Skema e korrupsionit/ Avokati i
Popullit i dha fonde publike gruas

Skema e korrupsionit/ Avokati i<br />Popullit i dha fonde publike gruas
TIRANE- Në një letër drejtuar kolegëve të tij, Denis Minga, këshilltar për mediat i Avokatit të Popullit, ka zbuluar skemën korruptive të Igli Totozanit. Sipas letrës së Denis Mingës, Avokati i Pupullit i ka dhënë një shoqate, që drejtohet nga gruaja e tij Marta Onorato,të drejtën për të monitoruar burgjet dhe komsiariatet. Kjo shoqatë ka hartuar dhe raportet finale të monitorimit, duke shkelur në mënyër të hapur ligjin, pasi kishte konflikt interesi.

Letra e Plotë e Këshilltarit për Media të Avokatit të Popullit Denis Minga
Përshendetje të gjithëve. Vendosa t’ju dergoj këtë email pasi me një pjesë të madhe prej jush nuk pata mundësi të takohesha kur u largova nga institucioni dhe t’ju falenderoja për bashkepunimin dhe respektin e ndërsjelltë që kemi treguar gjatë kohës që kam punuar tek Avokati i Popullit. Ndërkohë që po bëhesha gati të shkruaja këtë email lexoj njoftimin ne “Facebook” të qëndrimit që mbante Avokati i Popullit për projektligjin për Kodin e Punës. i hedh një sy dhe lexoj çfarë mendon z. Totozani për të drejtat e punëmarrësve.

Avokati i Popullit i ka kushtuar një vëmendje dhe trajtim të veçantë ankesave lidhur me mbrojtjen shoqërore të punës, e cila ka patur në fokus të saj largimet e pamotivuara nga puna, mosrespektimin e afateve ligjore për këto largime nga punëdhënësi etj., veprime të cilat pengojnë punëmarrësit për garantimin dhe respektimin sa më të drejtë të marrëdhënieve të punës. 

Avokati flet për largime të pamotivuara në administratë dhe shfaqet shumë i shqetësuar saqë nuk e zë gjumi natën.Padyshim që kur një qytetar i painformuar e lexon këtë mesazh mendon se kemi një Avokat të Vërtetë Populli që mendon për hallet e tij dhe reagon për padrejtësitë që i behen.

Poky qytetari i shkretë nuk e di që Avokati i Tij i Popullit jo vetëm qe nuk e çan kokën për hallet e tij por madje vete bëhet problem për ta. Do ti thoja këtij qytetarit të shkretë se Avokati i Tij i Popullit ka hequr vetë nga puna disa punonjës brenda institucionit të tij në menyre të padrejte.Kjo të dashur miq vlen dhe për ju dhe për ndergjegjen tuaj qytetare. Une do t’ju tregoj me pak fjalë historinë time me z.Totozani . 

Prej datës 1/11/2013 kam punuar si këshilltar për mediat pranë Avokatit të Popullit Igli Totozani. Në datë 04/05/2015 Avokati i Popullit më dërgon njoftimin mbi ecurinë e marrëdhënieve të punës duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme dhe të njëanshme të marrëdhënieve të punës.

Vetëm pak muaj ka zgjatur misioni fisnik i z.Totozani si Avokat i Popullit i votuar nga Kuvendi për ti shërbyer qytetarëve dhe jo vetes. Por cfarë ka ndodhur realisht? Në  mars të vitit 2012 Avokati i Popullit ( zgjedhur në dhjetor të 2011) do të nënshkruante marrëveshjen e parë me shoqatën e bashkëshortës së tij duke i dhënë fund moralit dhe integritetit të tij si titullari më i lartë në vend që mbron të drejtat e njeriut.

Marrëveshja që mban datën 02/03/2012 është firmosur mes Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Torturës , njësi kjo e varur drejtpërdrejt nga Avokati i Popullit, në këtë rast z. Igli Totozani dhe drejtueses ekzekutive të Institutit Europian të Tiranës znj. Marta Onorato që për koincidencë rezulton të jetë dhe bashkëshortja e z. Igli Totozani. Marrëveshja në fjalë ishte e financuar nga Bashkimi Europian dhe instituti i Shoqërisë së Hapur.

Sipas kësaj marrëveshje AP dhe IET do të kryenin vizita të përbashkëta monitoruese në të gjitha institucionet e paraburgimit. ( a thua sikur në vend nuk kishte tjetër OJF që merret me monitorimet në paraburgimet përveç shoqatës së gruas së Avokatit të Popullit )

Por nuk do të mjaftonte kjo. Avokati i Popullit do të nënshkruante një tjetër marrëveshje sërish me shoqatën e gruas dhe sërish e financuar . Kësaj radhe marrëveshja e nënshkruar mes Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës të AP dhe IET është nënshkruar në 1 prill të 2013 dhe parashikonte ndërrmarrjen e vizitave të përbashkëta monitoruese në të gjitha ambjentet e policisë së shtetit ku mbahen personat e arrestuar ndaluar apo shoqëruar.

( sërish a thua se në gjithë Republikën e Shqipërisë shoqata e gruas së Avokatit rezulton më e specializuara për monitorimet e të gjitha komisariateve të vendit)
Por çfarë ka ndodhur realisht me këto marrëveshje ? A mbetën këto marrëveshje thjesht në letër apo u konkretizuan ?  Faktet ishin sërish tronditëse. Dy marrëveshjet janë konkretizuar në mënyrë ekstreme dhe barbare. Vetëm në një periudhë të shkurtër kohe Avokati i Popullit ka kryer me shoqatën e gruas së tij rreth 50 monitorime në burgje dhe komisariate në të gjithë vendin.

Pra për ta thjeshtuar faktin mund të themi që Avokati i Popullit Igli Totozani monitoronte burgjet së bashku me gruan e tij. Por nuk ka mbaruar këtu, të tjera fakte tronditëse dalin në skenë rreth këtij bashkëpunimi kaq të ngushtë burrë e grua për të mirën të qytetarit. Faktet tregojnë se falë këtij bashkëpunimi, burrë e grua arritën të finalizonin dhe rreth 20 rekomandime për gjëndjen në burgje dhe komisariate. Dua të theksoj këtu, se rekomandimi përbën produktin më të rëndësishem dhe final të punës së Avokatit të Popullit.

Por përdorimi ekstrem i institucionit për qëllime personale nuk mbaron këtu. “Duke humbur si zakonisht besimin” tek ekspertët e institucionit, Avokati i Popullit do të vendoste në krye të Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Torturës në periudha të ndryshme dy zonja të cilat më parë kishin punuar si eksperte në shoqatën e gruas së tij IET( për arsye etike nuk po ua përmend emrat dy zonjave por ato mund të gjenden kollaj pasi kanë qenë pjesë e ekspertëve të IET ndërsa kjo shoqatë zhvillonte monitorimet me ekspertët e Avokatit të Popullit).

Të gjitha këto fakte mund ti gjykojë çdo njeri prej nesh por pyetjes sime se a ka mundësi që një Ombudsman Europian të firmosë marrëveshje me gruan e tij, z.Totozani akoma nuk i është përgjigjur . Ai në fakt është anëtar i shumë organizatave të Ombudsmanëve rajonalë dhe europianë madje kryeson dhe presidencën e radhës së Ombudsmanëve të Mesdheut ( AOM ) Do të ishte mirë që z. Totozani të pyeste kolegët e tij në këto organizata se mos ndonjëri prej tyre ka bërë marrëveshje me gruan e tij ndërkohë që ushtron mandatin si Ombudsman. Këto fakte unë kam për detyrë si qytetar ti çoj në organet përkatëse të drejtësisë dhe medias për ti dhënë përgjigje shqetësimit nëse z. Totozani ka shkelur apo jo ligjin për konfliktin e interesit ?

Por sot mund të them me bindje se z.Totozani e ka humbur betejën me moralin dhe shërbimin për qytetarin. Ai vërtet ka dhe një vit e gjysëm mandat për tu zvarritur dhe për ta shtyrë në krye të këtij institucioni , por me moral dhe integritet kaq të goditur ai e ka të pamundur të mbrojë të drejtat e qytetarëve. Edhe nëse ka patur përpjekje në dukje për të ndihmuar qytetarët në nevojë faktet e mësipërme i bëjnë nul ato. Çdo qytetar me formim sado minimal e kupton se z.Igli Totozani nuk u zgjodh Avokat i Popullit për të bashkëpunuar dhe firmosur marrëveshje të financuara me gruan e tij.

 Dhe në fund  dua ti drejtohem z. Totozani duke i thënë se ju e keni mbyllur misionin tuaj në krye të këtij institucioni sepse morali i cënuar nuk ju lë të bëni asgjë, ju ka bërë tmerrësisht frikacak, ju ka bërë tmerrësisht paranojak dhe praktikisht ju ka bërë nul. Për këtë arsye nëse ju ka mbetur një gramë moral dhe dinjitet ju bëni mirë të jepni dorëheqjën për tu cliruar nga zullumet që keni bërë dhe të lini të lirë kapjen e këtij institucioni, drejtimin e të cilit tashmë ju nuk e meritoni më.

Por padyshim kjo është një zgjedhje që lidhet me moralin dhe integritetin tuaj.Z.Totozani përpara se të akuzoni padrejtësisht dhe pa fakte bashkëpunëtorët e tu për humbje të besimit ju duhet të vetëpastroheni pasi përfundimisht keni humbur besimin jo vetëm të stafit të institucionit por të të gjithë shqiptarëve. 
Kjo është hitoria ime me z. Totozani po besoj dhe ju padyshim e keni nga një histori tëçuditshme me të që vetëm me respektimin e të drejtave të njeriut nuk ka të bëjë.
 
Marrëveshja
“Në  mars të vitit 2012 Avokati i Popullit ( zgjedhur në dhjetor të 2011) do të nënshkruante marrëveshjen e parë me shoqatën e bashkëshortës së tij duke i dhënë fund moralit dhe integritetit të tij si titullari më i lartë në vend që mbron të drejtat e njeriut”

Bashkëshortja
“Avokati i Popullit do të nënshkruante një tjetër marrëveshje sërish me shoqatën e gruas dhe sërish e financuar . Kësaj radhe marrëveshja e nënshkruar mes Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës të AP dhe IET është nënshkruar në 1 prill të 2013”


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

 Të paktën 19 të vdekur dhe 'shumë të zhdukur' nga përmbytjet në Bosnje

Të paktën 19 të vdekur dhe 'shumë të zhdukur' nga përmbytjet në Bosnje