TIRANE - Në selinë e PD pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit përballë të majtës së bashkuar e të udhëhequr nga Rama ka rënë qetësia. Edhe ditën e djeshme, asnjë nga drejtuesit e lartë të kësaj partie nuk është dukur në selinë blu, qoftë dhe për të treguar se humbja e 23 qershorit dhe kalimi në opozitë pas 8 vitesh në qeverisje, nuk i ka rrënuar.

Vetëm roja qëndron në këtë seli, ndërkohë që dhe ish-nënkryetari i PD Astrit Patozi i cili shkonte gjithnjë në zyrën e tij, që me deklarimin e dorëheqjes nga posti partiak por dhe nga kandidimi për ndonjë post në të ardhmen, nuk është dukur më. Ndërkohë kryeministri Berisha, me sa duket ende nuk e pranon faktin se ka humbur zgjedhjet, qëndron gjithnjë në zyrën kryeministrore, ndonëse më pak kohë shpenzon në zyrën që po lë. Sipas burimeve, Berisha po merret njëherësh dhe me zbrazjen e zyrës së tij në kryeministri nga dokumentacioni, nga kasetat e mbledhjeve të qeverisë dhe të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Teritorit, por dhe nga dhuratat e shumta që ka marrë gjatë këtyre tetë viteve në qeverisjen e vendit e po i dërgon në zyrën e tij në PD.

Një lajm të cilin e ka botuar dhe gazeta jonë ditë më parë dhe është bërë objekt pasqyrimi dhe për mediat e tjera. Nga ana tjetër mësohet se kryetari i ri Lulzim Basha po vijon përgatitjet për analizën e humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit përballë të majtës, duke filluar nga baza e partisë dhe deri në qendër. Mbështetur dhe në këtë analizë dhe përgjegjësi për të ardhmen do të fillojnë zgjedhjet për krerët e degëve të PD në të gjithë vendit, por dhe të seksioneve dhe grupseksioneve në bazë të mbështetjes për kryetarin e ri që ka mbështetjen e liderit historik Berisha. Mësohet se kujdesi më i madh po tregohet për të zgjedhur në krye të degëve të PD njerëzit që ofrojnë mbështetje pa kufizim për Bashën, duke shmangur në këtë mënyrë të gjithë ata që kanë dhënë mbështetje për rivalin e tij për postin e kreut të PD, Olldashi.

Mësohet se paralel me kujdesin për të përzgjedhur në krye të degëve të PD jo kundërshtarë të Bashës, po tregohet kujdes dhe në përzgjedhjen e kandidatëve për Kuvendin Kombëtar që pritet të mblidhet në fillim të vjeshtës. Në Kuvendin Kombëtar delegatët do të jenë ata që përmes votimit të fshehtë do të përzgjedhin forumin më të lartë drejtues në periudhën mes dy Kuvendeve, Këshillin Kombëtar. Përbërje e të cilit ashtu sikurse ka paralajmëruar dhe lideri historik e ish-kreu i PD para zgjedhjes së Bashës si pasues i tij në krye të partisë, do jetë në favor të Bashës, me qëndrimin:

Fituesi i merr të gjitha, pra ka ekipin e tij në Këshillin Kombëtar. Pas kësaj në një kohë më të vonë do jetë ky Këshill që do të zgjedhë anëtarët e kryesisë së PD, duke shmangur në këtë mënyrë ngjitjen në kryesi të kundërshtarëve të Bashës. Pas kësaj do zgjidhen dhe sekretariati, ku në postin e sekretarit të përgjithshëm në vend të Ritvan Bodes mësohet se do të zgjidhet Genc Pollo, njeriu që e e ka pasur plot 14 vite më parë. Ndërsa si nënkryetarë të PD mendohet se do zgjidhen Arben Imami që do jetë njëherësh kryetar i grupit parlamentar të PD dhe Majlinda Bregu që mendohet të jetë dhe nënkryetare e Kuvendit, pasi i takon një post i tillë PD. Pjesa tjetër sipas preferencave të Bashës, ndërsa shmangen të vjetrit.

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.07.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)