Sondazhi i Gallup: Vazhdon të bjerë besimi tek institucionet amerikane

Sondazhi i Gallup: Vazhdon të bjerë besimi tek institucionet amerikane

SHBA

Besimi i publikut tek qeveria, gjyqësori dhe ushtria amerikane ka rënë, duke e renditur vendin pas shumicës së shteteve të tjera të G7, sipas një analize të re të organizatës Gallup.

Rreth 68% e amerikanëve nuk kanë besim tek qeveria. Besimi tek sistemi i drejtësisë është 42%. Madje edhe ushtria amerikane, një institucion tradicionalisht popullor, përjetoi një rënie të besimit të publikut nga 90% në vitin 2021 në 80% vitin e kaluar.

Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara, G7, përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Gjermania ka nivelin më të ulët të besimit të publikut tek ushtria, me rreth 60% që shprehin mungesë besimi.

Publiku amerikan duket i ndarë lidhur me buxhetin ushtarak të vendit, edhe pse Shtetet e Bashkuara shpenzojnë më shumë për ushtrinë sesa të gjitha vendet e tjera të G7 të marra së bashku.

Rreth 35% e amerikanëve mendojnë se shpenzimet janë shumë të larta, 29% besojnë se janë shumë të ulëta dhe 33% mendojnë se ushtria ka buxhetin e duhur.

“Nuk ka diçka që i shpjegon të gjitha”, thotë për Zërin e Amerikës Benedict Vigers, analist me organizatën Gallup. “Këto të dhëna duket të jenë pjesë e një prirjeje më të gjerë mes amerikanëve, që kalon përtej besimit të tyre tek institucionet politike.”

Ekspertët e lidhin besimin e publikut tek institucionet qeverisëse me cilësinë e shërbimeve publike që ajo ofron, masat efektive kundër korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe përparimet për trajtimin e pabarazisë kur flitet për të ardhurat dhe pasurinë.

“Efektshmëria e institucioneve publike varet nga besimi që kanë qytetarët dhe bizneset ndaj tyre”, thuhet në një raport të vitit të kaluar nga Banka Botërore.

Besimi i publikut tek institucionet amerikane po dobësohet, duke u shtrirë përtej organeve të pushtetit.

Besimi tek kishat dhe feja ka rënë në mënyrë të vazhdueshme, me një rekord prej 30% të amerikanëve që shprehën "shumë pak" besim vitin e kaluar, numri më i lartë që kur organizata Gallup filloi ta shtronte këtë pyetje në vitin 1973.

Besimi ka rënë edhe ndaj mjeteve të informimit, me mbi 40% e amerikanëve që thonë se kanë shumë pak besim, veçanërisht tek gazetat dhe rrjetet televizive./ VOA

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?



×

Lajmi i fundit

Tensione para bashkisë së Tiranës, Protestuesit përplasen me policët, i hedhin gardhin metalik

Tensione para bashkisë së Tiranës, Protestuesit përplasen me policët, i hedhin gardhin metalik