Eventi i boksit i titulluar ‘Nata e Kampionëve’ në kompleksin olimpik këtë të dielë do sjellë për publikun 13 përballje tejet interesante ku shumica e atyre që do ngjiten në ring janë boksierë shqiptarë. Ardit Murja është një prej tyre, i cili do ndeshet me një kundërshtar tejet të vështirë nga Venezuela i quajtur Hector Betancourt.
“Një nga ndeshjet më të forta besoj që kam zhvilluar deri më tani. Një boksier shumë i fortë, ka 15 fitore, 11 nokaute. Siç e dëgjuat edhe në intervistë ai u shpreh se ka një surprizë për mua kështu që mbetet ta shohim. Nëse ai ka nji unë kam 3”, tha Ardit Muja.
Jo më pak e lehtë do jetë edhe për Ergys Toçin, një tjetër boksier i ‘Titans Gym’.
“Kundërshtari nga Gjeorgjia është një kundërshtar që lufton shumë. Vazhdon me sulme të gjata, por jam përgatitur shumë shumë mirë për këtë lloj kundërshtari”, u shpreh Toçi.
Përveç boksit, publiku do shijojë edhe një sfidë kickbox-i, teksa në ring do ngjitet kampioni Mexhit Hysenaj përballë Antonio Bajculescut.
“Unë për këtë sfidë jam përgatitur shumë, dy herë në ditë. Me profesor Eltonin dhe Entonin. Presim vetëm momentin e ndeshjes. E ke studiuar kundërshtarin? E kam parë kundërshtarin. E di çfarë defektesh dhe pikë të fortë ka. E di shumë mirë se çfarë do të bëj dhe unë në ring”, tha Hysenaj.
Eventi këtë të dielë do nisë prej orës 18:00, ndërsa në ring do jenë edhe boksierë të tjerë premtues si Luis Gjolena, Armando Karaj, Rexhildo e Arjon Zeneli. Pa harruar edhe sfidën e peshave të rënda mes Geljan Rajkut dhe francezit Brice Clavier.