UKRAINË –Miliarderi properëndimor ukrainas dhe kandidati kryesor i zgjedhjeve presidenciale, Petro Poroshenko mund të jetë fitues që në raundin e parë me 55,9 për qind të votave, doli sot nga "exit polle-et" e organizuara menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit në të gjithë vendin.

"ATSH" shkruan se "Ai gjendet shumë pikë përqindje përpara kandidates tjetër, Julia Timoshenko që ka marrë vetëm 12,9 për qind te tyre, gjithmonë sipas sondazheve. Nëse Poroshenko merr mbi 50 për qind të votave, ai zgjidhet president i Ukrainës që në raundin e parë".

UKRAINA VOTON PËR PRESIDENTIN E RI, "A1 REPORT!" RAPORTON DIREKT
“A1Report!” ka dërguar në Ukrainë, gazetaren e vet Erjona Rusi, e cila ka raportuar sot se çfarë është duke ndodhur atje.

Rusi tha se “vërehet një pjesëmarrje shumë e madhe. Unë kam parë zgjedhës që prisnin para qendrës së votimit, disa orë para se ajo të hapej. Pritet që këto zgjedhje të shënojnë një rekord përsa i përket pjesëmarrjes.

Por, problemet natyrisht që nuk mund të shmangen, pasi ashtu si pritej, në jug dhe lindje të vendit ato janë shfaqur dukshëm. Në Nikolaj thuhet se janë vendosur bomba në disa qëndra votimi e si rezultat, ato janë mbyllur; në Herson - një qendër është sulmuar me “Molotov” ndërsa në Donetsk, 50% e qendrave nuk funksionojnë fare; në Odesa thueht se dikush i ka vënë zjarrin një qendre votimi.

Ish-Kryeministrja Timoshenku ka votuar jo në Kiev, ku pritej, por diku afër Donetskut për të dhënë mesazhin që edhe në lindje votohet.

Mediat kanë treguar një interes të jashtëzakonshëm për dy kandidatët kryesorë në garë dhe shpresohet që të mos ketë një raund të dytë votimi,”- vërejti Rusi.
 
Këto zgjedhje do të përcaktojnë pikën e kthesës për krizën që vuri përballë Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.
 
Jane 18 kandidatë në garë për postin e Presidentit. Qendrat e votimit janë hapur në orën 8:00 të mëngjesit të sotëm dhe do të mbyllen në orën 20:00 të mbrëmjes, ndërsa rezultatet pritet të publikohen gjatë të hënës.
 
Zgjedhjet po zhvillohen nën masa të rrepta sigurie, për shkak të tensioneve të vazhdueshme edhe përgjatë orëve të fundit në dy rajonet lindore, Donjetsk dhe Slloviansk.
 
Mbi 1 mijë vëzhgues të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri janë shpërndarë në të gjithë vendin për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e procesit zgjedhor ndërsa rreth 75 mijë forca policie janë mobilizuar për të siguruar rendin dhe qetësinë.
 
Krerët e separatistëve pro-rusë në lindje të vendit kanë urdhëruar një lloj mobilizimi të përgjithshëm, madje sipas mediave vendase ata kanë kërcënuar banorët e rajoneve lindore se do të përballen me pasoja nëse marrin pjesë në zgjedhje.
 
BBC-ja raporton se në Donjetsk ende nuk është hapur asnjë qendër votimi. Sipas sondazheve paraprake, Petro Poroshenko apo i njohur ndryshe si “Mbreti çokollatë” do të triumfojë në këto zgjedhje, përballë rivales së tij më të fortë, ish-Kryeministres Julia Timoshenko.

Sipas Kodit Zgjedhor në Ukrainë, njëri nga kandidatët duhet të fitojë më shumë se 50% të votave, në të kundërt do të shkojnë në një raund të dytë votimesh, që do të mbahet më 15 qershor.
 
Ndërsa ju drejtua qytetarëve të shtunën nga televizioni, Kryeministri në detyrë i vendit, Arseniy Yatsenyuk i kërkoi atyre të marrin pjesë në zgjedhje dhe të shprehin mendimin e tyre ndërsa vetëm pak ditë më parë edhe Presidenti rus Vladimir Putin tha se do të respektojë zgjedhjet në UKrainë dhe se ishte i përgatitur për të bashkëpunuar me atë që do të zgjidhej President i vendit.
ukraina
(Në foto: Një çift të moshuarish me veshje tradicionale nga fshati Kozmah, duke votuar sot)

Redaksia online
(arsh/Shqiptarja.com)