Skenari i PD për ta kthyer
2017-n në një 1997

Skenari i PD për ta kthyer<br />2017-n në një 1997
Viti i Ri ka nisur me një taktikë të qartë të Partisë Demokratike për të shumëfishuar akuzat lëshuar qeverisë, duke nisur që në ditët e para të janarit me akuzat për “krim qeveritar” për vetvrasjen e një 22-vjeçari në burgun e Rrogozhinës.

Ndërsa taktika për të akuzuar qeverinë për gjithçka duket prej kohësh se është pjesë e strategjisë zgjedhore të PD, skenari për të krijuar trazira të ngjashme me ato të vitit 1997 është oguri më i frikshëm për këtë vit të saponisur.

Këtë të hënë, ndërsa pritej opozita shqiptare të fillonte të mobilizonte bazën, të ndizte motorët elektoralë si dhe të shpaloste alternativën e saj qeverisëse, befas ka ndodhur e kundërta, duke hedhur idenë e shtyrjes së zgjedhjeve të 18 Qershorit. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka kërkoi që në zgjedhjet e ardhshme të përdoret teknologjia për të numëruar votat. “Teknologjia mund të përdoret në zgjedhjet e ardhshme nëse ka vullnet politik, por Rama nuk e ka”, u shpreh ai.

Mungesa e teknologjisë, së bashku me kartën e hedhur prej dy vitesh se paratë e hashashit përdoren për të blerë votën, duket se do të jenë dy alibitë e PD për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve të ardhshme.

Ndërkohë, kryetari i PD, Lulzim Basha ka shtruar terrenin për të destabilizuar vendin. Pas bojkotit të reformës në drejtësi, Basha tha në fillim të janarit se skenari i PD deri në 18 qershor do të jenë protesta të vazhdueshme kundër qeverisë. Në skenarin e opozitës, protestat duhet të reflektojnë një gjuhë sa më përçarëse dhe mundësisht të jenë sa më të dhunshme, për të elektrizuar popullin në dobi të interesave të saj politikë.

Aktualisht, njohim dy pikat e para të skenarit, protestat që do të mbahen deri në zgjedhjet e 18 qershorit dhe dy justifikimet, hashashin dhe teknologjinë, që do të përdoren nga PD për të mosnjohur ose bojkotuar zgjedhjet.

Hallka e tretë që përmbush këtë skenar ogurzi është dhuna, e pranuar me gojën e tyre nga përfaqësues të lartë të PD-së. Deputeti Ristani nisi këtë lojë duke thënë disa muaj më parë se “nuk do të shkojmë në zgjedhje me Ramën Kryeministër”. Edmond Spaho vazhdoi më tej duke kërcënuar se “vendi do të futet në rrugën e destabilitetit politik dhe të përplasjes në sheshe dhe rrugë. Kambanat bien për ata që kanë veshë për të dëgjuar”. I fundit, premtimi i frikshëm i ish-Ministrit të Brendshëm, Flamur Noka: “Guxoni dhe prekni votën dhe do të gjeni këtu, do t’ju duket lule ’97-a, ç’a ka për t’ju gjetur. Po ua them unë, të kërcënoj ty, qeverinë tënde bandite, po cenuat votën, do të ketë një revolucion demokratik qytetar që nuk do të gjeni vrimë ku të hyni”.

Në kohën kur Noka bëri këtë deklaratë në Parlament u mor thjesht për konsum politik, por tashmë duket se ajo është pjesë e një skenari ogurzi për vendin, i nisur me bllokimin e reformës në drejtësi dhe të integrimit europian me shpresën se kjo do të rrëzonte qeverinë dhe i kaluar tashmë në planin B të PD-së, përçarje, destabilitet dhe në fund, dhunë…/Lexo.al

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

‘Java e suksesit, nëse do të…’ Jorgo Pulla këshillon shenjat / Horoskopi javor 1-7 korrik

‘Java e suksesit, nëse do të…’ Jorgo Pulla këshillon shenjat / Horoskopi javor 1-7 korrik