Skandali/ PD publikon pamjet
filmike të vjedhura tek Tatimet

TIRANE- Media publikoi dje pamjet filmike të kamerave të sigurisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Pamjet, që realisht nuk figurojnë më në hard diskun e arkivit të kamerave të Drejtorisë së Tatimeve, “janë pjesë e dosjes së prokurorisë, e cila po heton fshirjen dhe zhdukjen e 4.3 milionë deklaratave tatimore të bizneseve në nëntor të vitit 2013”, tha kjo media. Në video shihet Ermal Beqiri në zyrën e Drejtoreshës së Tatimeve Brisida Shehaj, deputeti Spartak Braho si dhe grupi i Auditit.

Akuza e PD, e përcjellë përmes kësaj medie, thotë se hard diskun e arkivit të të dhënave e ka prokuroria që po e shqyrton, ndërkohë që vetë organi i akuzës u shpreh dje se ka vetëm një kallzim penal e s’ka një element të tillë. Prokuroria thotë se po vijon hetimet në kuadër të procedimit penal për akuzën e “Ndërhyrjes në të dhënat kompjuterike”, parashikuar në nenin 293/b të Kodit Penal, pas kallëzimit të dorëzuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Pra, këto pamje nuk figurojnë në hard diskun e arkivit të të dhënave të kamerave të Tatimeve, ndërsa ish-drejtori i IT Renald Rista ka folur se ka patur “ndërhyrje në të dhëna”. Ku i pa Rista këto pamje, teksa thotë se nuk i lanë kohë për të vepruar dhe parandaluar fshirjen e tyre, dhe për më tepër ku e di PD se janë fshirë këto pamje, ku e di nëse ekzistojnë brenda prokurorisë, e cila e mohon një fakt të tillë dhe për më tepër kush i ka nxjerrë këto pamje? Të gjitha kaëto janë pyetje që presin një përgjigje, përderisa vetë PD bëri zhurmë që në fillim.
 
MINISTRIA E FINANCAVE
Ministria tha dje se “pamjet e kamerave të sigurisë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të shfaqura në një prej televizioneve shqiptare, s’janë as më shumë e as më pak se sa vazhdimi i shfaqjes mediatike të nisur muaj më parë rreth kësaj çështjeje”. Sipas saj, problematikën shqetësuese të të dhënave në serverin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve e ka konstatuar dhe bërë publike drejtoria e DPT. “Ka qenë pikërisht DPT, përmes drejtores, që këtë ndërhyrje flagrante e ka paditur në Prokurori”, shkruhet në reagimin e Ministrisë së Financave.

“Kjo çështje është aktualisht nën hetim dhe Ministria e Financave është në pritje të zbardhjes së plotë nga organet hetimore të problematikës së konstatuar prej nesh. Ministria e Financave siguron të gjithë qytetarët dhe sipërmarrjen private se problematika në fjalë s’cenon aktivitetin e përditshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe as privatësinë e të dhënave në fjalë”, thuhet në reagim. Edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve  Brisida Shehaj shprehet se të dhënat e denoncuara të zhdukura nga serverat nuk kanë humbur dhe janë rikthyer përsëri.

Ajo thekson se personat që shfaqen në video kanë autorizim për të hyrë në ambientet e Drejtorisë së Tatimeve. Fakti është se ish-drejtori i IT, Renald Rista u “strehua” si i punësuar në bashkinë e Tiranës të drejtuar nga kreu i PD Lulzim Basha, njëlloj siç u strehua tek ILDKP e drejtuar nga Zana Xhuka e PD, ish-drejtori i IT i kryeministrisë, Armando Kasaj, i cili, pavarësisht akuzave për fshirjen e serverave të kamerave të 21 janarit, u lirua nga gjyqësori shqiptar. Të dy u strehuan në institucionet që drejtohen nga zyrtarë të lartë të PD. 
 
SPARTAK BRAHO
Është prononcuar deputeti Spartak Braho lidhur me transmetimet dhe komentet në media, duke paralamëruar hapjen e petëve të byrekut të qeverisjes së Berishës. “Është e vërtetë që kam qenë te tatim-taksat si deputet e si kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe si tillë unë kam të drejtë të shkoj kudo ku shikoj se cënohet siguria e vendit dhe, në rastin konkret, siguria financiare e strukturave të shtetit. Dhe kam konstatuar se Sali Berisha është ideatori i një komploti financiar, që i ka kushtuar rëndë shtetit. Në ditët në vijim unë do t’ia hap petët këtij byreku ku ka kullotur banda financiare e Saliut. Gjithsesi, e gjithë kjo aferë financiare është denoncuar dhe po hetohet nga prokuroria.

SHKELQIM CANI: LOJRA TE PD
 “Këto janë lojra pa vlerë nga PD, që të mbulojë akuzat që janë ngritur nga Tatimet dhe Ministria për dëmtim të të dhënave në serverin qëndror. Mua nuk më shqetëson aspak kjo farsë. Gjatë janarit, e rëndësishme është që të ardhurat po realizohen tej parashikimeve, si te Tatimet, ashtu edhe te Doganat”, deklaroi ministri i Financave Shkëlqim Cani për gazetën “Shqiptarja.com”.


  
PROKURORIA: PROCEDIM PENAL RISTËS, NDËRHYRI NË TË DHËNAT KOMPJUTERIKE

Prokuroria ka dhënë shpjegime për Kuvendin, në lidhje me zhdukjen nga serveri i tatimeve i të dhënave online të detyrimeve tatimore të bizeseve. Prokurori Petrit Fusha deklaroi për Kuvendin në dhjetor 2013: “Ju informoj se prokuroria pranë Gjykatës të Shkallës së Parë mbi bazën e kallëzimit të datës 21.11.2013, të drejtoreshës të tatimeve, zonja Brisida Shehaj dhe akteve të tjera të referuara nga Policia Gjyqësore me 22. 11.2013 ka regjistruar procedimin penal nr. 6638, për veprat penale: 1- Shpërdorim i detyrës dhe ndërhyrjen në të dhënat kompjuterike, parashikuar në nenin 228 dhe nenin 293, të Kodit Penal në ngarkim të personit ndaj të cilit po zhvillohen hetime, shtetasit Renald Rista.

2-Hyrja e paautorizuar kompjuterike parashikuar në nenin 192, pika b e Kodit Penal, ku personi nën hetim, për këtë vepër është shtetasi Elton Robi. Në këtë procedim penal janë duke u zhvilluar hetime në lidhje me faktin e mungesës së të dhënave nga database i serverit, ku ruhen deklarimet online të detyrimeve tatimore, të tatim paguesve. Serveri që ndodhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”. Ky ka qënë sqarimi i prokurorit për këtë rast.


Shkrimi u publikua sot (23.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Berat/ Makina bllokohet në mes të dëborës në malin e Tomorit, Policia i vjen në ndihmë familjes, mes të shpëtuarve edhe 2 fëmijë (VIDEO)

Berat/ Makina bllokohet në mes të dëborës në malin e Tomorit, Policia i vjen në ndihmë familjes, mes të shpëtuarve edhe 2 fëmijë (VIDEO)