Skandali i Jugut, BB: Qeveria
po fiton gjyqet e Jalës

Skandali i Jugut, BB: Qeveria<br />po fiton gjyqet e Jalës
Gjykatat po favorizojnë Ekzekutivin për të nxjerrë veprimin arbitrar të qeverisë shqiptare me prishjen, në prill të vitit 2007, të shtëpive dhe objekteve të tjera tregtare në Jalë të Himarës, si të ligjshëm. Kjo është konstatuar në raportin më të fundit të Bankës Botërore, e cila është palë në këtë çështje, duke qenë se prishjet u bënë në kuadër të projektit që po menaxhon ajo, i cili synon pastrimin dhë përmirësimin e kushteve të bregdetit shqiptar, për ta bërë atë më joshës për turizmin dhe më të përshtatshëm nga pikëpamja mjedisore për banorët.
Raporti mban datën 13 janar 2012 dhe është i katërti që merr në analizë detyrat e vëna nga Paneli i Inspektorëve të Bankës Botërore, pas skandalit jo të vogël që shkaktoi lënia e familjeve pa strehë nga Inspektoriati i Ndërtimit, që shfrytëzoi të dhëna satelitore të ofruara nga Banka Botërore. Një grup inspektorësh, të dërguar në Shqipëri nga selia qendrore e Bankës Botërore në Uashington më 2007, hetuan lidhur me akuza për korrupsion dhe mungesë të trasparencës të zyrtarëve të BB me qendër në Tiranë. Projekti ishte iniciuar nga Banka Botërore me qëllim mbrojtjen e zonave bregdetare shqiptare, por mbi të ranë dyshime të forta se duhet të jetë përdorur nga qeveritarët shqiptarë për të prishur në mënyrë përzgjedhëse pjesë të një fshati në jug të vendit, duke lënë shumë familje pa strehë.

GJYQET
Qeveria shqiptare ka rënë dakord me Bankën Botërore që qytetarët e mbetur pa strehë në këtë rast të marrin asistencë ligjore me avokatë nga BB në procese të rregullta gjyqësore, që do të zhvillohen pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me avokatë të paguar me fondet e institucionit ndërkombëtar. Gjatë vitit 2010, është vënë re se kanë përfunduar dy gjyqe, I pari është mbyllur më 23 nëntor 2010 për arsye proceduriale dhe në rastin e dytë, më 11 dhjetor 2010, gjykata ka dhënë vendim në favor të qytetarit paditës. Por, situata ka ndryshuar më tej, konstaton raporti i BB. Janë katër procese të tjera, për të cilat gjykata e Tiranës ka dhënë vendime në favor të qeverisë, më datat 29 mars 2011, 2, 5 dhe 30 maj 2011. Të gjashtë rastet kanë kaluar në proces apelimi. Nuk ka data për gjyqet në apel. BB ka marrë përsipër të paguajë shpenzimet e qytetarëve edhe për procesin në apel.
Në total, janë zhvilluar deri tani 100 seanca gjyqësore lidhur me të nëntë paditë e qytetarëve të Jalës, në një numër prej të cilave ka marrë pjesë edhe vëzhguesi i pavarur i pajtuar nga Banka Botërore për të ndjekur procedimin. Vëzhguesit nuk kanë vërejtur parregullsi në procese, por venë në dukje se gjatë seancave janë konstatuar mungesa të shpeshta të avokatëve të shtetit apo gjykatësve, transferim të gjyqtarëve, kërkesa të përsëritura të palëve për shtyrje seancash sa të njihen me dokumentat, etj. Kjo, sipas BB, ndodh shpesh në praktikën gjyqësore shqiptare.

BANKA
"Që nga menaxhimi bazë I projektit deri tek ndërveprimet me Bordin dhe Panelin e Inspektimit, të dhënat e Bankës për Projektin janë shokuese," tha më 2008 presidenti I Grupit të Bankës Botërore Robert B. Zoellick, i cili i kërkoi në detyrë të Bankës që të hetojë çështjen.
"Ne i marrim shumë seriozisht shqetësimet e ngritura nga Paneli i Inspektimit dhe po lëvizim shpejt për të forcuar mbikëqyrjen, për të
përmirësuar procedurat dhe për të ndihmuar familjet, të cilave u janë prishur ndërtesat e tyre. Banka nuk mund ta lejojë këtë të ndodhë përsëri", shtoi Zoellick.
Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka pranuar se janë bërë gabime serioze në përgatitjen dhe mbikëqyrjen e projektit të Bregdetit të Jugut të Shqipërisë, që janë materializuar në prishje banesash në Jalë pranë Himarës, si dhe gabime në komunikimin me Bordin e Bankës Botërore. Hetimi për mënyrat e zbatimit të Projektit të Menaxhimit të Integruar dhe Pastrimit të Zonës Bregdetare ishte kërkuar nga familje të dëmtuara prej prishjeve të ndërtesave.
Sipas Planit të Veprimit, masat që do të merreshin përfshinin: një shqyrtim ligjor rast pas rasti të prishjeve në zonën e projektit në prill 2007, caktimin
e një vëzhguesi ndërkombëtar për të monitoruar shqyrtimin ligjor dhe për të raportuar më pas në Bankë, si dhe pagesën e ndihmës ligjore për shqyrtimin e secilit prej pretendimeve të kërkuesve.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve