TIRANE - Sokol Olldashi shpall zyrtarisht kandidaturën për postin e kreut të PD-së.

 Nga selia e PD-së  në një prononcim për median Sokol Olldashi, tregoi arsyet pse kandidon për postin e kryetarit të partisë në të cilën ai militon prej 23 vitesh. Olldashi tha se vendimin e kishte marrë pasi kishte takuar strukturat dhe Sali Berishën dhe se ishte në garë për të rindërtuar themelet morale të partisë të cilën sot do ta ngrejë në opozitë për ta kthyer në shumicë nesër.
 
“Pas shumë takimesh që kam pasur me strukturat bazike dhe takimin me kryetarin PD-së Sali Berisha i jam drejtuar kryesisë së partisë për regjistrimin e kandidaturës për kreun e PD-së një parti ku militoj prej 23 vjetësh.

Hyj në këtë garë me dëshirën për të përfaqësuar militantët e PD-së, anëtarët por dhe krenarinë se jam pjesë e opozitës që kjo parti ka zhvilluar në 1997- 2005 dhe pjesë arritjeve madhore të qeverisjes së kësaj partie nga 2005-deri më sot.  Hyj në këtë garë me vendosmërinë për të fituar përgjegjësinë e përfaqësimit të 100 mijë anëtarët e PD-së dhe me synimin për të rindërtuar themelet morale mbi të cilat bashkë me ta do të ngremë opozitën sot për ta kthyer në shumicë nesër. Sepse besoj se proceset zgjedhore nuk janë pazare dhe se shumica e shqiptarëve ende besijnë në moralin e idetë për të cuar vendin përpara."- tha Olldashi, i cili në qeverisjen 2008- 2013 mbajti postin e ministrit të Transporteve.   
 
 Kjo është kandidatura e dytë zyrtare për postin e kreut të PD-së pas Aleksandër Biberajt. Nënkryetari i PD, Astrit Patozi tha dje se nuk do të marrë pjesë në këtë garë. Emri i Lulzim Bashës mbetet i përfoluri, kjo pas dorëheqjes së Topallit, Bodës si dhe Patozit për të kandiduar për kreun e PD.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)