“Në Komision mu dha mundësia për herë të parë për të folur hapur lidhur me këtë çështje. U kërcënova hapur me një kokë dhie. Kjo ka ndodhur më 19 prill, kur unë prej dy javësh po investigoja këtë trafik nëpërmjet ajrit”, tha Skuqi.
Skuqi ka theksuar se ka marrë dëshmitë e qyetarëve të ndryshëm gjatë investigimit, ndërsa shton se nuk është i përfshirë në politikë.
Cilat janë ato prova që bënë që ndoshta të merrnit kërcënimin?
Të mos ngatërrojmë provat me faktet. Unë hulumtoja faktet, ndërsa është Prokuroria ajo që i verifikon. Njerëzit flasin, mbase nuk guxojnë të flasin live. Të gjitha denoncimet e qytetarëve i kisha të faktuara edhe në videon e fshehtë. Bëhet fjalë për aeroplanë që bëjnë pak zhurmë. Në javën e dytë të janarit policia bllokoi disa persona të veshur me uniformë policie, që bllokuan qytetarët të shkonin në drejtime të ndryshme, derisa avioni u ngrit në ajër. Lëvizjet kanë qenë që nga fillimi i janarit deri në 19 mars sipas tyre. Kjo sipas tyre ka ndodhur rreth 5 herë.
Investigimi im ka nisur dy javë përpara se ish-ministri i Drejtësisë të bënte deklaratën e tij në kuvend. Unë një javë më vonë do të kisha bërë publike faktet. Kam parë videon e filmuar nga një fshatar ku dukej një avion, por s’kam kontaktuar më me të për shkak se u tremb.
Keni fakte të tjera që nuk i keni bërë publike?
Jo të gjitha provat i publikoj, pres të veprojë shteti shqiptar. Trafiku i drogës ka ekzistuar para dhe pas 23 qershorit. unë jam krenar që kam bërë atë reportazh, dhe e dija që po kaloja vijën e kuqe. Duke ditur rëndësinë e investigimit jam munduar të jem i koncentruar.
Familja juaj është kërcënuar me kokën e dhisë. Kush mendoni se e ka bërë këtë? A keni kërkuar mbrojtje?
Aristotel Petro me ka qëlluar me grusht, ndërsa unë isha brenda në makinë me fëmijët e mi. Këtë mesazh me kanë dërguar “Mos e kruani me trafikun, siç je rritur jetim, të lë fëmijët jetim”. Nuk jam përfshirë në politikë, kam respektuar profesionin tim.
TRAFIKU I DROGË, SKUQI TE “MEDIA”: KAM INFORMACION EDHE PËR SARANDËN
Ndërkaq, paraditen e sotme, Komisioni i Medias ka zhvilluar sot një seancë dëgjimore me gazetarin e “RD-së” Telnis Skuqi. Fillimisht në komision pati debate mes deputete Peza dhe Pollo lidhur me vijimin apo jo të kësaj mbledhje për shkak të mungesës së kuorumit.
Sipas Pezës në komisionin duhet të ishin të pranishëm të paktën 14 anëtarë. Për këtë, kryetari i komisionit Genc Pollo kërkoi mendimin e deputetëve të pranishëm, të cilët vendosën vijimin e seancës dhe dëgjimin e dëshmisë së gazetarit Skuqi.
Në komision, gazetari Skuqi foli lidhur me shkrimin e tij investigativ për trafikun e drogës përmes infrastrukturës ushtarake, ndërsa shtoi se ka informacione për trafik droge edhe nga Saranda. Më tej Skuqi tha se nuk është thirrur nga prokuroria lidhur me këtë çështje.
Pas shkrimit investigativ të publikuar, gazetari i “RD-së” u kërcënua 2 herë me jetë, njëherë me SMS dhe më pas, i hodhën një kokë dhie të prerë në banesën e tij në Gjirokastër.
Redaksia Online
(Gre.M/a.ç/shqiptarja.com)