Socialisti spanjoll Josep Borell, kandidati për të zënë vendin e Federica Mogherinit në krye të diplomacisë europiane është pritur me skepticizëm në Prishtinë.
Kryediplomati i Spanjës më herët e ka konsideruar të paligjshëm pavarësimin e Kosovës nga Serbia, por ka kërkuar që çështja të marrë zgjidhje me kompromis.
72-vjeçari Borell në muajin mars i përsëriti këto qëndrime gjatë një vizite në Beograd, ku tha se sKosovahpallja e pavarësisë në vitin 2008 ishte kryer në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Kandidatura e tij u vlerësua me mosbesim të mërkurën nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Haradinaj sugjeroi që perspektiva e dialogut duhet të udhëhiqet tanimë nga shefja e re gjermane e Komisionit Europian, Ursula van der Leyen.
“Sa i përket dialogut dhe zgjedhjes së një spanjolli është herët të flasim se ku do të përfundojë dialogu, a do të rikthehet atje ku ishte apo do të kthehet në Komision”, tha Haradinaj.
Më kritik me kandidaturën e Borell u shpreh kryetari Ahmeti i Partisë Socialdemokrate.
Ndërkaq në Beograd, presidentit Aleksandër Vuçiç tha se emërimi i përfaqësuesit spanjoll në krye të politikës së jashtme europiane është lajm i mirë për Serbinë, por vështirë se do e lehtësojë dialogun me palën kosovare.
“Emërimi i spanjollit Josep Borrell si përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri është një lajm i mirë për ne, por situata mbetet e vështirë. Nuk zgjidhet me atë që keni një ose dy njerëz në anën tuaj”, tha Vuçiç për gazetarët në Beograd.
Spanja, së bashku me Sllovakinë, Greqinë, Qipron dhe Rumaninë janë pesë vendet e Bashkimit Europian refuzojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës.