TIRANE - Përcaktimi nga Partia Demokratike i sloganit të fushatës "Ne jemi ndryshimi - Përpara!" ka sjellë reagimin e opozitës. Deputeti socialist Erjon Braçe në profilin e tij personal në rrjetin Facebook ngre një sërë pyetjesh nisur pikërisht nga ky slogan. "Berisha paska zgjedhur sloganin: Përpara!! Po mirë kam një pyetje: Përpara, po ku? Jemi ndër të fundit në botë për nivelin e lartë të korrupsionit!! Përpara po ku? Përpara është më keq", shkruan Braçe.

Më tej deputeti socialist konstaton se Shqipëria është e fundit në Europë për nivelin e ulët të mirëqenies, për nivelin e lartë të çmimeve, për nivelin e ulët të arsimit, për nivelin e ulët të shërbimit shëndetësor. Edhe në këtë linjë, Braçe bën sërish pyetjen "përpara, po ku? Përpara është më keq"!

Duke iu drejtuar Kryeministrit, Braçe thotë se përpara është gremina. "Ti mund të vazhdosh vetëm! Udhë të mbarë! Populli do ndryshim! Menjëherë dhe tani. Ne do ta udhëheqim dhe materializojmë ndryshimin", përfundon Braçe.

Redaksia online
(eç/dm/shqiptarja.com)