TIRANË- Kryeministri Edi Rama flet sërish për skemën e re të pensioneve, e cila deri në fund të vitit 2029 parashikon të rrisë deri në 70% çdo kategori pensionesh. Duke nisur nga muaji janar, pensionet e të gjitha kategorive do të kenë një rritje të konsiderueshme, ndërsa kryeministri Rama thotë se deri në fund të 2029-ës fatura e pensionistëve do të jetë 1.7 mld euro më shumë. Ai sqaron edhe njëherë rritjen që do bëhet vit pas viti për pensionistët.
“Pjesën e luanit në pr.buxhetin 2026 e zënë pensionistët për të cilët e nisim vitin e ardhshëm me 100 mln euro shtesë përveç indeksimit, në 2027 e dyfishojmë shtesën 200 mln euro plus indeksimi 45 mln euro. Në 2028 trefishojmë 300 mln euro plus indeksimi 46 mln euro. Në 2029 e ka 400 mln euro plus indeksimi 47 mln euro dhe në 2030 e 500 mln euro plus indeksimi 48 mln euro. Janë 1.7 mld euro më shumë që pensionistët do të marrin mbrapsht nga investimi i tyre për mandatin tonë të katërt qeverisës”, tha Rama.
Përpos rritjes së pensioneve, nga janari do të rritet edhe paga minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë ose 500 euro për 307 850 punonjës. Kryeministri shprehet se qeveria do të subvencionojë për 9 muaj, 90 mln euro edhe shtesën e kostos së sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat.
“Nga 1 janari 2026 do rritet edhe paga minimale për 307 850 punonjës që do marrin 500 euro, që do jetë e para por jo e vetmja rritje e këtij mandati. Paga minimale do arrijë 700 euro. Qeveria do të subvencionojë për 9 muaj, 90 mln euro edhe shtesën e kostos së sigurimeve për të punësuarit në sektorin provat. Fiks kështu, ky jam unë dhe këta jemi ne. Ato 83 mandate që ju na dhatë për të qeverisur Shqipërinë në mandatin e katërt dhe për ta ulur në tryezën e BE si të barabartë ndër të barabartë, janë 83 arsye më shumë se sa deri dje për të mos fjetur gjumë, për të punuar pa pushim dhe për t’iu kthyer ju me të gjithë pasionin, vullnetin, të gjithë atë që ju na dhatë, një besim të jashtëzakonshëm që është privilegj i jashtëzakonshëm”, shprehet Rama.
Parashikohet që deri në vitin 2029 pensioni mesatar urban, për ata me vite të plota pune, do të shkojë në 40,000 lekë ose 400 euro, nga 27,350 lekë që është aktualisht. Pensioni urban i pjesshëm do të arrijë në 22,000 lekë, nga 15,850 lekë që është sot, pra një shtesë prej më shumë se 6 mijë lekësh. Pensioni rural do të shkojë në 18,000 lekë nga 11,500 lekë aktuale. Pensioni familjar do të rritet nga 11,400 lekë në 18,000 lekë, ndërsa pensioni i invaliditetit, që sot është 20,000 lekë, do të shkojë në 30,000 lekë.
Komente










