Skandali me lumenjtë, “Fiks Fare”:
Me 3000 euro pronar i lumit

Skandali me lumenjtë, “Fiks Fare”:<br />Me 3000 euro pronar i lumit
TIRANE- Emisioni investigativ “Fiks Fare” në Top-Channel denoncoi dje një tjetër skandal që ka lidhje me gërryerjen e lumenjve dhe implikimin e zyrtarëve shtetërorë në shkatërrimin që i bëhet mjedisit.

Kamera e “Fiks Fare” solli për qytetarët se si funksionon kjo aferë. Ku drejtuesve të lartë të administratës mjafton tu paguash 3000 euro dhe të vënë gjithë lumin në dispozicion.

Gazetarët e Fiks Fare fillimisht kontaktuan me firmat që punojnë direkt në lumin Mat. Prej andej mësuan rrugën që duhet të ndjekësh për të marrë një leje, jo zyrtare, për të marrë materiale inerte në lumë. Investigimi i gazetarëve të emisionit Fiks Fare ka shkuar me tej këtë radhë, duke kërkuar që edhe ata të marrin inerte nga shtrati i lumit duke tentuar që të futen vetë në lumë, për të dërguar ekskavatorë dhe makineri. Për të marre leje gazetarët kanë kontaktuar drejtorin e Baseneve të Qarkut të Lezhës, njëkohësisht edhe kryetar i PD-së këtij qarku, zotin Pashk Ndoci. Ai i ka pritur gazetarët në zyrën e tij, të cilët janë prezantuar si përfaqësues të një kompanie që kërkon të marrë materiale inerte nga lumi për ndërtimin e një ndërtese.

Gjatë bisedës, gazetarët e prezantuar si përfaqësues të një kompanie investuese, kërkuan që të merrnin 2.000 – 3.000 metër kub zhavorr të palarë në lumin Mat.
Në bisedën e parë, drejtori i Baseneve të Lezhës nuk ka pranuar të bëjë një marrëveshje, duke cituar vendimin e Këshillit Kombëtar të Ujit, i cili ndalon shfrytëzimin e shtretërve të lumenjve deri në datë 31 maj. Por u jep nr. e telefonit të një biznesmeni, i cili ka një firmë inerte që ka mbledhur rezerva gjatë periudhës që lejohet shfrytëzimi i lumenjve.
Duke u prezantuar si persona të rekomanduar nga drejtori i Baseneve të Lezhës, gazetarët e Fiks Fare kanë mundur të takojnë pronarin e firmës që merr materiale inerte nga shtrati i lumit Mat. Pronari i kësaj pike tregon se edhe për shfrytëzimin e lumit nga ana e tij, në një zonë e cila është e ndaluar, midis urave, ai ka paguar. Ndërsa u ka treguar gazetarëve rrugën që ata duhet të ndjekin për të siguruar dy mijë metër kub zhavorr pa shumë mundime. Ai u ka rekomanduar që të rikthehen sërish tek drejtori i Baseneve të Lezhës, zoti Pashk Ndoci, për t’i kërkuar atij që të t’u mundësojë marrjen e inerteve në mënyrë të jashtëligjshme kundrejt një pagese.

Gazetarët e Fiks fare realizuan takimin e dytë me Drejtorin e Baseneve të Lezhës sërish në zyrën e tij.
Gjatë kësaj bisede, drejtori I baseneve të Lezhës, ju ka ofruar një tjetër ndihmë gazetareve. Sipas tij, ai do të bisedonte me kryeinspektorin e ndërtimit, z.Gazmend Osmanin, për të marrë leje dhe për të mos lejuar policinë të ndërhynte për të penguar shfrytëzimin e këtij shtrati të lumit. Por për të marrë një leje të tillë, sipas zotit Ndoci, “duhet paguar”. Ai i ka drejtuar gazetarët tek një person me emrin Leka, që ka një lokal në Linzë të Tiranës. Sipas drejtorit të Baseneve të Lezhës, ky person mund t’ju siguronte lejen që kërkonin.

Gazetarët e Fiks Fare kanë kontaktuar me personin me emrin Leka që u ka rekomanduar drejtori i Baseneve të Lezhës. Gjatë bisedës, Leka ka pranuar të ndërhyjë tek kryeinspektori i INUK-ut dhe garanton sigurimin e lejes së paligjshme, kundrejt një pagese prej tre mijë eurosh. Ky është një tjetër skandal në vijim të skandaleve të zbuluara nga “Fiks Fare” ku zyrtarë të lartë shtetërore jnë përfshirë në afera të pastra .
(ns/ TCH/ shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)