Mbrëmja e kësaj të diele sjell një fenomen të veçantë në qiell. Më 31 maj do të shfaqet e ashtuquajtura “Hëna Blu”, një ngjarje astronomike që ndodh relativisht rrallë dhe tërheq gjithmonë vëmendjen e apasionuarve pas qiellit.

Pavarësisht emrit, Hëna nuk do të ketë ngjyrë blu. Termi “Hëna Blu” përdoret për të përshkruar rastin kur brenda të njëjtit muaj kalendarik ndodhin dy hëna të plota, ndërsa zakonisht kemi vetëm një.

Ky fenomen shfaqet afërsisht një herë në dy deri në tre vjet, ndaj konsiderohet i rrallë. Hëna e plotë e 31 majit do të jetë e dyta për këtë muaj, duke fituar kështu emërtimin “Hëna Blu”.

Shprehja është bërë e njohur edhe në gjuhën angleze. Kur diçka ndodh shumë rrallë, përdoret shprehja “once in a blue moon”, që në shqip do të thotë “një herë në shumë kohë”.

Megjithatë, ka raste kur Hëna mund të marrë vërtet nuanca blu. Kjo ndodh në kushte të veçanta atmosferike, kur në ajër ka sasi të mëdha tymi ose pluhuri. Fenomene të tilla janë vërejtur pas zjarreve të mëdha pyjore ose pas shpërthimeve vullkanike.

Sipas astronomëve, Hëna Blu e mbrëmjes së sotme do të jetë një mundësi e mirë për vëzhgim, ndërsa për fenomenin e radhës të këtij lloji do të duhet të presim edhe disa vite.