Nuk duhet të ketë ndjenjë më të rëndë, të besosh në shpëtimin e njeriut tënd në hyrjen e spitalit, por dyert e ambulancës nuk të hapen. Kjo u ndodhi familjarëve të Arbër Ferati nga Tragjasi, i cili të hënën, 19 qershor 2023, ra në kontakt me kabujt e tensionit të lartë rrëzuar përtokë, kohën kur po korrte grurin me autokombanjë.

Në pamjet e siguruara nga Report TV familjarët luftojnë me kohën për të nxjerrë nga makina e urgjencës së Orikumit, të dëmtuarin me shenjat e fundit të jetës. Dera është bllokuar. U desh forca fizike e shumë njerëzve që ajo të zhbllokohej dhe Ferati të futej në duart e mjekëve

Por nuk përfundon e gjitha këtu. Në hollin e spitalit të Vlorës, nis sherri mes policisë dhe të afërmëve të zëmëruar. Dikush nga ta del garant, se do t’i përgjigjen policisë, por sa të merrnin informacion se çfarë ndodhi me të riun. Afro 30 minuta nga konflikti mbërrin lajmi i vdekjes së Arbër Feratit.

Dhimbja dhe përplasja zhvendoset në morgun e spitalit. Familjarët, gruaja, kushërinjtë, folën për prezencën e dhjetra forcave policie. Nisi përplasja mes tyre dhe disa persona u lënduan, mes tyre edhe një punonjës policie. Një nga të afërmit e viktimës u ndalua për kundërshtim të uniformave blu.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:14
VIDEO/ Kaos në Spitalin e Vlorës, familjarët e 35 vjeçarit që humbi jetën nga korrenti, rrahin policin! Efektivët dhe bluzat e bardha ndërhyjnë t'i ndajnë

Kaos në Spitalin e Vlorës. Mesditën e 19 qershorit kamerat e spitalit të Vlorës kanë regjistruar një sherr që ka ndodhur në hyrje të spitalit.

Të afërm të Arbër Feratit, 35 vjeçari i cili humbi jetën pasi autokombajna që drejtonte ra në kontakt me energjinë elektrike i vërsulen policit ta rrahin.

Trupi i të riut ishte transportuar me autoambulancën e njësisë shëndetësore Orikum dhe me mbërritjen në hyrje të urgjencës së spitalit ambulancës i është bllokuar dera. 

Bluza të bardha dhe të afërm kanë tentuar të hapin derën e ambulancës por nuk ia kanë dalë deri në përdorimin e forcës. 

Pikërisht tentativa për të hapur derën e autoambulancës që ka zgjatur për disa minuta dhe kjo ka sjellë irritimin e të afërmve të 35 vjeçarit dhe sherrin në hyrje të spitalit. 

Gjatë sherrit disa persona kanë marrë lëndime të lehta, mes tyre një efektiv i policisë dhe të afërm të 35 vjeçarit. Pas situatës së krijuar policia ka shoqëruar në komisariat një prej familjarëve të Feratit. 

Shumë detaje të ngjarjes pritet të sqarohen në vijim 

Lajmi në përditësim...