Rusi - Brenda pak orëve Edward Snowden mund të largohet nga sektori i tranziteve të aeroportit të Moskës. Autoritet ruse do ti garantojnë ish-punonjësit të CIA-s dokumentet e nevojshme për tu larguar nga aeroporti i Moskës ku është i bllokuar prej një muaji. Lajmin e bëjnë të ditur burime të agjensisë së lajmeve Interfax.

“Amerikani është duke u përgatitur për tu larguar tani”, ka deklaruar një burim i cili më pas ka shtuar se Snowden ka bërë gati edhe valixhet. Ndërsa një burim anonim ka sqaruar: ”Dokumenti që i lejon ish-punonjësit të CIA-s të lërë zonën e tranzitit në aeroportin e Moskës i është dorëzuar nga një avokat”.

Edward Snowden i cili kërkohet në SHBA pasi ka zbuluar sekretet e programit të përgjimit nga ana e Agjencisë së Inteligjencës Amerikane ka bërë kërkesë për një azil të përkohshëm tek autoritet ruse.

(v.gj/shqiptarja.com)