SKRAPAR- Nga Skrapari ku ka prezantuar kandidatët për deputetë për këtë rreth, kreu i Partisë Demokratike i ka kërkuar Ilir Metës të sjellë në këtë qytet kreun e PS, për t’i kërkuar falje skraparllinjve. Sipas kreu të qeverisë, Rama “i ka fyer qytetarët e Skraparit kur sulmonte për origjinën, aleatin e tij të sotëm”.
 
“Unë flas lirshëm, nuk jam rritur rrëzë Tomorit, por jam rritur rrëzë Shkëlzenit. Do t’i kërkoni Ilir Metës një gjë, të sjellë këtu Edi Ramën dhe t’i kërkojë të falur për fyerjet kolektive që i ka bërë Skraparit dhe skraparllinjve. Këtë duhet ta bëjë, po se bëri mos i jepni asnjë votë. Votoni për veten tuaj. Askush në botë nuk ka të drejtë t’ju fyejë juve kolektivisht. Ju keni një histori me të cilën krenoheni dhe do të krenoheni gjithmonë. Pasi ju nuk keni kursyer asgjë për këtë tokë. Ndaj ai zotëria që shëtit me autobusin mavi të vijë të kërkojë të falur për ato sulme që ka bërë ndaj Skraparit për origjinën e aleatit të tij të sotëm” u shpreh Berisha.
 
Kreu i PD-së vijoi më tej akuzat ndaj Ramës, duke u shprehur se atë e kanë braktisur qytetarët. Ndërsa shtoi se 23 qershorit do të shënojë fillimin e investimeve të tjera në Skrapar.
 
“Ju jeni njerëz të mençur dhe ai që përpiqet t’u shesë shqiptarëve sapunin për djathë, është i falimentuar. Qytetarët e kanë braktisur, i ka sheshet bosh. Në 23 qershor do të firmosim fitoren tonë dhe statusin e vendit kandidat, hapjen e marrëveshjes për statusin e anëtarit të plotë, dhe hapjen e negociatave për të 3-fishuar fondet për zhvillimin e vendit.
Ju garantoj se mandatin e ardhshëm, jo që nuk do të jeni më një xhep në gjeografi, por një qendër e fuqishme e kalimit nga koraca, nga Gramshi, nga Përmeti”, tha kreu i qeverisë.
 
Berisha tha se investimet në këtë rreth kanë munguar para qeverisjes së PD-së, ndërsa përmendi edhe investimet e bëra gjatë viteve të fundit në rrugë, shkolla, ujësjellësa, etj.
 
“Alternativa tjetër nuk ka bërë asgjë për Skraparin gjatë kohës që ka qenë në qeveri. Ai përfundoi rrugë që nuk i përfundoi” tha Berisha.
 
BERISHA: DO ZHVILLOJME TURIZIMIN NE SKRAPAR
 
Skrapari ka potenciale të mëdha për turizmin dhe zhvillimi i tij kërkon investime më të mëdha. Sipas kreut të PD-së, qeveria duhet të investojë më shumë në këtë rreth, duke nxitur zhvillimin e turizmit, si dhe të promovimit të kulturës së prodhimit të rakisë.
 
“Skrapari ka potenciale te mëdha për zhvillimin e turizmit. Gjithashtu, rezervat ujore të këtij rrethi janë të mëdha dhe do të bëhet ndërtimi i hidrocentraleve ku do të punohen qindra persona. Skrapari ka të njohur traditën e rakisë, dhe në do të bëjë gjithçka që brendi i rakisë së këtij rrethi të njihet edhe në vendet e rajonit. Shumë shpejt merret vendimi për TAP-in, çka do të ndryshojë ecurinë e zhvillimit ekonomik edhe në këtë zonë, tha Berisha.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)