Një drejtuese e lartë shqiptare në një nga bankat më të mëdha në botë është në qendër të një padie për abuzim seksual në SHBA, me akuza të rënda që përfshijnë drogim dhe presion për marrëdhënie seksuale.

Bëhet fjalë për Lorna Hajdinin, drejtuese në JPMorgan Chase, e cila është paditur nga një ish-koleg, i identifikuar si Chirayu Rana, 35 vjeç, i cili fillimisht u paraqit në gjykatë me pseudonimin “John Doe”.

Në padi, Rana pretendon se është kthyer në “skllav seksual”, duke akuzuar se është droguar me substanca si Rohypnol dhe Viagra dhe është kërcënuar me uljen e bonusit nëse nuk pranonte.

Chirayu Rana

Akuzat u publikuan fillimisht nga “Daily Mail”, bazuar në dokumente gjyqësore që më pas janë tërhequr për korrigjime. Por reagimi ka qenë i menjëhershëm.

Përmes avokatëve, Hajdini i ka mohuar kategorikisht pretendimet, duke deklaruar se “nuk ka pasur kurrë sjellje të papërshtatshme dhe nuk ka qenë në vendin ku pretendohet të ketë ndodhur ngjarja”. Edhe JPMorgan ka dalë hapur në mbrojtje, duke theksuar se një hetim i brendshëm i detajuar, që përfshiu komunikimet dhe dëshmitë e stafit,  nuk gjeti asnjë provë që mbështet akuzat.

“Pas hetimit, nuk besojmë se këto pretendime kanë bazë”, tha një zëdhënës i bankës, duke shtuar se ankuesi nuk ka bashkëpunuar dhe nuk ka dhënë prova kyçe. Sipas burimeve, Hajdini dhe Rana kanë qenë thjesht kolegë në të njëjtin ekip dhe nuk kishin marrëdhënie direkte pune, ndërsa ajo nuk kishte asnjë ndikim në bonusin e tij.

Raportohet gjithashtu se Rana kishte bërë një ankesë të brendshme në vitin 2025 dhe kishte tentuar të negociojë largimin nga banka me një pagesë që arrinte në miliona dollarë. Ndërkohë, persona pranë Hajdinit e përshkruajnë atë si një nga performueset më të mira në bankë, ndërsa ajo vijon të mbajë pozicionin e saj.