TIRANE - Kryeministri Berisha është ndjerë nostalgjik jo vetëm për profesionin e vjetër, atë të mjekut, por edhe për rininë e tij. Pak orë para se të bënte publik sloganin e fushatës elektorale “Ne jemi ndryshimi - Përpara”, në stonim me “të ecurit para”, shefi i qeverisë është kthyer pas në kohë duke postuar në Facebook një foto kur ka qenë i ri.

Duke shprehur lidhjen e ngushtë me të sëmurët, për të cilët është kujdesur prej 23 vjetësh, numri një i ekzekutivit e shoqëron foton e rinisë me shkrimin: “Të dashur miq! Unë për 23 vjet, çdo ditë si mjek tek shtrati i të sëmurit, kam ndjerë, përjetuar dhe prekur vuajtjen, dhimbjen, qëndresën, dëshpërimin dhe shpresën e të sëmurit në luftën e tij heroike me sëmundjen. Çdo orë, çdo ditë, çdo natë te shtrati i të sëmurit, zhvillohet një nga betejat më të egra, më të dhimbshme, por dhe më heroike të njeriut kundër një armiku të verbër e të pamëshirë siç është sëmundja”

Ndër fjalët që i dedikon rinisë së tij dhe konkretisht nostalgjisë ndaj profesionit të mjekut, Berisha veçon paraplegjikët, tetraplegjikët, të verbrit, të cilët, siç shkruan Kryeministri bëjnë një përpjekje mbinjerëzore për t’i “rrëmbyer” sa më shumë jetë ditës së tyre të mërzitshme.

“Midis këtyre miliona qytetarëve, që poetja e mirënjohur Maya Angelou në një poemë të saj i quan "Unsung Heroes" ( heronj të pakënduar) në krye qëndrojnë paraplegjikët, tetraplegjikët, të verbërit”, shkruan Berisha.

Në përfundim, kryeministri nuk lë pas edhe vlerësimin ndaj punës së tij teksa modestish shprehet se “kam bërë gjithçka për të lehtësuar përpjekjen e tyre mbinjerëzore për një jetë sa më normale”. Këtë deklaratë Kryeministri e shoqëron me një grafik ku tregon se sa është rritur paga mujore për këtë kategori të shoqërisë duke bërë një krahasim nga viti 2005 - 2013. Ndërkaq, Berisha nuk përmend ose ka harruar faktin që para dhe tretraplegjikët që prej disa muajsh nuk kanë marrë pagesën e aftësisë së kufizuar.

berisha doktor
grafiku para tretraplegjik berisha facebook

(Foto dhe grafiku që Kryeministri publikoi në rrjetin social Facebook)

Redaksia Online

(Greta Malaj/Shqiptarja.com)