Anëtarët e sindikatës “Shoqëria e Skenaristëve në lindje të Amerikës” një sindikatë që përfaqëson skenaristët e filmave dhe shfaqjeve televizive në Nju Jork, ndodhen në grevë, me kërkesën për ngritjen e mirëqenies së tyre në punë. Kjo është dita e tretë e grevës së skenaristëve, një veprim që ngadalësoi gjithë industrinë dhe detyroi shumë shfaqje televizive të ndërpresin prodhimin.
Krahas kërkesave të tjera, sindikata po kërkon rritjen e pagës minimale për skenaristët dhe shtimin e numrit të atyre, që shkruajnë skenarin e një filmi apo shfaqjeje televizive. Skenaristët thonë se në të kaluarën këto kushte janë respektuar. Por ata ankohen se epoka dixhitale, ka ndryshuar trajtimin e tyre.
“Po jetojmë në një ekonomi me kontrata afatshkurtëra. Një kontratë, me të cilën dikur mund të jetoje, tani është një nga katër angazhimet tuaja në një vit. Nuk është punë e qëndrueshme në të cilën mund të mbështetesh. Kjo nuk është mënyra e duhur për të jetuar, për të krijuar siguri financiare. Dikur skenaristët kishin siguri financare, por jo më. Ne po përpiqemi ta kthejmë atë”, thotë CA Johnson, skenariste.
![]()
“Skenaristët duhet të paguhen ashtu siç e meritojnë dhe ne nuk duhet të zëvendësohemi me teknologjinë. Sado e përparuar, teknologjia nuk mund të jetë më e mirë sesa një qenie njerëzore”, thotë skenaristi Alex English.
“Skenaristët janë njerëzit e mi të preferuar. Ata që janë me ne dhe ata që nuk jetojnë më. Suksesi im si aktore është për shkak të tyre. 80 për qind e asaj që unë dua në kulturën tonë vjen prej tyre”, thotë aktorja Cynthia Nixon.
Në grevën e fundit të së njëjtës sindikatë, më 2007 dhe 2008, u deshën tre muaj për ta tejkaluar ngërçin. Ende nuk ka ndonjë plan për bisedime midis sindikatës dhe aleancës së prodhuesve të filmit dhe televizionit, e cila përfaqëson studiot dhe kompanitë prodhuese.
“E kuptoj se tani ka shumë më shumë prodhime televizive. Dikur numri i skenaristëve ishte më i vogël. Por tani nuk po investohet në zhvillimin e tyre. Në kohët e vjetra zanatin e mësoje nga skenaristët më me përvojë. Tani ata duan ta eliminojnë këtë. Po dëmtojnë të tjerët dhe veten”, thotë Michael Winship, kryetar i sindikatës “Shoqëria e Skenaristëve në Lindje të Amerikës”.
Të gjitha emisionet e natës u ndërprenë. Monologjet dhe shakatë e drejtuesve të këtyre emisioneve përgatiten nga skenaristët. “The Tonight Show” i rrjetit NBC, “Daily Show” nga Comedy Central, “Jimmy Kimmel Live” i rrjetit ABC”, “The Late Show” nga CBS dhe “Late Night” i NBC-së, planifikonin të transmetonin këtë javë. “Saaturday Night Live” e rrjetit NBC, të shtunën, në vend të episodit të ri do të ritransmetojë një episod të vjetër, ndërsa dy episodet e ngelura të sezonit mund të mos realizohen fare.
Ndikimi i grevës në seriale dhe filma nuk do të vërehet menjëherë, megjithëse disa projekte, si “Yellowjackets” e kompanisë “Showtime”, ndërprenë prodhimin e sezoneve të ardhshme. Nëse greva vazhdon gjatë verës, oraret televizive të vjeshtës mund të ndryshojnë. Ndërkohë, prodhimet me skenarë të përfunduar mund të vazhdojnë xhirimet./VOA
Komente

