TIRANE - Ish-të përndjekurit dhe të burgosurit politikë kanë bërë thirrje që opozita e djathtë të mos shkojë pas Sali Berishës në protesta për të destabilizuar situatën në vend. Duke komentuar 20 shkurtin ditën e përvjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit komunist Enver Hoxha 23 vite më parë, kryetari i shoqatës së të Burgosurve Politikë të Shqipërisë Skënder Tufa në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” shprehet se 20 shkurti ishte një akt madhor që shënoi rrëzimin e komunizmit, por është spekuluar shumë me këtë akt dhe për më tepër që PD është distancuar asokohe nga rrëzimi i bustit.

Nga ana tjetër ai akuzon Berishën se gjatë tërë këtyre viteve, ka qënë 14 vite president dhe kryeministër dhe asnjëherë nuk e ka dënuar komunizmin e diktatorin Enver Hoxha, por ai është një kopje e keqe e tij, ka dënuar ish të burgosurit politikë. Pasi vetëm një vit më parë, thekson Tufa, Berisha si kryeministër i vendit arrestoi disa ish-të burgosur politikë.

Sipas tij, pa asnjë dyshim, këto lëvizje të Berishës dhe mbështetësve të tij ishin të mirëdirigjuara nga Ramiz Alia i cili pas këshillave të Gorbaçovit hodhi marrëveshjen e “Katovicës” të cilën e zbatoi ish-kryeministri Berisha gjatë tërë qeverisjes së tij, duke mos dënuar komunizmin, duke mos hapur dosjet për 23 vite me radhë, i vetmi vend i Evropës që nuk e ka bërë një akt të tillë dhe duke punuar në kundërshtim me aspiratat e shqiptarëve. Në këtë konteks kreu i shoqatës së ish-të burgosurve politike u bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të jenë të kujdesshëm me protestën, pasi Berisha po u kërkon të jenë si mekanizëm destabilizimi.
 
Eshtë folur shumë për rrëzimin e diktaturës, rishikimin e historisë. Si e vlerësoni qëndrimin e politikës shqiptare gjatë këtyre viteve ndaj diktaturës së Enver Hoxhës?
Rishikimi i historisë është një domosdoshmëri që duhet të fillojë me hapjen e dosjeve të ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit, pasi kjo është një pikë e rëndësishme për të rishikuar kush na ka qeverisur gjatë këtyre 23 viteve pas rrëzimit të komunizmit. Njerëzit duhen të jenë të ndërgjegjshëm se çdo e keqe ka ardhur si rezultat i moskontrollit të figurave politike që kanë drejtuar ndër vite vendin.

Enveri ka qënë në krye të qeverisë dhe të shtetit shqiptar për 45 vjet dhe pa dyshim ka lënë gjurmët e tij në jetën e vendit. Figura e tij e paanalizuar është gjykuar nga rruga dhe propaganda por jo nga akademikët dhe as nga ligji. Ai u katapultua në PKSH dhe e hapi rrugën e kreut të saj duke eleminuar rivalët dhe mori kreun e qeverisë, pasi zhvilloi një luftë civile, por fuqitë e mëdha e njohën si drejtuesin i një vendi aleat të Luftës së Dytë Botërore.

Në emrin e Enverit, Shqipëria kaloi nga një vend bujqësoro-agrar në një vend agraro-industrial, por me emrin e tij u dëbuan, u internuan, u burgosën, u torturuan dhe u pushkatuan me qindra e mijëra shqiptarë. Ishte pikërisht Enver Hoxha që urdhëroi prishjen e kulteve fetare duke e bërë Shqipërinë vendin e vetëm ateist në botë. Sistemi i drejtuar prej tij kapitulloi ashtu si në të gjitha vendet e lindjes, por që në Shqipëri kishte lënë gjurmë më të thella dhe si rezultat shoqëria shkoi drejt dekompozimit, çka solli urrejtjen popullore e cila doli në rrugë.
 
Vetëm një ditë na ndan nga 20 shkurti, pikërisht dita kur 23 vite më parë qytetarët e Tiranës dhe studentët rrëzuan bustin e diktatorit Enver Hoxha. Si e keni përjetuar asokohe këtë akt të madh që shënoi rrëzimin e diktaturës dhe si e vlerësoni qëndrimin e opozitës së djathtë ndaj kësaj date të rëndësishme...?
Në këtë datë unë personalisht kam qënë i burgosur politik në burgun e shën Vasilit në Sarandë dhe i kam ndjekur bashkë me mikun tim Hysen Shoshori nga ekrani. Mbaj mend që menjëherë pas rënies së bustit, Partia Demokratike është distancuar nga ky akt heroik i qytetarëve.

Pa asnjë dyshim, këto lëvizje ishin të mirëdirigjuara nga Ramiz Alia i cili pas këshillave të Gorbaçovit dhe vendimeve të “Katovicës”, po kryente paqësisht transformimin e PPSH në celula e më pas në pluripartitizëm. U shfrytëzua në këtë skenar dhimbja dhe urrejtja popullore, protagonistët e së cilës qenë heronj të vertetë që nuk u vlerësuan nga ana e atyre që erdhën në pushtet dhe qeverisën me votat e tyre dhe në emër të tyre për shumë vite me radhë.

Përvetësimi i 20 shkurtit nga Partia Demokratike është sa qesharake aq edhe dhimbshme, sepse janë pikërisht drejtuesit e kësaj partie që jo vetëm u distancuan por dhe i ripersekutuan ata që treguan vlera kombëtare. Vjet, më 20 shkurt Sali Berisha arrestoi një grup të burgosurish politikë dhe i mbajti për 10 orë në birucat e komisariateve, duke ju rikujtuar se çdo person që ndërgjegjësohet ndëshkohet. Dhe një ndëshkim i tillë pikërisht në 22 vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha një vit më parë ka ardhur sipas filozofisë së komunizmit, prej të cilës shqiptarët kanë vuajtur për 45 vite me radhë.
 
Ju mendoni se ish-kryeministri dhe kreu i PD nuk ka pasur lidhje me rrëzimin e bustit të diktatorit. Ju mendoni se ai ende nuk e ka dënuar diktaturën komuniste...?
Sali Berisha në datën 20 shkurt 1991 është fotografuar brenda një veture të bardhë, duke ndjekur sëbashku me punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës. Ky njeri pasi mori pushtetin shkeli çdo vlerë, rrënoi çdo arritje, luajti me integritetin kombëtar, vrau dhe dogji pa ligj qytetarët e këtij vendi, madje dhe ata që kishin vuajtur më shumë nga diktatura komuniste, nuk e preku figurën e Enver Hoxhës dhe të vjen për t’u çuditur kur pikërisht ky person, që është lumturuar duke i dhënë dorën që nuk e ka larë për një javë, fillon të propangandojë kundër figurës së tij, duke e quajtur kriminel e xhelat.

Serioziteti i këtyre britmave të çjerra të këtij vampiri është fare i qartë për çdo qytetar. Ishte pikërisht Sali Berisha personi fuqiplotë në politikën shqiptare, dhe në këto 23 vite postdiktature, ai ka qënë President, Kryeministër për 14 vite kohë që ka qënë e mjaftueshme për të bërë të mundur dënimin e këtij xhelati siç shprehet ai, por duke mos e bërë ka vertetuar se është një kopje e shëmtuar e diktatorit. Dhe nuk janë të rastësishme ngjarjet që kanë ndodhur në qeverisjen e tij apo kur ka qënë në opozitë, por që gjithnjë ka qënë një protagonist i parë. Shqiptarët e kanë parë, e dinë dhe nuk e harrojnë kurrë.
 
Si i komentoni thirrjet e liderëve të PD për të marrë pjesë masivisht në protestën marshim të 20 shkurtit kundër qeverisë së majtë të kryesuar nga Rama...Mendoni se sjell probleme?
Nuk ka kaluar asnjë vit kur qytetarët shqiptarë morën frymë lehtësisht pas largimit të Sali Berishës nga pushteti dhe tani ai kërkon që të shfrytëzojë ata njerëz të ndershëm, që qorrazi e ndoqën pas edhe pse i mashtroi, i vodhi, iu shiti integritetin për komerc politik, vrau e dogji njerëz të pafajshëm tani kërkon që duke shfrytëzuar 20 shkurtin që vetë e ka mohuar që ditën e parë, të çojë njerëzit drejt protestave për të destabilizuar vendin për qëllime të ngushta personale dhe klanore.

Askush nuk e do anarshinë, prezantimin negativ në momentet decizive për integrimin e Shqipërisë, veç atyre që kanë punuar dhe punojnë kundër këtij vendi për llogari të atyre segmenteve që ata e dinë e mirë. Shpresoj që ndergjegja qytetare të reagojë pozitivisht, shpresojmë që qytetarët e këtij vendi të jenë të ndërgjegjshëm se me kë kanë të bëjnë, shpresoj që ata që e kanë ndjekur për vite me radhë të jenë të kujdesshëm në këtë shpërthim të tij, vetëm disa muaj pas largimit me votën popullore nga pushteti. Pushtet me të cilin abuzoi shumë, për vite e vite me radhë pa i sjellë asgjë të mirë popullit të tij.
 
Shkrimi u publikua sot (19.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)