Sondazhi me hotelet, Durrësi
“Hirushja” e kësaj vere

Sondazhi i Qendrës së Kërkimeve Monitor (QKM) me 110 hotele bregdetare në vend zbulon tendencën. Si ka qenë ecuria e prenotimeve në korrik dhe si pritet gjatë muajit gusht.

Si po ndryshon turizmi nga prenotimet rastësore drejt të punuarit me agjenci.

Shumë hotele në Durrës raportojnë se janë të rezervuara nga polakët, ndërsa Vlora dhe Saranda janë më dobët këtë verë. Problem mbetet kapaciteti i ulët, teksa 93% e hoteleve raportojnë se kanë më pak se 50 dhoma.

Bregdeti i Durrësit është kthyer këtë vit në “Hirushen” e turizmit. Pasi u zbulua nga “Princi” (agjencitë polake dhe çeke), që parablenë një pjesë të madhe të dhomave të hoteleve, që në dhjetor të vitit të kaluar, sipërmarrësit u nxitën të investonin.

Nëse bën një xhiro sot në bregdetin e Durrësit dhe sidomos atë të Golemit, është shumë më ndryshe se disa vite më parë. Hotelet janë modernizuar, kanë përmirësuar shërbimet, kanë futur ofertat të gjitha të përfshira. Po ashtu, edhe ambientet para tyre janë të pastra, çadrat janë të reja prej kashte të vëna në rregull dhe me distancë të pranueshme nga njëra-tjetra, janë vendosur kabinat e dushit, shumë hotele kanë përcaktuar zonat për notim dhe disa prej tyre kanë edhe kullat e vrojtimit të rojeve të plazhit. Pasditet janë të mbushura me pushues vendas e të huaj, që shëtisin në bregdet, duke shijuar perëndimin e diellit, apo ulen në lokalet e shumta aty rrotull.

Durrësi, pavarësisht problemeve të trashëguara të infrastrukturës e ndërtimeve intensive dhe cilësisë së shërbimit, po bëhet gradualisht modeli i ardhshëm i zhvillimit të turizmit, atë të orientuar drejt të huajve, që punon me agjencitë dhe i ka të garantuara prenotimet që në fillim të vitit.

Në një sondazh që zhvilloi në gjysmën e dytë të korrikut Qendra e Kërkimeve Monitor (QKM) me 110 hotele në vend, të përzgjedhura në mënyrë përfaqësuese përgjatë bregdetit nga Saranda në Velipojë, 42% e 34 hoteleve në Durrës raportuan se në muajin korrik, ato ishin 80-100% të prenotuar. “Sunborn Rezidence”, “Mali i Robit”, “Dyrrah”, “Leonardo”, “Bonita”, “Grand Hotel Pameba”, “Adriatik 2”, “Dollari”, “Belavista”, “Akropoli”, të gjitha deklaruan se në muajin korrik e kishin shfrytëzuar 100% kapacitetin e dhomave.

“Hotel Leonardo” në Golem, këtë vit është i gjithi i rezervuar, si për muajin korrik dhe si për gushtin, sipas drejtuesve të saj. “Leonardo” është një nga më të mëdhenjtë në zonën e Durrësit e Golemit, me një kapacitet prej 105 dhomash dhe 210 shtretër. Në gusht të një viti më parë, ky hotel ishte i prenotuar vetëm 50%.
Hotel “Adriatik 2”, me 22 dhoma, kishte bërë kontratë me agjencitë polake dhe ishte tërësisht i rezervuar për korrikun dhe gushtin.

Menaxheri i hotel “Marika” në Golem tha se punonin me agjenci dhe për gushtin i kishte të 24 dhomat e zëna.
Drejtuesit e “Klajdi Resort” në Golem, që ka 40 dhoma, pohuan se ata punonin me agjenci dhe i kishin pothuajse të gjitha dhomat e zëna. Nga 80% që ishte zënë në korrik, në gusht do të arrinte 100%.
Menaxheri i hotel “Brumar” në Durrës, me 17 dhoma, ndonëse për gushtin kishte arritur të kishte një zënie prej 100%, u ankua se ka shumë konkurrencë informale.

Ky është viti i tretë radhazi që QKM kryen sondazhe me hotelet bregdetare gjatë korrikut, ku menaxherët pyeten për prenotimet në korrik dhe gusht, krahasimin me një vit më parë dhe problematikën që ata mund të kenë.
Në krahasim me sondazhet e vitit 2015 dhe 2016, kur ishin të varur nga kërkesa e turistëve nga Kosova, hotelet në Durrës e Golem raportuan një situatë shumë më optimiste. Në verë të vitit 2015, ata kishin vuajtur nga fakti që periudha e pushimeve përkoi me muajin e Ramazanit dhe vetëm në gjysmën e dytë të korrikut kishin pasur më shumë punë.

Korriku, më i mbari në dy vjet, por jo gushti

Në përgjithësi, sipërmarrësit e hoteleve ishin më optimistë për korrikun, në krahasim me dy vitet e mëparshme. Vetëm 30% e të anketuarve pohuan se korriku i këtij viti ishte më keq se vjet, nga një rekord prej 55% që kishte qenë kjo përgjigje vitin e mëparshëm. Është rritur ndjeshëm numri i atyre që pohuan se ishin njësoj me vjet, në gati 34% dhe vetëm 14.5% raportuan se ishin më mirë sesa vitin e kaluar.

tab 1

 37% e hoteleve raportuan se zënia e dhomave ishte nga 80-100% në gusht, duke qenë shumë më e lartë sesa një vit më parë. Nivelin më të lartë të zënies e deklaruan hotelet nga bregdeti i Durrësit-Golemit.

tab2

Megjithatë, hotelet nuk janë aq optimiste për gushtin. 39% e tyre thanë se e prisnin të ishte më keq se vjet, nga 24% që ishte kjo përgjigje në sondazhin e vitit të kaluar. Megjithatë janë shtuar edhe ata që presin një gusht të mbarë, me 19%, nga 5.6% në verën e 2016-s.

Menaxherët e hoteleve kishin dhe frikë se gushti mund të sillte anulime, si p.sh., “Vela e Bardhë” në Vlorë.
Në fakt, Vlora dhe Saranda duket se po vuajnë këtë vit. 67% të atyre që u përgjigjën se prisnin që gushti të ishte më keq se një vit më parë i kishin hotelet pikërisht në këto dy qytete.

“Vila Rapa Nui”, me 13 dhoma dhe 65 shtretër në Vlorë, priste që në gusht të rezervonin vetëm miqtë e tij.
Hotel “Nertili” në Sarandë, me 20 dhoma, nuk kishte pasur shumë punë në korrik dhe po shpresonte që prenotimet të rriteshin për muajin gusht. Edhe menaxherët e “Two mermaids”, me 20 dhoma, po në Sarandë, raportuan se këtë vit ishin më keq se vitin e kaluar.
Nga 33 hotele të anketuara në Vlorë, 50% pohuan se gushti i këtij viti do të ishte më negativ se ai i një viti më parë.

Përfaqësuesi i hotel “Argeli” me 35 dhoma dhe 140 shtretër, tha se vitin e kaluar kanë qenë më mirë, ndërsa këtë vit nuk kishin prenotime për gushtin.
Menaxher i hotel “Lepenica” në Vlorë u ankua për infrastrukturën dhe pohoi se kishte punë përgjithësisht në fundjavë.

Në të njëjtin nivel me vitin e kaluar ishin rezervimet në Himarë, Borsh e Dhërmi, sipas “Potami Beach”, Alfa-Delta”, “Alkre”, “Vila Borsh”, “Take”, “L’Doro”, “Fiori”, “Vila Altini”.

Hotel President në Shëngjin, me kapacitet 50 dhoma dhe 150 shtretër, ishte shumë më keq me prenotime në gusht, në krahasim me vitet e tjera. Edhe hotel “Bologna” po në Shëngjin, kishte 6 dhoma të zëna, nga 16 në dispozicion, në momentin që u krye anketimi.

tab3

Problem kapacitetet e ulëta

Mungesa e kapaciteteve është një nga problemet kryesore që kanë hotelet shqiptare, që pengon dhe tërheqjen e grupeve të mëdha të turistëve. Durrësi këtë vit përfitoi pikërisht, pasi në bregdetin e tij ishin ndërtuar hotele relativisht të mëdha, por edhe bashkëpunuese tyre. Sipas burimeve nga Shoqata Shqiptare e Turizmit, për herë të parë, një grup hotelesh me rreth 1000 shtretër te Shkëmbi i Kavajës arritën të animojnë një zonë me të gjithë shërbimet për paketa FB (të gjitha të përfshira) dhe funksion 365 ditë. Kjo performancë siguroi për 2017-n kontratat për 140 ditë me partnerët çekë e polakë, duke afirmuar një vazhdimësi për vitet në vazhdim.

“Shqipëria ka një numër të kufizuar të kapaciteteve akomoduese, në rreth 67.000 shtretër. Është një shifër e ulët krahasuar me resurset që ofron dhe tregun rajonal.

I mungojnë shërbimet për target grupin që shpenzon për turizmin e rërës e detit, ose janë të kufizuara në disa hotele, kryesisht me më pak se 100 dhoma, të cilët nuk punojnë me paketa të plota shërbimesh”, pohon Zak Topuzi, sipërmarrës i Hotel Mondial dhe Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA).

Nga sondazhi i QKM-së, vetëm 7.3% e hoteleve deklaruan se kanë më shumë se 50 dhoma, ndërsa pjesa më e madhe (64%), raportuan më pak se 20 dhoma.

Nisur nga kërkesa e lartë, Hotelet në zonat bregdetare të vendit po shtojnë kapacitetet akomoduese për t’i bërë ballë fluksit të madh të turistëve nga Çekia dhe Polonia. Por zgjerimi pa plan, mungesa e standardeve, cilësia e dobët e shërbimeve, plehrat dhe kaosi përreth i kanë përcjellë me përshtypje negative shumicën e tyre, një temë kjo e trajtuar në numrin e mëparshëm të “Monitor”.
 
tab 4

Qendra e Kërkimeve Monitor

Qendra e Kërkimeve Monitor (QKM) është një njësi kërkimi e Media Union, publikuesit të revistës “Monitor”, me një staf të specializuar që bën analizimin dhe përpunimin e të dhënave të ndryshme të biznesit dhe ekonomisë. Që nga viti 2005, QKM ofron:
-Kërkime të tregut
-Kërkime sociale dhe ekonomike
-Kërkime të Marketingut
-Mistery Shopping me të dyja metodologjitë: sasiore dhe cilësore.
Sondazhi me hotelet u zhvillu përmes telefonit në gjysmën e dytë të muajit korrik. U intervistuan 110 hotele, sipas një përzgjedhjeje përfaqësuese nga Saranda në Velipojë, siç paraqitet në grafikun e mëposhtëm:

tab5
/Monitor/

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen