Kreditë këtë vit do të kushtojnë më pak për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme. Banka e Shqipërisë ka hartuar një program për mbështetjen me financim të këtyre bizneseve përmes kredive bankare me norma të favorshme interesi, por me kusht që kjo hua do të përdoret vetëm për investime në biznes.
Ky program i miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, do ju japë mundësi bankave tregtare të marrin hua pranë bankës qendrore me interes më të ulët se norma baze e interesit që aktualisht është 2.75%.
Pra bankat do të marrin likuiditet tek Banka e Shqipërisë me kosto më të ulët se zakonisht me qëllim që këto fonde ti përdorin vetëm për financimin e këtyre bizneseve.
“Kostoja e kredive të lëvruara nën këtë program duhet të jetë nën normat afatgjata aktuale të kreditimit të Biznesit të Vogël dhe të Mesëm”, thotë Banka e Shqipërisë.
Përgjatë vitit të shkuar norma e interesit për kreditë deri në 35 milionë lekë që janë kryesisht hua që i merr biznesi i vogël ishte 7.7%, dhe synimi është që interesi të jetë nën 4% përmes këtij programi të ri.
Duke reduktuar kostot për likuiditetin që bankat e nivelit të dytë marrin pranë Bankës së Shqipërisë synohet të rritet aksesi në financim për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme. Kjo është edhe kategoria e bizneseve që ka më të vështirë të tërheqë një kredi, për shkak të likuiditetit që u mungon këtyre ndërmarrjeve.
Përfitues të kësaj skeme të re financimi pritet të jenë edhe bizneset që operojnë në sektorin e bujqësisë që kanë edhe vështirësinë më të madhe për të marrë kredi për shkak të problemeve dhe pasigurisë që kanë për ecurinë e aktivitetit të tyre.
Në total gjatë 11-mujorit të vitit të kaluar kredia e re e dhënë për ekonominë nga bankat ishte 331.9 miliardë lekë nga 273.7 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit 2023.