Ishte epoka e gurit... pastaj erdhi ajo e bakrit dhe e bronxit. Epoka e hekurit daton 3100 vjet më parë dhe në një farë mënyre vazhdon edhe në ditët tona. Pas hekurit dhe e lidhur me të, vjen “Epoka e skrapit”. Nuk mund të themi se Epoka e skrapit nuk mund të lidhej edhe me epokën e bakrit dhe atë të bronxit por nga që këto metale janë më të rralla, ajo ka parapëlqyer hekurin.

Që të mos egzistonte Epoka e skrapit, duhej që epoka e hekurit të zëvendësonte atë të gurit dhe ajo e gurit të vinte deri tek ne, gjë që është , në mos e pamundur e vështirë për t’u realizuar.

Të thuash: “Jetojmë në epokën e skrapit”, është njësoj si të thuash jetojmë në epokën e internetit, por jo të gjithë vendet e kanë atë fat , që të jetojnë në “Epokën e skrapit.” Në rradhë të parë duhet të kesh skrap dhe pastaj të dish ta përdorësh atë. “Epoka e skrapit,” ekskluzivitet i vendit të shqiponjave, si çdo epokë tjetër, filloi në mënyrë graduale , duke punuar dhe eksperimentuar, pra me të parë e me të bërë.

Ajo filloi me marjen në dorëzim të kapakëve të pusetave të rrugëve, të cilat dhanë rezultate të mahnitëshme, jo vetëm për shkak të peshës dhe vlerës së tyre, por edhe sepse i bënin për skrap edhe automjetet që binin në gropat që ato linin pas. Por prodhimi shkencor i skrapit, kishte filluar pak më herët.

Torno të shtrenjta, makineri, tanke, avionë, shina hekurudhash, lokomotiva,vagonë dhe mjete të tjera u sharruan shkencërisht dhe u shitën për skrap. Ndërkohë njerëzit e thjeshtë, që i mbanin sytë dhe veshët lart, për të parë e për të dëgjuar , iu turrën me vare bunkerëve dhe i zhveshën deri tek hekuri i fundit, punë që po të ishte paguar , ashtu sic duhej bërë në të vërtetë, do të ishte e pa përballueshme financiarisht.

Si u mbaruan edhe bunkered, nuk kishte mbetur veçse ndonje objekt simbolik i patriotizmit për t’u gllabëruar.Dhe kësisoj I erdhi rradha monumentit të 100 vjetorit të pavarësisë.

Mos ngrini monumente prej metali, u thanë, se do t’iu shkojnë për lesh, që do të thotë për skrap. Bëjini prej betoni , por pa hekur brenda, nëse doni të kenë jetë të gjatë. Por nuk i dëgjuan. Kush nuk ka veshë për të dëgjuar , ka skrap për të harxhuar. Dhe e bënë prej metali, madje tepër të kushtueshëm, monumentin e 100 vjetorit të pavarsisë … dhe u shkoi për lesh, desha të them për skrap.

Po si, kaq shpejt përparoi “Epoka e skrapit”, pa shembuj të kahershëm të traditës? Ç’bëhej me skrapin 100 vjet më parë? Asgjë. Injoranca e thellë, por edhe përdorimi më i rallë i hekurit, shpirtit binjak të skrapit, ndoshta bënin që… Por dale , të mos nxitohemi, se edhe në atë kohë ka ndodhur diçka…, u kullufitën 600km shina dekovil sikur të ishin makarona.

Vetëm se në atë kohë të turbullt, menjëherë pas luftës së parë botërore, nuk kishte firmë “Xhurun” për të shkrirë metalet, por fshatarët me atë largpamësinë e tyre, i shkulën shinat dhe i lanë në ruajtje nëpër kopshte, me mendimin se dikur mund t’ju hynin në punë, tek e fundit nuk kërkonin as bukë dhe as ujë , le të qëndronin aty.

Por më vonë, kur u ndërtuan urat e para prej hekuri , nuk i preku njeri. Pra, mund të themi se kemi ecur përpara me skrapin., si në gjerësi e thellësi, ashtu edhe në shumllojshmëri. Çdo gjë shihet me syrin e skrapit, telat e telefonit, linjat elektrike, shtyllat e tensionit të lartë, dorezat e dyerve, çelsat, me një fjalë çdo gjë metalike.

Shtyllat e tensionit të lartë, fillimisht hidhen në erë me dinamit, pastaj sharrohen me kujdes, paketohen dhe çohen për skrap. A ju kujtohet ajo kënga patriotike që thotë: “ ja marr gomat ia baj openga,”kur, në zjarrin e luftës për çlirim, ishte fjala për të shkatërruar automjetet e armikut.

Patrioti i sotëm të flet me tjetër gjuhë mik i dashur: “T’ia marr disqet t’ia çoj për skrap.” E kujt I shkonte mendja atëhere, kur kishte mungesë të madhe opingash, se do të vinte një kohë, kur disqet do të vlerësoheshin më shumë se gomat. Skrap do të thotë zhvillim në kushtet e ekonomisë së tregut dhe shoqërise së konsumit.

Le të marrim një shembull: Pasi të vetpunësuarit ( biznes I vogël familiar) i marrin kapakët metalikë të pusetave (ata janë dora e parë) ua shesin ato, dorës së dytë.Dora e dytë ia shet firmës Xhurun, e cila I shkrin dhe prodhon kapakë të rinj. Paratë e fituara , dora e parë dhe ajo e dytë I harxhojnë tek lojrat e fatit ose Lloto-sporti.

Lojrat e fatit dhe Lloto-sporti, për të përballuar kërkesat , punësojnë njerëz dhe marrin salla me qera. Me qeranë e sallave jetojnë familje të tëra. Firma “Xhurun” punëson njerëz për shkrirjen e kapakëve dhe njerëz të tjerë për prodhimin e kapakëve të rinj. Pastaj punësohen njerëz për vendosjen e kapakëve.

Të vetpunësuar të tjerë, i heqin ato dhe i shesin. Paratë e harxhuara, harxhohen në Lloto-sport. Kësisoj paraja qarkullon dhe për pasojë nuk ka renie ekonomike si në shumë vende të Europës dhe Amerikës.Tani që skrapi ka filluar të rrallohet, po përdoren metoda të reja për tregtimin e tij.

Shiten kilometra të tëra katrore terrene për shkrap. Por blerësit rrudhin buzët: “Kush na garanton neve se do të gjejmë skrap”? Nuk u mjafton që po e marrin për 1 euro , por kërkojnë dhe garanci të plotë. Kërkoni se do të gjeni! Si ka ardhur puna me skrapin , do të vijë një ditë kur do të na thonë “Ruani shtëpitë!”

Se mund të shkosh me pushime ose diku gjetkë dhe kur të kthehesh, te mos e gjesh shtëpinë. Mund t’a kenë zbërthyer fije-fije, t’i kenë nxjerrë hekurin dhe ta kenë shitur për skrap. Kanë qenë të mira shtëpitë me qerpiç. Por mos u trembni, tani për tani mund të flini të qete, se kjo i takon vetëm së ardhmes.

Gjithsesi duhet patur kujdes, se që tani kanë filluar të thonë për dikë që vdes, ka shkuar për skrap i ziu. Mos dil i ngarkuar me metale në rrugë , se do shkosh për skrap.E vranë për skrap do të thonë. Ç’ farë pune bën zotrote? “Skrapist”. “Mos e ke vrarë ti”? “Po jo mor zotëri, ai ishte vetë skrapist”. “Epo atëhere paska vrarë veten”. Jetojmë në “Epokën e skrapit”, apo në “ Vendin e skrapit”…!

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)