar që të ndodhë ngritja e hidrocentraleve. Është një skandal që është bërë në fshehtësi të plotë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)