TIRANË – Presidenti i kompanisë SOCAR nga Azerbajxhani, Rovnaq Abudallayev është takuar sot me në Tiranë me kryeministrin Berisha në selinë e qeverisë. në krye të një delegacioni të nivelit të lartë të kompanisë azere të prodhimit të naftës dhe gazit, Abudallayev garantoi angazhimin e kompanisë SOCAR për të bashkëpunuar ngushtë me autoritetet shqiptare, për të ravijëzuar në detaje masterplanin dhe të gjitha proceset për gazifikimin e Shqipërisë.

Abudallayev shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e Shqipërisë në mbështetje të projekti TAP, si një projekt me rëndësi jo vetëm për Europën, por veçanërisht për rajonin. Ai theksoi se një projekt i përmasave të tilla, me impaktin ekonomik dhe gjeopolitik të tij, do të shërbejë si një themel i fortë për zhvillimin në të ardhmen e Shqipërisë.
 
Kryeministri Berisha nga ana e tij e konsideroi përzgjedhjen e TAP-it si një arritje strategjike të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe një mundësi për intensifikimin e marrëdhënieve shumëanëshe mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Sipas Berishës, projekti ofron mundësi reale për diversifikimin e burimeve të energjisë në vend përmes gazifikimit të Shqipërisë, jo vetëm për qëllime industriale, por edhe për qëllime rezidenciale.

Berisha edhe njëherë shprehu bindjen se autoritetet shqiptare do të përmbushin të gjitha detyrimet për të bërë të mundur përfundimin nga konsorciumi TAP e ndërtimit të gazsjellësit në kohë, sikurse edhe për të garantuar fazën e operimit të tij, sipas angazhimeve të ndërmarra.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)