Sonte në mbrëmje përcaktohen skuadrat finaliste të këtij edicioni të Europa League. Atletico Madrid-Arsenal është gjysmëfinalja e kthimit me më shumë interes që do të luhet në një atmosferë fantastike në stadiumin “Wanda Metropolitano”.
Takimi i parë ka përfunduar në barazim 1-1 por sa i përket kualifikimit çdo gjë mbetet e hapur. Me formacionin më të mirë të mundshëm do të luajnë të dyja skuadrat. Simeone do të bazohet tek dyshja Diego Costa-Griezmann në sulm për të arritur finalen dhe sqaron:
Na duhet një stadium që të shpërthejë dhe t’u paraqesë pasion lojtarëve. Kemi përpara një kundërshtar të rrezikshëm por do të jetë një duel i bukur dhe ne duam finalen.
Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone
Në kampin e londinezëve duan këtë trofe për t”u përshëndetur me trajnerin Arsen Wenger. Edhe vetë francezi deklaron se do i pëlqente shumë ta mbyllte duke fituar Europa League ndërsa për duelin e sotëm nënvizon:
Duhet të kemi kujdes nga Diego Costa ndërsa Simeone është tashmë një trajner me eksperiencë.
Trajneri i Arsenal, Arsen Wenger
Finalistja tjetër do të dalë nga përballja Salzburg-Marsejë ku francezët e kanë fituar ndeshjen e parë 2-0 dhe janë favoritë për të kapur finalen e Lionit. Atletico Madrid-Arsenal dhe Salzburg-Marsejë luhen duke nisur nga ora 21:05.