Jani Aliaj, në listën e më të kërkuarve të Policisë dhe Interpolit
Jani Aliaj dhe Elton Çiço kanë qenë shokë mes tyre, të dy me origjinë nga Tepelena. Armiqësia lindi për shkak të një vrasjeje në vitin 2000. Jani Aliaj qëlloi për vdekje me thikë E. Ballazhiun, në fshatin Zhabakin. Ballazhiu, 20 vjeç, ishte shok fëmijërie me Elton Çiçon. Ata ishin rritur bashkë në Tepelenë.
Pasi mësoi se kush ishte vrasësi, Çiço i ka dërguar fjalë në burg Aliajt, duke i thënë se do merrte hak për këtë vrasje, duke prishur edhe njohjen shoqërore mes tyre.
Jani Aliaj ishte arrestuar ndërkohë në Greqi për drogë në moshën 23 vjeç. Pak më vonë ndalohet edhe Elton Çiço nga policia greke dhe izolohet në burgun e Koridhalos, po për drogë. Lëndët narkotike besohet se kanë qenë edhe burimi i konflikteve brenda grupit, e që u kthyen në një sagë hakmarrjeje.
Në të njëjtin burg, në Koridhalos, atëkohë u izolua edhe Jani Alia, i dënuar me 18 vjet për vrasje, ndërsa Çiço u dënua me 5 vite për drogë. Aty ndodhi edhe përplasja e parë fizike mes tyre, pasi Çiço plagosi me thikë Aliajn, gjatë kohës që kishin dalë në ajrim.
Disa javë pas ngjarjes, Jani Aliaj del nga burgu me leje, ndërsa kishte kaluar 10 vite në qeli, por nuk kthehet më dhe shpallet në kërkim nga policia greke si i arratisur. Pak kohë më pas del edhe Elton Çiço, pasi përfundon dënimin. Pas këtij momenti fillojnë edhe atentatet.
Në 10 janar 2016 Elton Çiço tenton të ekzekutojë Aliajn në Tiranë, te “Rruga e Kavajës”. Çiço qëllon disa herë me armë zjarri në drejtim të tij, por nga plumbat plagoset vetëm një person i rastësishëm me inicialet A.Q. I vendosur për hakmarrje, Çiço dyshohet se organizoi edhe një atentat tjetër, këtë herë në Gjirokastër, më 25 prill 2016. Jani Alia po lëvizte me makinën e një mikut të tij, kur Çiço hapi zjarr.
Aliaj mbijeton përsëri dhe u plagos lehtë në dorë, kurse gjatë marrjes në pyetje e cilësoi ngatërresë shënjestre. Prej këtij momenti Jani Alia zhvendoset në Tiranë dhe kërkon ndihmën e Renato Milloshit, me të cilin kishte miqësi të hershme.
Më 1 maj 2016, në lokalin ‘De Niro’ në ish-Bllok, Aliaj i maskuar me paruke, ekzekuton me 2 plumba Elton Çiçon. Për ngjarjen policia shpalli si autorë Jani Aliajn dhe Renato Milloshin. Kjo ngjarje solli disa atentate radhazi, ku mbeti i vrarë edhe Nelgert Papa, që cilësohej si mik i Aliajt, e që i kishte mbijetuar një sulmi të mëparshëm po për hakmarrje.
Lajmi kryesor: