VLORE- Një copë plastmasi bojëqiell, e lidhur nëpër degët e pemëve, është kthyer në strehë për familjen Ahmeti, në Pyllin e Sodës.
Një deng me rroba, një krevat e disa ushqime të prishura nga lagështira... Kaq është gjithçka që ka kjo familje.
Prej 10 ditësh, qëndrojne në shi e të ftohtë, pasi pronari i banesës ku jetonin me qira i nxori jashtë.
"Çfarë do bëjmë, ku do gjejmë? Ai tha dil se do e rregullojë shtëpinë dhe ne dolëm. Tre muaj kemi jetuar aty. Ai nuk na la, na nxori. Nëntë veta jemi dhe flemë në çadër. Kemi fëmijë të vegjël, gjynah", tha gjyshja e femijeve, Fatbardha Ahmeti.
Në këtë çadër jetojnë; gjyshe Fatbardha, djali i saj Vinajeti me gruan dhe fëmijën e tyre, si dhe Albana, nusja e djalit tjetër qe ka nderruar jetë. Ajo ka 4 fëmijë të vegjël, qe po i rrit në mjerim.
"Po, jetojmë jashtë. Kam katër fëmijë, tri vajza, një djalë. Vajzat i kam në shkollë në lagjen Çole. Ne jemi nëntë veta gjithsej. Ne kërkojmë shtëpi nga bashkia që të mos rrimë jashtë", tha Albana Ahmeti mamaja e femijeve.
Kane aplikuar ne bashki per strehim, por zyrtaret u kane premtuar se do t'i paguajnë bonusin e qirasë nese arritje të lidhin kontrate me qiradhenesin. Por kjo është kthyer në mision të pamundur, pasi askush nuk ofron banese per 9 persona.
"Do t'jua paguaj unë, tha bashkia, por ne nuk na japin shtëpi me qira. Ndezim zjarr këtu, gatuajmë e lahemi. Burri më ka vdekur, djali më ka vdekur. Është ftohtë natën. Ne do vdesim ore! Këtu flemë të gjithë, po torturohemi. Presim që shtëpinë të na e gjejë bashkia. Kemi dhjetë ditë këtu jashtë", tha Fatbardha Ahmeti.
Djali i madh i familjes thotë se nuk mund të punojë për shkak të problemeve shëndetësore ndaj shpresën për ndihmë ekonomike dhe banesë e ka te institucionet.
"Po rri jashtë pa shtëpi, s'më ndihmon njeri. Kam jetuar në fshat në Lubonjë, kam disa vite që kam ardhur në Vlorë. Na nxori i zoti i shtëpisë jashtë dhe po rrimë në çadër. Kanë ardhur nga bashkia 3-4 herë por akoma pa zgjidhje se ne e kemi gjendjen civile në Selenicë. Ne jemi me fëmijë të vegjël dhe po flemë jashtë", tha Vinajet Ahmeti.
Bashkia e Vlorës, duhet të aktivizojë mekanizmat e ndërhyrjes emergjente, pasi bëhet fjalë për një familje të pastrehë, ku 4 jane fëmijë të mitur, qe po u rrezikohet jeta e shendeti.
Ligji parashikon strehimin ne qendër sociale ose konvikt, derisa të miratohet bonusi i qirasë dhe të gjendet banesa për ta.












Komente
Komento