Me këtë parantezë e nisëm dje, pjesën e parë të intervistës me historianen e njohur, Prof.asoc.Dr.Sonila Boçi, duke sjellë për lexuesit atë anë të tablosë së kësaj periudhe, ku nacionalistët dhe komunistët ishin në të njëjtin front të rezistencës, nga demonstratat e para në prag të pushtimit, tek ato të 28 nëntorit të parë nën pushtimin fashist, tek formimi i çetave të para dhe bashkëpunimi deri në mbledhjen e Mukjes. Nga kjo ngjarje historike, tabloja e rezistencës shqiptare ndryshon. Nacionalistët dhe komunistët tashmë janë në fronte kundërshtare dhe lufta për pushtet zë e ngre krye në shumë momente të rezistencës. Në pjesën e dytë të intervistë që sjellim sot trajtohet pikërisht kjo tablo që nis të formësohet që nga vera e 1943-shit e deri në fund të Luftës me ardhjen në pushtet të komunistëve.
Vijon nga dje
A ishte efikas bashkëpunimi që ofronin këto komitete të bashkëpunimit në rang lokal?
Organizimi i tyre ishte një faktor bashkues për grupimet politike shqiptare të angazhuara në rezistencën kundër pushtuesve dhe në këtë pikëpamje kjo marrëveshje është për t’u përshëndetur. Por, nëse do të thellohesh në studimin e veprimtarisë së tyre ka vend për t’u ndalur: Së pari, marrëveshjet nuk ishin detyruese nga pikëpamja e detyrave dhe detyrimeve të palëve ndaj njëra-tjetrës. Së dyti, dukej qartë se palët nuk e besonin njëra-tjetrën, apo hynin në këtë marrëveshje jo shumë të bindura. Enver Hoxha u tërheq vëmendjen varësve të vet se “kjo lidhje [marrëveshja] është qepur me pe të bardhë”. Marrëveshja nuk e pengoi Hoxhën edhe të mendonte për ta dëmtuar nga brenda Ballin si organizatë. Në shkurt-mars 1943, drejtuesit e PKSH-së kërkonin t’i shfrytëzonin zjarristët, që ishin anëtarësuar te Balli Kombëtar, për të punuar si fraksion i PKSH-së brenda organizatës, për ta unifikuar atë me linjën e Frontit Nacionalçlirimtar. Mosbesimi ishte i dyanshëm, pasi edhe Balli Kombëtar kishte vënë si kusht që marrëveshja e arritur për komisionet e koordinimit të mos bëhej publike. Së treti, ndodhte shpesh që një aksion i filluar së bashku të lihej në mes nga njëra apo tjetra palë, duke i krijuar vështirësi të mëdha njëra-tjetrës për të përballuar forcat e armikut. Kështu, Balli akuzonte çetat e Frontit se ishin tërhequr disa herë nga luftimet duke i lënë në vështirësi forcat e tyre, siç kishte ndodhur në Gjorm (dhjetor 1942), Selenicë (mars 1943) etj. Por edhe komandantët e çetave partizane ankoheshin që forcat e Ballit tërhiqeshin në mes të luftimeve duke krijuar vështirësi për ta. Kështu, komandanti partizan, Xhelal Staravecka akuzonte drejtuesin e çetës nacionaliste, Kadri Cakranin se ishte tërhequr në kulm të luftimeve kundër bandës së Isa Toskës duke ia lënë gjithë barrën çetave partizane.
Pavarësisht, problemeve dhe kontradiktave që lidheshin me këndvështrimet e ndryshme të karakterit politik, si: e ardhmja e organizimit politik dhe shoqëror në Shqipërinë e Pasluftës, aleanca e PKSH/FNÇ me PKJ-në, mosdeklarimi i hapur nga ana e komunistëve për qëndrimin e saj në lidhje me çështjen kombëtare etj., mund të themi se deri në gusht të vitit 1943, palët toleruan në mënyrë të kujdesshme njëra-tjetrën, duke i kufizuar kundërshtitë e tyre kryesisht në lëmin propagandistik. Kjo nuk do të thotë që nuk pati edhe incidente. Kështu, më 12 qershor 1943, forcat partizane arrestuan Ali Këlcyrën, ndërsa ky po udhëtonte me autobusin e shoqërisë SATA nga Gjirokastra për në Tiranë, incident që shkaktoi një situatë të pakëndshme ndërmjet dy organizatave në Gjirokastër, por që përfundoi pa u thelluar. Incidente të tilla ishin të karakterit individual dhe nuk pasqyronin linjën politike të grupimeve përkatëse. Madje, Enver Hoxha porosiste të mos krijoheshin incidente me Ballin dhe të gjendeshin mënyra për t’i rregulluar punët me të.
Si ndodhi që Balli Kombëtar dhe Partia Komuniste u vunë përballë njëri-tjetrit?
Situata ndryshoi pas Mbledhjes së Mukjes, e cila u arrit në një kohë ndryshimesh në rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore. Zbarkimi i Aleatëve në Sicili dhe grushti i shtetit të Badoglios ishin dy ngjarje që shkaktuan një kthesë të fortë në këtë luftë, pasi e bënë kapitullimin e Italisë çështje kohe. Aleatët kishin lënë të përhapej një lajm i rremë se Ballkani do të shërbente si front i dytë i Luftës, gjë që e bëri çështjen e dominimit politik në Shqipëri edhe më imediat. Për më shumë akoma, Marrëveshja e Mukjes ishte padyshim një fitore për Ballin Kombëtar. Ajo përmbante tri nga pikat për të cilat Balli ishte përpjekur gjatë, siç ishin: krijimi i një organizate dualiste (Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë), ku Balli dhe Fronti të konsideroheshin të barabartë; e kishte bërë PKSH-në të shprehej për çështjen kombëtare (Shqipëria etnike); e kishte bërë PKSH-në të pranonte idenë e ndarjes së pushtetit në të ardhmen (marrëveshja flet për demokraci të vërtetë dhe jo popullore, siç propagandonte PKSH-ja). PKSH-ja fitoi nga kjo marrëveshje vetëm premtimin e Ballit për të luftuar kundër pushtuesit aktual dhe çdo pushtuesi tjetër.
Për të gjitha këto arsye, PKSH-ja, nën ndikimin e të dërguarve jugosllavë, reagoi menjëherë duke hedhur poshtë të gjitha pikat e marrëveshjes së arritur në Mukje, duke i shndërruar këto organizata deri atëherë rivale, në armike të betuara të njëra-tjetrës.
Kur flasim për luftë civile në Shqipëri, sa bazë reale ka?
Është një nga tiparet që fitoi Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri, veçanërisht pas Mbledhjes së Mukjes. Që më 4 gusht 1944, Enver Hoxha, i cili vetëm dy muaj më parë, urdhëronte kujdes dhe jo konfortim ushtarak me Ballin Kombëtar, u kërkoi forcave partizane të zonës së Korçës që të mos lejonin në asnjë mënyrë forcat e Ballit Kombëtar të hynin në fshatin Shipskë ku ishte spitali partizan dhe, nëse ato do të insistonin, atëherë ai urdhëronte goditjen e tyre me armë.
Shpallja e kapitullimit të Italisë më 8 shtator 1943, krijoi problemin e zotërimit të materialit ushtarak italian. Nga njëra anë qëndronin komandantët ushtarakë italianë, të cilët nuk kishin udhëzime nga drejtuesit e tyre se kujt do t’i dorëzoheshin dhe, nga ana tjetër, rivaliteti i të dyja grupimeve, të cilat nxitonin për të përfituar sa më shumë armatime nga pushtuesit e mundur tashmë. Ky është momenti i parë që të dyja grupimet u vendosën zyrtarisht përballë njëri-tjetrit. Porosia që drejtuesit lokalë të PKSH-së morën nga qendra e tyre ishte që të kontrolloheshin me kujdes lëvizjet e Ballit, në mënyrë që ai të “mos bëjë ndonjë kompromis me ushtrinë italiane”. Situata u ndoq nga afër edhe nga ushtarakët britanikë, të cilët mbështesnin njërin apo tjetrin grupim.
Për drejtuesit komunistë duket se koha e luftës propagandistike kundër Ballit kishte mbaruar. Më 10 shtator 1943, Enver Hoxha dërgoi një qarkore ku porosiste për një ndryshim të vijës politike ndaj Ballit Kombëtar. Ballit duhej t’i jepej një lloj ultimatumi që përfshinte një sërë çështjesh: nga angazhimi për të luftuar pushtuesin, deri te njohja e këshillave nacionalçlirimtarë si të vetmet “organe të pushtetit demokratik”, madje duke kërkuar që të insistohej në këtë pikë. Në të njëjtën letër, Hoxha udhëzonte strukturat e tij që të shtojnë propagandën në popull për ta diskredituar Ballin, në mënyrë që ai ta konsideronte atë (Ballin) shkaktar të vëllavrasjes së pashmangshme.
Pushtimi gjerman dhe politika e ndjekur prej pushtuesve të rinj hodhi benzinë në marrëdhëniet ndërmjet këtyre organizatave. Disa nga drejtuesit e Ballit, si Lef Nosi, u joshën nga politika gjermane e pavarësisë së kufizuar dhe ndihmuan në organizimin e administratës nën pushtimin gjerman. Zyrtarisht Balli reagoi duke e përjashtuar Lef Nosin nga radhët e veta. Vetëvrasja e Safet Butkës dhe vrasja e Hysni Lepenicës, të cilët njiheshin si krahu revolucionar i Ballit, dobësoi shumë pozitat luftarake të kësaj organizate. Si një organizatë e cila nuk ishte dalluar asnjëherë për disiplinë dhe respekt ndaj urdhrave, shumë nga krerët lokalë të Ballit bashkëpunuan që në fillimet e pushtimit me gjermanët. Të dhënat dokumentare dëshmojnë se shumë krerë lokalë të Ballit Kombëtar, luftuan së bashku me gjermanët në operacionin ndëshkimor që ndërmorën ata gjatë dimrin të viteve 1943-1944, operacion i cili i shkaktoi humbje të rënda Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Në nivel zyrtar, më 7 tetor 1943 Balli Kombëtar shpalli se nuk do të angazhohej në luftime kundër gjermanëve, ndërkohë që po në të njëjtën ditë u jepte urdhër formacioneve të saj ushtarake për t’iu përgjigjur ushtarakisht sulmeve të UNÇ-së. Balli, me përjashtime shumë të pakta, nuk u përfshi në rezistencë kundër pushtuesve, madje në Kongresin e Beratit, në janar 1944, vendosi të bashkëpunonte me të gjitha forcat antikomuniste, përfshirë edhe pushtuesit gjermanë. Duke vepruar kështu, Balli Kombëtar humbi mundësinë të bëhej faktor në zhvillimet politike të pasluftës.
Nëse analizojmë dokumentet e kësaj periudhe, cila nuancë e luftës dominoi pas kapitullimit të Italisë, lufta për pushtet apo lufta kundër pushtuesit?
Deri në pranverë të vitit 1944, mund të them se rezistenca kundër pushtuesit ishte po aq e rëndësishme sa edhe lufta për eliminimin e kundërshtarëve politikë. Nga 15 prilli i vitit 1944, pra nga Plenumi i Helmësit, i cili mori vendimin për thirrjen e Kongresit të Përmetit, marrja e pushtetit nga PKSH-ja fitoi përparësi, gjë që e bëri elementin e luftës civile të dominojë. Veçanërisht i dukshëm bëhet ai gjatë verës dhe vjeshtës të vitit 1944. Pas kalimit të forcave partizane në veri të Shqipërisë, në fund të qershorit 1944 dhe sulmit të këtyre forcave ndaj zonës që kontrollohej nga Abaz Kupi, Enver Hoxha porositi Liri Gegën që të mos insistonte në veprime të ashpra kundër gjermanëve. Kjo situatë shkaktoi acarim të marrëdhënieve ndërmjet Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ dhe misioneve britanike që vepronin në Shqipëri. Shtabi Aleat i Mesdheut ndërpreu ndihmat për formacionet e UNÇ-së dhe kërcënoi se nuk do të rifillonte dërgimi i tyre, nëse nuk ndërpriteshin sulmet ndaj forcave të Abaz Kupit. Kjo situatë kishte ngjallur pakënaqësi edhe te vetë partizanët, të cilët, sipas një letre që Liri Gega i çonte Enver Hoxhës, kishin reaguar ndaj faktit që gjatë gjithë korrikut nuk kishin bërë asnjë luftim me gjermanët. Një urdhër i ngjashëm me atë të 16 korrikut, u dërgua dhe në shtator 1944. Enver Hoxha porosite forcat partizane të përqendronin vëmendjen e tyre në eliminimin e Muharrem Bajraktarit, i cili vijonte të luftonte kundër pushtuesve, madje kishte informacione që po përpiqej të organizonte krerët e Veriut kundër pushtuesit. I vetmi “mëkat” i tij ishte se nuk kishte pranuar t’i bashkohej Frontin Nacionalçlirimtar.
Pse forcat nacionaliste dështuan në finale, dhe si mendoni pse pushteti ra në duart e komunistëve?
Nacionalistët bënë kalkulime të gabuara të situatës, duke shpresuar, mesa duket, në antikomunizmin e Britanisë së Madhe dhe SHBA-së. Ndërsa, FNÇ-i vazhdonte të rriste formacionet e tij ushtarake, zbatonte njëkohësisht edhe një disiplinë e rregulla të rrepta në sjelljen e partizanëve ndaj popullsisë, Ballit mbeti i izoluar në çetat e tij territoriale, të cilat ishin nën urdhrat e krerëve lokalë. Drejtuesit qendrorë të Ballit duket se gjithnjë e më shumë po humbnin kontrollin ndaj vartësve të tyre lokalë. Në këtë përplasje të vështirë midis këtyre dy grupimeve, do të fitonte ai që, në raport me situatën e krijuar, gabonte më pak. FNÇ-i ishte më i qartë mbi qëllimet e tij dhe mbi mjetet që do të përdorte për arritjen e tyre. Në të kundërtën, Balli u shfaq me qëllime të qarta, por jo aktiv në përpunimin e taktikave të luftës pa kompromis kundër pushtuesit. Ballit Kombëtar i mungoi nuhatja politike për të harmonizuar qëndrimet e tij me ato të Aleatëve të Mëdhenj, të cilët bashkëpunuan ngushtësisht me njëri-tjetrin, pavarësisht nga orientimi ideologjik e politik i tyre. Krerët e Ballit dështuan të krijonin një front antikomunist rezistence, ku të përfshiheshin të gjithë ata që ishin të gatshëm t’i rezistonin pushtuesit gjerman, si Abaz Kupi, vëllezërit Kryeziu, Muharrem Bajraktari etj. Kjo mungesë orientimi, bëri që Balli të humbte mbështetjen e Aleatëve dhe mundësinë për t’u bërë faktor politik i rëndësishëm në Shqipërinë e Pasluftës. Historiografia komuniste ka glorifikuar meritën e Enver Hoxhës dhe PKSH-së për fitoren kundër pushtuesit dhe marrjen e pushtetit në Shqipëri. Në një analizë, më të thellë dhe në të tjera rrethana, një “meritë” e madhe mund t’u atribuohet edhe gabimeve të kundërshtarëve të tij politikë, siç ishin edhe ato të Ballit Kombëtar.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com