Skandali me mikrokreditë, Sejko: BSH ka respektuar ligjin! Kreditë e këqija ishin rrezik kombëtar

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë shpjegoi në Kuvend rolin e BSH-së për skandalin e mikrokredive dhe nënvizoi se ka një keqkuptim nga prokuroria e Tiranës. Sipas Sejkos roli dhe funksioni janë përcaktuar në ligj dhe është respektuar ligji. Sejko theksoi se situata me kreditë e këqija ishte rrezik kombëtar dhe u bë në bashkëpunim me FMN. Guvernatori tha se nuk ka asnjë skemë piramidale në lidhje me mikrokreditë pasi sipas tij ende paratë janë tek klientët.

'Praktikisht doja të sqaroja se materialin e prokurorisë që ju lexuat unë nuk e kam. Kam një material tjetër po nga prokuroria e Tiranës që i referohet kësaj çështjeje dhe e pushon çështjen. Kam dhe disa materiale, kallëzime të bëra nga i njëjti përmbarues që janë pushuar. Ky është një proces që ka kaluar në SPAK. Jemi në dispozicion të institucioneve të drejtësisë për ço lloj informacioni.

Materiali i prokurorisë, që unë s'e kam por ju e lexuat ka një keqkuptim të madh për rolin e BSH-së dhe funksionin e saj dhe i ka kthyer në dyshim për akuzë penale.

Roli dhe funksioni i BSH-së janë përcaktuar në ligj e rregullore dhe unë ju garantoj se është respektuar strikt të gjitha kërkesat ligjore dhe rregullative në këtë proces. Të gjitha ata që kam parë në media copa copa janë të gabuara.

Niveli i kredive me probleme në 2015 (Shënim redaksional: Sejko lapsus me vitin, thotë 2025) ka qenë shumë alarmant. Është quajtur çështje e sigurisë kombëtare. Në rreth 4 miliardë e ca euro depozita, 1.2 miliardë euro kredi të pakthyera ishte realisht shumë alarmante. Unë sapo isha emëruar (Shënim redaksional:  U emërua më 5 shkurt 2015) e FMN që në javën e parë të emërimit, një nga detyrat më kërkoi që të pastrohen bilancet e bankave nga këto kredi pasi cënohej stabiliteti financiar, dmth depozitat e klientëve.  Në Republikën e Shqipërisë në 11 banka kemi 1.9 mln depozitues me sot 16 miliardë euro depozita në atë kohë më 10 milardë euro depozita. Ishte realisht çështje e sigurisë kombëtare nëse bankat do të shkonin drejt falimentit e do të humbisnin këto depozita.  Për këtë arsyue me rekomandime të FMN-së  e cila atëherë ka pasur përfaqësi të saj në Shqipëri, u bë një marrëveshje e detajuar, plan masash ku një nga pikat ishte lehtësimi i kushteve për kompanitë që do të merren me ndjekjen e borxhit. 

Ky ishte standard ndërkombëtar që ndiqte dhe Serbia e Greqia. Por është një standard që ka ekzistuar dhe në Shqipëri që me ATK-në. Kreditë e pastruara nga bilancet e bankave shtetërore ia ka kaluar ATK-së që në vitin 2001 - 2002. Kreditë e pakthyera vijojnë të jenë në ndjekje, rreth 4 mijë dosje. 

Pra ishte një pikë e rekomanduar nga FMN, e cila e rikonfirmoi në një konferencë për shtyp, duke qenë se çështja u diskutua gjerazi në media.

Pra praktikisht licensimi i kompanive, kalimi i kredive nga institucionet bankare në ato jobankare bazohet në dispozitat e Kodit Civil dhe sot është i ligjshëm. Pra kushdo, qoftë përmbaruesi direkt, qoftë institucionet e tjera mund të blinin kredi nga bankat. Ky aktivitet kishte nisur që në 2009. Pra nuk ishte i paligjshëm aktiviteti, ishte i bazuar në dispozitat e Kodit Civil. 

Ajo që rekomandoi FMN dhe ne bëmë sipas planit të masave, që ishte një reformë strukturore në ekonominë shqiptare, ishte licensimi i këtyre kompanive për të blerë portofolet e këqija. Për çfarë arsye? Jo për të licencuar vetëm MCA-në, se ishin dhe disa kompani të tjera që kishin blerë portofole që janë dhe sot, por për ti futur në regjistrin e kredive këta klientë që ishin të vonuar prej disa vitesh, nga 2005, 2006, 2008. 

BSH që para emërimit tim nxorri një rregullore që i detyronte Bankat të fshihnin kreditë e këqija deri në 3 vite. Për ti futur në regjistrin e kredisë këta klientë që të mos kontaminonin sërish sistemin bankar, u licensuan për këtë arsye. Ky ishte synimi, ruajtja e stabilitetit financiar, ruajtja e depozitave 10 milionë euro, kundrejt një grupi klientësh të cilët për arsye të vështirësi financiare apo mosdashje nuk kishin paguar kreditë. 

Pra zoti Bardhi nuk ishte aktivitet i paligjshëm.  Ishte i ligjshëm. U rregullua brenda kontekstit rregullator, me rekomandim e jo synim. Këshilli Mbikqyrës i BSH-së e miratoi këtë bazuar në planin e masave të rekomanduar nga FMN. Pra nuk është çështje penale por është aktivitet rregullativ i Bankës Qëndrore. Është dhe standard ndërkombëtar i Bankës Qendrore. Nuk është as krijim skeme, as shpikje e as gjë e tillë. Këto institucione u licensuan për këtë aktivitet specifikisht që këta klientë të ishin brenda këtyre  kompanive. E kjo u bë me qëllim që të mos ishin të shpërndarë dhe të mos kishte informacion sistemi bankar për klientët e këqinj të hequr nga bankat, sepse do të riktheheshin e të merrnin kredi sërish. Ose ata klientë që kishin paguar kredinë do të kishin mbetur me statusin negativ e nuk do të merrnin. Pra në të dy grupimet si ata që ishin treguar korrekt dhe kishin mbyllur detyrimet, dhe ata që nuk kishin paguar detyrimet duhej të ishin në regjistrin e kredive të monitoruar në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar. Ky ishte qëllimi thelbësor dhe real. 

Ky është një keqkuptim i madh nga prokuroria e Tiranës, ndoshta nxitur nga përmbaruesit për interesa përmbaruesish pasi ky proces i ka futur në procese konkurence me njëri tjetrin. Një pjesë që bashkëpunonin me këto kompani kishin portofol, një pjesë nuk kishin, por përmbarimi nuk është tagër ligjor i Bankës së Shqipërisë, dhe unë as që kam qenë në dijeni që kishte konflikte përmbaruesish në atë kohë. 

Situata me kreditë problematike ka qenë në Greqi, Serbi në tërë botën. Në Shqipëri u reflektua në 2010. Kjo është një reformë strukturore e ndërmarrë. 

Skema e shitjes së kredive ishte një aktivitet i ligjshëm, jo i paligjshëm.

Nuk ka lidhje fare me skemat piramidale. Nëse kanë bërë vjedhje ndaj klientëve dhe i kanë dhunuar duhen dënuar. 

Nga këta kompani 80% nuk janë arkëtuar nuk janë gjetur si klientë. Kanë arritur të ndjekin vetëm 10%, të cilët nëse nuk kanë ndjekur ligjin duke shkelur ligjin e përmbarimit duhet të mbajnë përgjegjësi. Në përgjithësi lekët janë akoma te klientët. Numri i 100 mijë klientëve është i zmadhuar.

Kanë qenë 96 mijë klientë nga të cilët një pjesë kanë paguar sot janë 60 mijë klientë, në 4 kompani. Dy kompani janë në procese hetimore, prandaj i hoqëm licencën. Ne i kishim pezulluar. BSh i ka marrë masat. Procesi i licensimit ka qenë i ligjshëm, procesi i monitorimit ka qenë në vitin 2020 kur u agravua problemi. Duhet parë raporti i BSH-së, cfarë rekomandimesh janë dhënë. Pra janë dhënë rekomandime strikte. Është vajtur pas disa muajsh dhe është pezulluar licenca në këtë kompani pasi është parë se nuk janë nuk janë zbatuar rekomandimet. Është bërë pezullim që i ka lënë të drejtë kompanisë të ristrukturojë e të mos blejë më borxhe të këqija në një kufizim kohor. Është vajtur pas një viti dhe është bërë pezullim dhe është rekomanduar që për 6 muaj të pastrojë portofolin, ndërkohë në momentin që prokuroria i arrestoi ne ishim të detyruar të revokonim licencën. Këtë e bëmë për të mbrojtur klientët konsumatorët të ishin brenda kontrollit.

Revokimi i licencës nga BSH nuk do të zvogëlonte problemin pasi kontrata e borxhit është titull ekzekutiv e nuk shuhet. Ata klientë e kanë prapë titullin ekzekutiv dhe do të ndiqen nga përmbaruesit. Të gjithë klientët kanë kaluar me procese gjyqësore. BSH ka pasur 85 ankesa në 8 vjet. Pas revokimit te licencave kemi 144 ankesa, nga të cilat 100 na pyesin a do të vazhdojmë të paguajmë kredinë pasi u hoq licenca apo do na falet, 17 kërkesa ka të bëjë me procese përmbarimore dhe një numër me saktësinë e detyrimit. Kemi ushtruar kontroll dhe mbikqyrje të përshkallëzuar. Nuk kemi ne tagër ligjor hetimin mashtrimin financiar. BSH nuk ka gjetur mashtrim financiar por ka gjetur mos respektim të kuadrit ligjor të BSH-së. Unë dyshoj se prokurorët ose OPGJ-së së Tiranës dyshoj ti kuptojnë proceset e tilla rregullative. Edhe sikur ti hiqet licenca problemi i qytetarëve mbetet atje. 90% e ankesave që kemi ne janë ato për procese përmbarimore. Unë kam propozuar që për të ndihmuar qytetarët do të duhet të shohim Kodin Civil apo ligjin e procedurave përmbarimore, për të dhënë disa kufizime qoftë për bllokimin e pasurive, qoftë për ndjekjen e procedurave përmbarimore. Unë po bashkëpunoj me Ministrinë e Drejtësisë. Pak ditë më parë kam diskutuar me ministrin e Drejtësisë  për të bërë një plan pune për tiu adresuar problemit. Duhet parë nga prokuroria që po heton kompanitë nëse janë bërë shkelje e vjedhje, apo nëse kanë vepruar brenda hapësirave ligjore që kanë lejuar mundësinë për të shqetësuar qytetarët. Ne kemi detyrë të shohim cfarë do të ndryshojmë ne.

Ne kemi detyrë të shohim Vendosje me ligj të kufizimee të normave të interesit dhe penalitetet. Bërjen e një ligji të vecantë për mbrojtjen e konsumatorit. Po bashkëpunojmë me BSH-në për të rishikuar rregulloren për mbrojtjen e konsumatorit për institucione financiare jo banka.

Sa i takon normave të interesit. Nuk ka pasur kufizim për normën e interesit në vonesë që shkonte disa herë përqind mbi principalin e kredisë. Kjo ka qenë normë interesi tregu. Ne nuk jemi magjistarë të parashikojmë çfarë do të ndodhë. Këto janë probleme të reja që ndodhin për herë të parë në Shqipëri. Në 2021 ndërhymë me një rregullore të re që kufizon normën efektive të interesit e po të shihni norma për të gjitha institucionet financiare jo banka ra me 4 herë.  Po kështu penaliteti shkonte qindra përqind mbi normën e principalit. Vumë dhe kufizim që penaliteti nuk mund të shkojë mbi 30 % të principalit. Këto kufizime duhen bërë me ligj, dhe ia kemi kërkuar parlamentit ti bëjë me ligj. Pavarësisht se nuk janë ligjore institucionet financiare të mikrokredisë i kanë respektuar. Aty ku kemi gjetur që nuk janë respektuar i kemi pezulluar licencat dhe revokuar. Ne kemi zbatuar rregullat dhe ligjet strikt.

BSH nuk ka tagër ligjor pas procesit ligjor. Nuk i ndjekim dot. Janë përmbaruesit. Kishim dijeni që ishin marrë pronat por nuk ndërhyjmë dot. Kishim dijeni pasi pjesa më e madhe e ankesavve ishte mbi procedurat përmbarimore pas një vendimi gjykate.

Dua të sqaroj se në rolin e guvernatorit të BSH-së, vendimmarrja kur vjen tek unë ka kaluar të gjithë hallkat e tjera proceduriale të BSH-së. Guvernatori nuk është as inspektor, as rregullator, as drejtor, por është kryetar i këshillit të mbikqyrës dhe e ka të përcaktuar me ligj vendimmarrjen e tij. 

E gjithë vendimmarrja ime ka qenë në  bazë të propozimeve të departamenteve të BSH-së e kjo është lehtësisht e verifikueshme.

Nuk janë 100 mijë qytetarë, por këto dy kompani kanë 30 mijë qytetarë të mbetur. Duhen parë dhe pritur rezultatet e prokurorisë për të parë sa qytetarë vërtetë janë dëmtuar. 100 mijë në mënyrë absolute nuk janë.  Megjithatë edhe 1 qytetar i vetëm, apo 500 të jetë janë shumë. Ne do të adresohemi brenda tagrave tonë për të bërë ndryshimet rregullative për të mbrojtur qytetarët’- tha Sejko.

Pyetje: Sa është portofoli i kredive të këqija?
Gent Sejko: Në total është rreth 32 mijë klientë për MCA e Final, me rreth 15 mln - 20 mln euro në total që kanë këta klientë. Shumica e rasteve janë në përmbarim.  Problematika më e madhe janë ato raste me vendime gjykatash. Nuk ndërhyjmë dot. 

Kemi dërguar një shkresë në ministrinë e Drejtësisë lidhur me listën e likuidatorëve. Me kërkesën e prokurorisë së Tiranës janë sekuestruar 10 mln euro llogari bankare të tyre. Vetë prokuroria ka bërë kërkesë për të sekuestruar dhe asetet. Nëse do të konkludohet me vendim gjykate që do të merren dhe asetet atëherë administrimin do ta bëjë agjencia e sekuestrimit të parave në bashkëpunim me grupin tonë të punës.

Inceneratori i Tiranës? 

Mund të jenë pastruar 20 mln euro me inceneratorin e Tiranës por jo përmes sistemit bankar. Sistemi bankar mund të ketë pasur llogari bankare por pastrimit mund të jetë bërë jashtë sistemit bankar. Nuk ka përfshirje të bankave me pastrimin e parave në këtë rast. Nëse do të kishte drejtoria e pastrimit të parave do na informonte.   


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Në hetim nga SPAK për mikrokreditë, Sejko: Jam në dispozicion të drejtësisë! Ishte rekomandim i FMN-së! S'jam magjistar të parashikoja çfarë do të ndodhte


M.Q./S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Në kërkim pas shpalljes non grata, Artan Grubi dyshohet se fshihet në Durrës! Dëshmia e biznesmenit: E dërgova me makinë deri në Tiranë

Në kërkim pas shpalljes non grata, Artan Grubi dyshohet se fshihet në Durrës! Dëshmia e biznesmenit: E dërgova me makinë deri në Tiranë