TIRANE - Posta shqiptare ka organizuar sot, 100 - vjetorin e emetimit të pullës së parë postare shqiptare. I ftuar në këtë ceremoni ka qënë edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili ka vizituar ekspozitën e hapur për këtë qëllim.

Kryeministri, në fjalën e tij, theksoi se “Pulla shqiptare ka qënë një pasqyrë fisnike e kohës së vet, një pasqyrë zyrtare. Pulla e parë poste ishte një vulë e kohës, e zyrtares. Dua të përgëzoj në mënyrë të veçantë filatelistët e shquar, që janë këtu sot në mes nesh.

Këta të dashuruar pas pullës shqiptare dhe asaj në tërësi, që kanë hapur sot këtu një nga ekspozitat më të bukura që ka njohur ky muze në tërë historinë e tij, me koleksionet e tyre kanë pasuruar shumë fondin e pullës shqiptare, kanë konkuruar dhe fituar çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

Posta sot është institucioni më bashkëkohor i vendit, ajo funksionon me postierin dixhital, që i jep mundësi transparencës maksimale. Posta shpalli disa vjet më parë, objektivin e Shqipërisë dixhitale, në një kohë kur në vitin 2006, shqiptarët kishin një nga nivelet më të ulëta të internetit në botë, posta u bë promotor i zhvillimit të Shqipërisë dixhitale", - theksoi Kryeministri.

Në përfundim, Kryeministri i dhuroi pasardhëses së Lef Nosit, ministrit të parë të Postës dhe Telekomunikacionit, një simbol në kujtim dhe vlerësim të kontributit të tij të çmuar.   

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)