Një skandal që ka shkaktuar reagime të forta në Itali ka shpërthyer në Milano, ku disa shoferë tramvaji dyshohet se përdornin kamerat e sigurisë të mjeteve të transportit publik për të siguruar foto të grave pasagjere, të cilat më pas shpërndaheshin në një grup WhatsApp së bashku me komente dhe shaka seksiste.

Ngjarja ka çuar në pezullimin e disa punonjësve të kompanisë së transportit publik ATM, ndërsa Prokuroria e Milanos ka nisur një hetim penal për të zbardhur rastin.

Sipas mediave italiane, të paktën një punonjës po hetohet për hyrje të paautorizuar në sistemet informatike dhe për përdorim të paligjshëm të sistemit të kamerave të sigurisë. Autoritetet kanë urdhëruar gjithashtu kontrolle në banesat e pesë punonjësve të tjerë dhe sekuestrimin e telefonave celularë dhe pajisjeve elektronike.

Sipas dyshimeve të hetuesve, në grupin e WhatsApp-it shpërndaheshin fotografi të marra nga kamerat CCTV të tramvajeve, ku fokusoheshin pjesë të ndryshme të trupit të grave, si këmbët, fytyra, gjoksi apo kofshët. Fotografitë shoqëroheshin me komente fyese dhe seksiste.

Rasti doli në dritë pas një episodi që ndodhi të shtunën në tramvajin numër 15 të Milanos. Një grua vuri re se një shofer jashtë shërbimit, i ulur përballë saj dhe ende me uniformën e kompanisë, po shikonte në telefon një grup WhatsApp ku shfaqeshin fotografi të grave dhe komente për pamjen e tyre.

Kur kuptoi se fotografitë dukeshin se ishin marrë nga kamerat e sigurisë së tramvajit, ajo fotografoi ekranin e telefonit dhe ia dërgoi materialin një aktivisteje të njohur feministe. Më pas rasti u denoncua te kompania e transportit publik.

Kamerat CCTV janë të instaluara në çdo tramvaj të Milanos dhe përdoren për arsye sigurie, për të monitoruar mjetet dhe për të ndihmuar autoritetet në rast incidentesh. Pikërisht për këtë arsye rasti ka shkaktuar shqetësim të madh në opinionin publik, pasi ngre pikëpyetje serioze mbi privatësinë e pasagjerëve dhe përdorimin e të dhënave të regjistruara nga sistemet e sigurisë.

Kompania ATM njoftoi se ka nisur menjëherë një hetim të brendshëm.

“ATM ka vepruar menjëherë dhe me vëmendjen maksimale për të sqaruar plotësisht episodin, për të verifikuar përdorimin korrekt të mjeteve të kompanisë, për të mbrojtur klientët dhe mijëra punonjësit që punojnë çdo ditë në mënyrë korrekte në shërbim të qytetit”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Ende nuk është e qartë nëse fotografitë janë marrë nga një tramvaj i vetëm apo nga disa mjete të transportit publik dhe as nëse materialet janë shpërndarë përtej grupit të WhatsApp-it që po hetohet.

Marco Maria Donzelli, president i organizatës së mbrojtjes së konsumatorëve Codacons në Lombardi, e cilësoi ngjarjen si “shumë të rëndë” dhe paralajmëroi se, nëse akuzat konfirmohen, personat e përfshirë mund të përballen jo vetëm me pasoja penale, por edhe me padi civile nga gratë e dëmtuara.

Ndërkohë, sindikatat e transportit publik kanë reaguar duke theksuar se respekti për dinjitetin njerëzor dhe barazinë gjinore janë vlera që nuk mund të cenohen.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë sa persona janë përfshirë në skemë dhe sa gra mund të jenë prekur nga kjo shkelje e dyshuar e privatësisë.