Skena e dhunës në Zveçan shndërrohet në shëtitore

Skena e dhunës në Zveçan shndërrohet në shëtitore

Zveçan

“Zveçani (rruga rreth ndërtesës së komunës) është bërë një lloj shëtitoreje, ka pleq e të rinj, vend ku mund të bisedojnë”. Kështu e përshkruan udhëheqësi i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe”, Aleksandër Arsenijeviç, atmosferën e protestave në këtë komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Protestat e serbëve lokalë janë tashmë në javën e tretë, ndërsa Arsenijeviç merr pjesë pothuajse çdo ditë në to.

Ai thotë se qytetarët nuk i informon askush për asgjë, se ata informohen përmes mediave dhe se nuk ka rrugëdalje nga kriza që po zhvillohet.

Ngjashëm thotë për Radion Evropa e Lirë edhe Millija Bishevac, kryetar i Iniciativës Qytetare “Për Zubin Potokun”, i cili po ashtu del në protesta në komunën e tij.

“Ne ende nuk shohim asnjë tregues se ka zgjidhje. Presim që Beogradi dhe Prishtina zyrtare të ulen në tryezë dhe të gjejnë zgjidhje”, thotë Bishevac.

Grupe serbësh në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - komuna në veri të Kosovës - protestojnë që nga 29 maji kundër kryetarëve shqiptarë, përkatësisht kundër hyrjes së tyre në objektet komunale.

Në tria këto komuna vetëqeverisja lokale, që funksionon sipas sistemit të Kosovës, është e vendosur në të njëjtat objekte ku punojnë edhe autoritetet e përkohshme komunale sipas sistemit të Serbisë. Vetëm në Mitrovicën e Veriut - po ashtu në veri - komuna e Kosovës është e ndarë fizikisht nga ajo serbe dhe atje qytetarët nuk protestojnë.

Banorët e këtyre tri komunave nuk duan të flasin publikisht për qëndrimet apo kërkesat e tyre, për shkak të, siç shprehen, frikës se mund të arrestohen për “shkelje të rendit kushtetues të Kosovës”.

Më 2 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lexuar në foltoren e Kuvendit emrat e personave që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në përleshjet mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-së, KFOR, në Zveçan, më 29 maj.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë së Kosovës me pyetje për hapat e mëtutjeshëm drejt shtensionimit të situatës në komunat në veri të Kosovës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk mori përgjigje.

Me të njëjtat pyetje REL-i iu drejtua edhe Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, si dhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, por nuk mori përgjigje.

Ngjashëm nuk u përgjigjën as nga Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Arsenijeviç thotë se është Prishtina ajo që duhet ta bëjë hapin e parë drejt uljes së tensioneve, përkatësisht tërheqjes së forcave speciale nga veriu i Kosovës.

“Pas kësaj duhet të formohet Asociacioni i komunave [me shumicë] serbe, të cilin serbët e dëshirojnë dhe për të cilin besojnë se mund t’i mbrojë të drejtat e tyre kolektive. Me formimin e Asociacionit, njerëzit do të kthehen në institucionet [kosovare] dhe zgjedhjet [do të vijnë] si qershia mbi tortë”, thotë Arsenijeviç.

Pjesëtarët e komunitetit serb, përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kërkojnë më shumë autonomi dhe formimi i tij është një prej kërkesave të tyre për t’u kthyer në institucionet e Kosovës, të cilat i kanë lënë në nëntor të vitit të kaluar.

Bishevac vlerëson se situata në veri të Kosovës është “alarmante” dhe se tërheqja e njësisë speciale të Policisë së Kosovës tani është e nevojshme që kriza të mos thellohet.

“[Zgjidhja e krizës] duhet të kthehet në arenën politike, gjegjësisht të diskutohet mes politikanëve të pushtetit në Prishtinë dhe përfaqësuesve të serbëve që jetojnë këtu, që të gjendet një zgjidhje. Sepse, kjo krizë mund të zgjasë shumë dhe kemi një sistem që nuk funksionon”, thotë Bishevac.

Ai shton se një pjesë të përgjegjësisë për krizën e fundit në veri e bart bashkësia ndërkombëtare, sepse “nuk e kuptoi seriozitetin e situatës kur serbët u larguan nga institucionet e Kosovës”.

Ri regjistrimi i automjeteve me targa serbe në targa të Kosovës, në mes të vitit 2022, u bë shkas i nisjes së tensioneve në veri të Kosovës. Disa muaj më vonë, serbët atje, përfshirë kryetarët e komunave, u larguan nga institucionet e Kosovës.

Për këtë arsye, në veri u organizuan zgjedhje të jashtëzakonshme lokale, të cilat popullata serbe i bojkotoi. Ajo tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët shqiptarë.

A nxiten krizat në veri të Kosovës?

Politologu Ognjen Gogiq nga Mitrovica e Veriut vlerëson se Prishtina dhe Beogradi me vetëdije nxisin kriza në veri të Kosovës, për hir të qëllimeve politike. Sipas tij, Kosova dëshiron ta sigurojë njohjen nga Serbia, ndërsa kjo e fundit dëshiron që “dialogu të zgjasë pafundësisht”.

“Prishtina, me krizat që ka krijuar, ka bërë që ndërmjetësuesit ndërkombëtarë të iniciojnë marrëveshje nga Brukseli dhe Ohri, rrugë drejt normalizimit. Por Beogradi, pastaj, ka bërë që ato [marrëveshje] të jenë të pakuptimta, përkatësisht ka pamundësuar zbatimin e tyre”, thotë Gogiq.

Në fund të marsit, Kosova dhe Serbia pranuan një marrëveshje drejt normalizimit të marrëdhënieve në bazë të një propozimi të BE-së, ndërsa aneksi për zbatimin e saj u dakordua në mes të prillit. Kjo marrëveshje dhe ky aneks erdhën pas krizës në veri të Kosovës që shkaktoi riregjistrimi i makinave me targa serbe.

Gogiç thotë se Kosova dhe Serbia aktualisht janë duke zhvilluar “beteja llogoresh”. Sipas tij, protestat në veri mund të zgjasin për kohë të gjatë, duke pasur parasysh se “serbët janë të organizuar mirë”.

Për punonjësit në institucionet serbe, dalja në protesta është një lloj obligimi pune. Për shembull, punëtorët e autoritetit të përkohshëm komunal të Zveçanit, çdo ditë, nënshkruhen në librin para ndërtesës se kanë “ardhur” në punë. Ditëve të fundit, në protesta morën pjesë edhe punëtorët e shëndetësisë dhe arsimit, që funksionojnë sipas sistemit serb.

“Kështu që ata, realisht, mund të qëndrojnë gjatë në atë gjendje - para së gjithash në protestat në Zveçan, por edhe në komunat tjera”, thotë Gogiq dhe shton se KFOR-i dhe Policia e Kosovës kanë forcuar, po ashtu, pozicionet e tyre në dhe rreth objekteve komunale.

Mesazhet nga komuniteti ndërkombëtar

Vendet perëndimore e kanë dënuar ashpër vendimin e autoriteteve të Kosovës për t’i dërguar me forcë kryetarët shqiptarë në objektet komunale.

Në Kosovë, javën e kaluar, ishin i dërguari evropian dhe ai amerikan, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar, të cilët bënë thirrje për qetësim të menjëhershëm të tensioneve.

Ata kërkuan nga Qeveria e Kosovës shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri, tërheqjen e forcave speciale nga ndërtesat komunale dhe kthimin në dialogun me Serbinë. Nga Beogradi zyrtar u kërkua që të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja të mundshme.

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha më 12 qershor se ai dhe kolegu i tij amerikan, Gabriel Escobar, shpresojnë në rezultate, por se “tensionet janë ende të larta”.

“Ne vazhdojmë përpjekjet tona për të mundësuar dhe mbështetur një zgjidhje të qëndrueshme politike”, shkroi Lajçak në llogarinë e tij në Facebook.

Takimi i Listës Serbe me Vuçiçin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu gatishmërinë për të miratuar propozimet e ndërmjetësuesve perëndimorë, por me kushte të caktuara - gjë që nxiti kritika të mëdha nga bashkësia ndërkombëtare.

Kurti tha se është i gatshëm të punojë për shtensionim të situatës, por vetëm kur “grupet kriminale” të largohen nga veriu, gjegjësisht të arrestohen apo “të kthehen në Serbi”.

Autoritetet e Kosovës fajësojnë Beogradin zyrtar për shumicën e trazirave në veri të Kosovës.

Nga ana tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, takoi përfaqësuesit e Listës Serbe më 12 qershor, ashtu siç edhe paralajmëroi pas takimit me Lajçakun dhe Escobarin.

Goran Rakiç, kryetar i kësaj partie, e cila u formua në vitin 2013 me ndihmën e Beogradit, tha se nga Vuçiqi është kërkuar mbështetje në luftën kundër “persekutimit” të serbëve nga autoritetet e Kosovës.

“Kur them persekutim, kam parasysh persekutimin e njerëzve që morën pjesë në barrikada vitin e kaluar dhe që morën pjesë në protesta këtë vit”, tha Rakiq.

Arsenijeviq dhe Bishevac thonë se serbët në veri kanë frikë se mund të jenë në ndonjë listë për arrestim, sepse marrin pjesë në protesta kundër vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Ata shtojnë se vetë kryeministri i Kosovës “etiketon” individë, duke përmendur publikisht emrat e personave që dyshohet se janë pjesë e grupeve kriminale.

Institucionet kompetente të drejtësisë nuk u deklaruan deri më tash në lidhje me këtë çështje.

“Ata mendojnë se, në këtë mënyrë, çdokush mund të jetë në një listë dhe kushdo mund të jetë në shënjestër. Pra, familjet mendojnë se është një sulm personal ndaj tyre”, thotë Arsenijeviq.

“Qeveria në Prishtinë duhet të jetë e vetëdijshme se duhet të flasë me njerëzit, si me përfaqësuesit politikë, ashtu edhe me qytetarët e thjeshtë, sepse jo të gjithë janë kriminelë. Këta njerëz që qëndrojnë para komunës, nuk përfaqësojnë kriminelët”, thotë Bishevac.

Politologu Gogiç e sheh emërtimin publik të kriminelëve të dyshuar nga veriu si një mënyrë të autoriteteve të Kosovës për t’i ngritur qëllimisht tensionet.

“Me ato lista dhe arrestime individuale, ata duan t’i mbajnë serbët në atë gjendje të pasigurisë dhe nervozizmit... është një mjet taktik," beson ai.

Zëdhënësi i KFOR-it, kolonel Andrea Gallieni, tha javën e kaluar se pas protestave të dhunshme në Zveçan, më 29 maj, qëndrojnë disa grupe kriminale.

Ai shtoi se i takon Policisë së Kosovës që t'i identifikojë ata individë. Sipas tij, përgjegjësinë për tensionet në veri të Kosovës duhet ta mbajnë të dyja palët. Gjatë incidenteve në Zveçan, pesë persona u arrestuan, por Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi paraburgim prej një muaji vetëm për dy prej tyre./REL

G.MO/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Policia gjermane i largon protestuesit propalestinezë nga Universiteti i Berlinit

Policia gjermane i largon protestuesit propalestinezë nga Universiteti i Berlinit